Bashkimi i opozitës po rikthehet në diskursin politik në Maqedoninë e Veriut, por thirrjet për një front të përbashkët vijnë në një periudhë kur vetë partia më e madhe opozitare maqedonase, LSDM-ja, po përballet me përçarje të brendshme. Nga njëra anë, krahu kritik që kërkon dorëheqjen e Venko Filipçes e sheh bashkimin e forcave progresive si domosdoshmëri për ndryshime politike, ndërsa nga ana tjetër, edhe përfaqësues të udhëheqjes aktuale flasin për zgjerimin e frontit opozitar. Megjithatë, mbetet e paqartë se cilat parti dhe organizata do të përfshiheshin në një bashkim të mundshëm dhe mbi çfarë platforme politike do të ndërtohej ai.
Debati ka marrë një dimension të ri pas komunikatës së nismës “Biseda për të ardhmen në 12:05”, e cila mbledh ish-funksionarë dhe funksionarë aktualë të LSDM-së që kundërshtojnë udhëheqjen e Filipçes. Duke iu referuar zhvillimeve politike në Serbi dhe Hungari, organizatorët vlerësojnë se qytetarët po humbin besimin te partitë tradicionale dhe po kërkojnë alternativa më të gjera demokratike.
“Edhe një herë u konfirmua se pa bashkimin e vërtetë të të gjithë opinionit progresiv demokratik opozitar është pothuajse e pamundur të mposhten pushtetet populiste të djathta në Ballkan”, thuhet në komunikatën e nismës. Thirrja nuk është e para nga kjo platformë. Që në shtator, përfaqësuesit e saj kishin kërkuar krijimin e një platforme qytetare dhe multietnike, ku LSDM-ja do të kishte rol të rëndësishëm, por kishin kushtëzuar ndryshimet me largimin e udhëheqjes aktuale të partisë.
THIRRJE PËR FRONT OPOZITAR EDHE NGA UDHËHEQJA E LSDM-SË
Ideja për bashkimin e opozitës nuk mbetet vetëm te krahu kritik. Më 21 tetor, nënkryetari i LSDM-së, Goran Gerasimovski, foli për mundësinë e krijimit të një fronti të gjerë kundër pushtetit aktual, në të cilin, krahas partive politike, mund të përfshiheshin edhe organizatat joqeveritare dhe shoqatat qytetare. Sipas Gerasimovskit, opozita duhet të kapërcejë ndasitë dhe të ndërtojë një qëllim të përbashkët politik. Ai vlerësoi se pakënaqësia me gjendjen ekonomike dhe mënyrën e qeverisjes krijon hapësirë për një organizim më të gjerë opozitar.
“Ne kemi parti opozitare, por kemi edhe organizata joqeveritare, kemi shumë shoqata që mund të përfshihen në proces, me qëllim që të kontribuojnë në mposhtjen e këtij pushteti të papërgjegjshëm”, deklaroi Gerasimovski në emisionin “Studioja e Natës” në 4TV.
Ai kishte bërë thirrje edhe më herët për pajtimin e palëve të përçara brenda LSDM-së, duke theksuar nevojën që dallimet të tejkalohen përmes dialogut. Megjithëse thirrjet e platformës “12:05” dhe të Gerasimovskit takohen te ideja e bashkimit opozitar, ato nuk janë identike. Platforma kritike kërkon ndryshimin e udhëheqjes së LSDM-së si pjesë të procesit, ndërsa Gerasimovski ka folur për konsolidimin e partisë dhe zgjerimin e bashkëpunimit politik.
KUSH DO TË ISHTE PJESË E FRONTIT?
Përtej thirrjeve për bashkim, një nga çështjet kryesore mbetet përbërja politike e një fronti të mundshëm opozitar. Dallimet ndërmjet subjekteve opozitare, veçanërisht për orientimin euroatlantik të vendit, nxjerrin në pah vështirësitë për ndërtimin e një platforme të përbashkët.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka theksuar se bashkimi i opozitës duhet të mbështetet në politika të qarta proevropiane, duke kushtëzuar bashkëpunimin me Levicën me ndryshimin e qëndrimeve të saj ndaj NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e platformës “Biseda për të ardhmen në 12:05” kanë shfaqur një qasje më të hapur ndaj bashkëpunimit opozitar, pavarësisht dallimeve politike. Njëri nga përfaqësuesit e kësaj platforme, Igor Ivanovski, ka deklaruar më herët se dallimet me Levicën janë të pamohueshme, por se ekziston një qëllim i përbashkët për krijimin e një fronti opozitar kundër pushtetit aktual. Këto qëndrime nxjerrin në pah qasje të ndryshme brenda vetë LSDM-së për mënyrën e organizimit të opozitës. Ndërsa udhëheqja aktuale insiston në përputhjen e orientimeve politike dhe strategjike, krahu kritik vë theksin te mundësia e bashkëpunimit më të gjerë kundër Qeverisë.
Në këtë kontekst, mbetet e hapur edhe çështja e raporteve me BDI-në dhe subjektet e tjera opozitare, për të cilat ende nuk ka një marrëveshje publike për veprim të përbashkët. Filipçe ka deklaruar se LSDM-ja nuk është pjesë e një opozite të bashkuar me BDI-në dhe Levicën, duke kundërshtuar mënyrën se si kryeministri Hristijan Mickoski i ka paraqitur këto subjekte në debatin për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
REFORMA ZGJEDHORE!
Platforma 12:05 kërkon edhe reformimin e sistemit zgjedhor përmes vendosjes së një njësie të vetme zgjedhore me lista të hapura, para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Debati për këtë reformë është tashmë pjesë e agjendës politike. Në fund të shtatorit, në grupin e punës për Kodin Zgjedhor u evidentuan mospajtime mes partive, ndërsa BDI-ja konfirmoi mbështetjen për një njësi zgjedhore. LSDM-ja nuk mori pjesë në atë takim, duke shprehur kundërshtime lidhur me propozimet për ndryshimin e legjislacionit zgjedhor.
Në këtë situatë, thirrjet për bashkimin e opozitës kanë hapur një debat që shkon përtej komunikatave partiake. Nëse synohet një front i gjerë politik, mbeten për t’u sqaruar përbërja, platforma dhe mënyra e bashkëpunimit, ndërkohë që LSDM-ja ende përballet me mosmarrëveshje për drejtimin e saj të ardhshëm. /Koha/




