Shkupi jashtë planit të ri të Bashkimit Europian

    Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e përcaktimit të afateve orientuese për përmbylljen e fazave kryesore të negociatave të anëtarësimit për katër vende kandidate: Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë. Sipas raportimit të “Politico”, nisma synon të krijojë një rrugë më të qartë dhe më të parashikueshme drejt anëtarësimit, në një kohë kur procesi i zgjerimit po përballet me sfida të shumta politike dhe institucionale.

    Duke iu referuar dy zyrtarëve të lartë të Komisionit Evropian, mediumi raporton se në Bruksel po shqyrtohen udhërrëfyes që do të përcaktonin detyrimet e vendeve kandidate, por edhe përgjegjësitë e shteteve anëtare në procesin e negociatave.

    Dokumentet do të përmbanin afate orientuese për mbylljen e kapitujve apo grupeve të kapitujve negociues, me kusht që vendet të vazhdojnë reformat e kërkuara. Megjithatë, bëhet fjalë për propozime që synojnë ta bëjnë procesin më të parashikueshëm dhe jo për një garanci për anëtarësim në data të caktuara. Përparimi do të vazhdonte të varej nga përmbushja e kritereve dhe vendimet e nevojshme të shteteve anëtare.

    MAQEDONIA E VERIUT JASHTË UDHËRRËFYESVE

    Sipas raportimit të “Politico”, në fazën aktuale, udhërrëfyes të tillë nuk parashikohen për Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën. Jashtë kësaj nisme mbeten edhe Serbia, Turqia dhe Gjeorgjia, proceset e të cilave përballen me pengesa të ndryshme, përfshirë çështjet që lidhen me standardet demokratike dhe sundimin e ligjit. Lënia jashtë e Shkupit vjen në prag të vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në vendet e Ballkanit Perëndimor, në një moment kur Qeveria maqedonase kërkon ndryshim të qasjes së Brukselit dhe garanci për vazhdimësinë e procesit të integrimit.

    Në shtator, Von der Leyen kishte paralajmëruar mbështetje të synuar për vendet kandidate që kanë shënuar përparimin më të madh. Ndërkohë, në institucionet evropiane po diskutohet edhe për mënyrat se si zgjerimi i ardhshëm mund të shoqërohet me mekanizma që do të parandalonin bllokimin e politikave të përbashkëta të Unionit ose shmangien nga zotimet e marra.

    Në kontekstin e sfidave gjeopolitike dhe konkurrencës me fuqitë e tjera globale, zgjerimi po merr rëndësi të shtuar strategjike për BE-në. Megjithatë, sipas një dokumenti në draft, të cilit i referohet “Politico”, procesi mbetet i kushtëzuar nga reformat dhe kriteret strikte të anëtarësimit. Çështja e zgjerimit dhe reformat institucionale pritet të jenë pjesë e diskutimeve të liderëve evropianë në samitin e 15 tetorit në Bruksel.

    MICKOSKI KËRKON PËRFITIME KONKRETE PËR RAJONIN

    Në prag të vizitës së Von der Leyen, kryeministri Hristijan Mickoski kërkoi që qytetarët e Ballkanit Perëndimor të përfitojnë më shpejt nga procesi i integrimit evropian. Pas takimit me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, në Nju-Jork, ai theksoi nevojën për masa konkrete që do të afronin rajonin me Unionin edhe para anëtarësimit të plotë. Mickoski paralajmëroi se tensionet ndërmjet disa vendeve të rajonit mund të përshkallëzohen edhe për shkak të çështjeve që në dukje duken të vogla. Si hapa që mund të sillnin rezultate të shpejta, ai përmendi lehtësimin e problemeve me të cilat përballen transportuesit dhe mundësinë e vendosjes së roamingut pa pagesë për qytetarët e Ballkanit Perëndimor në vendet e BE-së.

    Ndërkohë, në një intervistë për MRT1, kryeministri përsëriti kërkesën që Bashkimi Evropian të përfshihet drejtpërdrejt në dialogun ndërmjet Shkupit dhe Sofjes. Sipas tij, prania e përfaqësuesve evropianë do të mundësonte që argumentet e të dyja palëve të dëgjoheshin në kuadër të përpjekjeve për zgjidhjen e kontestit bilateral. Mickoski theksoi se vendi nuk duhet të përballet me kushte që ndryshojnë vazhdimisht gjatë rrugës drejt anëtarësimit, duke kërkuar një proces më të parashikueshëm dhe siguri se përmbushja e obligimeve nuk do të pasohet me kërkesa të reja.

    FILIPÇE: NUK KA REZULTATE TË DUKSHME

    Nga opozita, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi se partia e tij do të mbështesë çdo zgjidhje që do të siguronte kushte më të favorshme negociuese për Maqedoninë e Veriut ose garanci se vendi nuk do të bllokohet sërish në rrugën evropiane. Megjithatë, Filipçe vlerësoi se deri më tani nuk ka rezultate të dukshme nga paralajmërimet e Qeverisë për përmirësimin e pozitës negociuese të vendit. Ai iu referua edhe deklarimeve të Von der Leyen për perspektivën e anëtarësimit të disa vendeve kandidate, duke vënë në dukje se në këtë kontekst përmenden Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia, por jo Maqedonia e Veriut.

    Deklarata e tij e vendos në pikëpyetje efektin konkret të përpjekjeve diplomatike të Qeverisë, në një kohë kur Shkupi kërkon garanci nga Brukseli për vazhdimin e procesit dhe zgjidhjen e pengesave që lidhen me kontestin me Bullgarinë. Vizita e Von der Leyen pritet të jetë një tjetër moment për të qartësuar qëndrimin e institucioneve evropiane ndaj perspektivës së Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, mbetet e hapur nëse kërkesat e Qeverisë për garanci dhe përfshirje më të drejtpërdrejtë të BE-së do të sjellin ndryshim konkret në dinamikën e integrimit evropian të vendit. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    MPB-ja mban orë edukative në shkollat e Dibrës për bullizmin dhe dhunën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë