BDI Tetovë: Sedat Sulejmani bën presione ndaj punonjësve arsimorë në Tetovë, Kasami mohon presionet

    Komunikata e plotë e BDI Tetovë për Nistorin:

    Politika duhet t’i mbajë duart larg institucioneve arsimore, por udhëheqësit e Komunës së Tetovës përkundrazi, shkollat dhe arsimin e shohin si sferë për pazare politike dhe rehatim të militantëve të tyre, që u premtuan shumë, por nuk u dhanë asgjë. Dëshmi më e mirë për këtë që e themi është ngjarja e fundit me ish-drejtorin e shkollës fillore Istikball, Zija Ademi, i cili dje e ka pohuar për mediat nacionale dhe rajonale se dorëheqjen e ka deponuar nën presion të madh politik nga përfaqësues të Komunës së Tetovës, duke e vërtetuar kështu edhe letrën e hapur të Ministrit të Arsimit Jeton Shaqiri.

    E pyesim publikisht Kryetarin e Komunës së Tetovës, se në çfarë cilësie e ka angazhuar Sadat Sulejmanin në Komunë, si shef inspektorati apo si njeri që bën presione ndaj punonjësve arsimorë për të zbatuar marrëveshjet politike me partnerët tuaj të koalicionit? Si guxoni që shkollat dhe pozitat më të rëndësishme në shkolla t’i shihni si vende punësimi dhe të ndërroni kuadrot çdo herë kur ju kujtohet ose ju kërkohet nga partneri i koalicionit?

    Presioni, kërcënimi, shantazhimi dhe mobingu në vend të punës janë vepra të dënuara me ligj, andaj nga këtu i bëjmë thirrje edhe organeve hetuese dhe ndjekëse që të hulumtojnë këtë rast, me qëllim që ata që bëjnë presion ndaj të punësuarve të përfundojnë aty ku e kanë vendin, e jo të i shfrytëzojnë insitucionet për qëllime të tyre të ulëta.

    “Nuk ka aspak presion”, Kasami mohon akuzat e BDI për dorëheqjen e drejtorit të shkollës “Istikball”

    “Bëhet fjalë për një rast politik, ministri i arsimit në dështimin e realizimit të obligimeve të tij ndaj qytetarëve për furnizim të nxënësve me libra dhe për të mbuluar shkurtimin drastik të mjeteve (buxhetit) për shkollat fillore të Tetovës. Nëse mendon ministri se me këto mjete mund të funksionojnë shkollat, atëherë le t’i marrin të gjitha shkollat në ingerenca, siç kanë marrë shkollën e mesme bujqësore dhe të shohim se si do t’i menaxhojnë”, shtoi Kasami.

    Sipas Kasamit po të kishte mundësinë më të vogël, shkakun më të vogël, ministri do t’i kishte marrë ingerencat ashtu si i ka marrë te gjimnazi “Kiril Pejçinoviq”. Kasami mohoi presionet politike ndaj drejtorit në dorëheqje në Istikball.

    “Jo, nuk ka aspak presion, sepse drejtori ka mundur mos të japë dorëheqje dhe këtë që e ka denoncuar në ministri ka mundur ta denoncojë dhe në këtë rast duke pasur parasyshë që ministria ka mundësi edhe Inspektorati Shtetëror është në kuadër të ministrisë, ka mundur të veprojë. Në këtë rast bëhet fjalë për një keqpërdorim klasik”, shtoi Kasami.

    Ditë më parë, ministri i MASh-it, Jeton Shaqiri postoi në FB letrën e kolegiumit arsimorë të Istikballit, të cilët i ankoheshin se po i bëhet presion politikë drejtorit në dorëheqje Zija Ademi nga Komuna e Tetovës. Ata i kërkonin ministrit që të hapet konkurs për drejtor, sepse drejtori në dorëheqje (Zija Ademi) i plotëson kushtet dhe është pajisur me licencë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    LEN: e liga e BDI-së nuk ka fund, në koordinim me partitë maqedonase godasin kryqendrat shqiptare

    Lajmi i rradhës

    Esat pashë Toptani nuk ua shiti Shkodrën malazezëve!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë