Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sot në Tetovë ka mbajtur mbledhje të Kryesisë Qendrore të partisë, në të cilën kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend.
Para fillimit të mbledhjes, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, tha se zhvillimet e fundit janë akrobacione politike që sipas tij, janë të dakorduara në mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së. Ai gjithashtu tha se “i dijnë të gjitha detajet për marrëveshjet e tilla dhe se do të dalin publikisht”.
Ai madje tha se këto ngjarje mund të ndikojnë edhe në marrëdhëniet ndëretnike.
“Fronti Europian ka fituar zgjedhjet më 8 maj 2024. Fitorja e Frontit është vulosur më 8 maj. Të gjitha akrobacionet politike, marrëveshjet e fshehta nëpër podrume janë të papranueshme dhe janë të dënueshme. Sepse përbëjnë hap pas. Dhe asnjë hap pas nuk duhet të tolerohet por të gjitha palët duhet të reflektojnë. Ne i dimë të gjitha në detaje marrëveshjet në podrumet e kuqe, marrëveshjet politike, dhe në të ardhmen do të dalim në detaje për të gjitha marrëveshjet ku do t’i demaskojmë në opinion”, theksoi Ali Ahmeti.
Ai gjithashtu foli edhe për respektimin e Marrëveshjes së Prespës, ndërsa tha se nuk duhet të hapen fronte me vendet fqinje. Ahmeti tha se edhe brenda shtetit duhet kohezion mes shqiptarëve dhe maqedonasve, sepse siç theksoi, shteti është i përbashkët.
“Vendit, Republikës nuk i duhen deklarata të pamatura. Neve nuk na duhet të hapim front me Greqinë, ne nuk na duhet të hapim front me Bullgarinë, neve nuk na duhet të hapim front mes shqiptarëve dhe maqedonasve sepse shteti është i përbashkët. Ardhmërinë bashkë duhet ta ndërtojmë, stabilitetin, sigurinë, paqen sigurinë, bashkë duhet t’i ndërtojmë të gjitha . Dhe aspak partner tek ne nuk mund të ketë asnjë parti politike, kushdo qoftë komuniteti që të jetë, i madh apo i vogël, që ne proceset t’i kthejmë pas. Me rëndësi është që proceset të ecin përpara”, theksoi Ahmeti.
Ndërsa pas përfundimit të mbledhjes, Arbër Ademi tha se mbeten në qëndrimin e Ahmetit dhe se në të ardhmen partitë e koalicionit “Fronti Europian” do të vazhdojnë me takime.
“I përcjellim të gjitha zhvillimet politike, të njëjtat u diskutuan, përfshirë edhe inxhinieringut zgjedhor. Sa i përket prononcimit si parti politike, e tha kryetari Ahmeti dhe skemi çka të shtojmë, përpos asaj që në ditët në vijim do të kemi takime dhe konsultime edhe me partitë tjera të Frontit Europian”, tha Ademi.
I pyetur nga Nistori, se çfarë do të ndërmarrin në të ardhmen, ai përsëriti se do të vazhdojnë takimet me partnerët e koalicionit.
Ndryshe, sot KSHZ vendosi që të përsëritet votimi në shtatë vendvotime. Rivotim do të ketë në pesë vendvotime në njësinë e pestë zgjedhore, ndërsa në njësinë e gjashtë zgjedhore do të votohet vetëm në një vendvotim.
KSHZ gjithashtu vërtetoi mandatet e deputetëve në bazë të rezultateve nga zgjedhjet më 8 maj, ndërsa nëse eventualisht ka ndonjë ndryshim, deputetët e tjerë eventual do t’i publikojnë me konkluzion të posaçëm./Nistori/