BDI i përgjigjet Toshkovskit për akuzat se një ish-kryetar komune i partisë është i përfshirë në incidentet e 28 nëntorit

    Në lidhje me akuzat e ministrit të MPB-së, Pançe Toshkovskit se pas se pas ngjarjeve në Shkup në ditën e 28 nëntorit dhe në Kumanovë kur u dogjën veturat dhe një fotokopje, kishte struktura të larta të BDI-së, ka reaguar pikërisht BDI. Sipas partisë, është ironike dhe e papranueshme që Toshkovski, i cili vazhdimisht ka treguar mungesë të plotë profesionalizmi dhe kredibiliteti, të bëjë akuza pa bazë dhe të përpiqet të devijojë vëmendjen nga dështimet e tij të vazhdueshme, shkruan Nistori.

    “Ky është i njëjti ministër që, një ditë para se të arrestohej një person me aftësi të kufizuara mendore si autor i djegies së makinave në Kumanovë, deklaronte publikisht se kishte “të dhëna operative” për një grup të sofistikuar të organizuar që qëndronte pas sulmit. Si mund të besohet një ministër që ka dëshmuar një paaftësi kaq të theksuar për të trajtuar situata të thjeshta dhe që vazhdimisht shpërndan informacione të pavërteta? Tani, ky i njëjti ministër guxon të bëjë deklarata të papërgjegjshme duke përfshirë një ish-kryetar komune nga BDI-së në organizimin e incidenteve të Ditës së Flamurit, pa asnjë provë konkrete, thjesht për të mbuluar dështimet e tij në menaxhimin e sigurisë publike dhe rritjen dramatike të kriminalitetit në vend. Kujtojmë qytetarët se ky ministër do të mbahet mend jo për sigurinë që ka ofruar, por për numrin e bandave që kanë marrë jetë në vend gjatë mandatit të tij. Qytetarët nuk duhet të mashtrohen nga manipulime të tilla të ulëta. Faktet flasin vetë: ky ministër ka treguar dështim të plotë për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve dhe për të ruajtur rendin publik. Ai nuk ka asnjë kredibilitet për të folur për çështje të tilla, aq më tepër për të akuzuar pa bazë njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me këto ngjarje”, deklarojnë nga BDI.

    BDI i bën thirrje ministrit që menjëherë të japë dorëheqjen, pasi ka humbur besimin e qytetarëve dhe kërkojnë që kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut të mbështesë iniciativën e BDI-së për interpelancë ndaj ministrit.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore Publike Shkup ka përfunduar procedurën dhe ka dorëzuar aktakuzë në gjykatën kompetente kundër gjithsej katër personave të cilët në ngjarje të ndryshme në ditët e kaluara kanë kryer veprime që përmbajnë elemente të veprës penale – Shkaktim i urrejtjes, përçarjes ose mostolerancës mbi baza nacionale, racore, fetare dhe të tjera diskriminuese nga neni 319 paragrafi 1 i Kodit Penal. Për të katërit, të cilëve u ishte caktuar masa e paraburgimit në procedurën paraprake, prokurorët publik kërkuan nga Gjykata Themelore Penale Shkup që t’ua vazhdohet paraburgimi. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    ShBA gati të mbyllë TikTok-un, ja çfarë ndodhi në Indi kur rrjeti social me 200 milionë përdorues u fik përgjithmonë

    Lajmi i rradhës

    Bullizmi në rrjetet sociale – Çfarë duhet të dimë dhe si mund të mbrojmë fëmijët?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë