Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), pas zjarrit tragjik në Koçani, ku humbën jetën 60 të rinj, thekson nevojën urgjente për përgjegjësi dhe respektim të standardeve më të larta, në mënyrë që të parandalohen tragjedi të tilla në të ardhmen, përcjell Nistori.
Sipas BDI-së, Mickoski, përmes arrestimeve të pabazuara të shqiptarëve, po përpiqet të nxisë tensione ndëretnike si mbulesë për dështimet e qeverisë dhe si mjet për të shkaktuar përçarje etnike.
“Është e qartë se, ndërkohë që individë të thjeshtë po përdoren si kurbanë, ata që mbajnë pozita të fuqishme – përfshirë ministra dhe drejtorë aktualë– vazhdojnë të jenë të lirë, pavarësisht përgjegjësisë së tyre të plotë për këtë tragjedi.
Ne i bëjmë thirrje Institucioneve:
1. Të mos veprojnë sipas “Ligjit të Mickoskit”, por të dëshmojë përkushtimin e saj për respektimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.
2. Të zhvillojë një hetim të thellë dhe transparent për tragjedinë në Koçani, të bazuar në prova, duke garantuar që personat realisht përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre politike.
3. Të përqendrohet në zgjidhjen e kërkesave legjitime të familjeve të të prekurve dhe të opinionit më të gjerë publik që kërkon drejtësi, për çka është e domosdoshme të hetohen në mënyrë të thelluar të gjitha faktet që çuan në këtë fatkeqësi që mori 60 jetë njerëzore – në mënyrë që një tragjedi e tillë të mos përsëritet kurrë më.”, kumtojnë nga BDI.
Nga BDI thonë se mbeten të përkushtuar ndaj drejtësisë, barazisë dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve dhe u bën thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave vendore të shoqërisë civile që t’i bashkohen thirrjes për një zgjidhje të drejtë dhe të paanshme të kësaj krize të imponuar njëanshëm, ku përgjegjësit e vërtetë po udhëheqin proceset dhe po përpiqen, përmes ndikimit të tyre, të shmangen nga përgjegjësia. /Nistori/