Ministrat e Financave të Bashkimit Evropian i kanë miratuar hapat përfundimtarë që Bullgaria të bëhet anëtarja e 21-të e Eurozonës prej janarit të vitit 2026, përfshirë përcaktimin e kursit të këmbimit prej valutës bullgare lev në valutën euro.
Bullgaria do t’i bashkohet Eurozonës në fillim të vitit 2026 me një kurs këmbimi 1 euro për 1.95583 lev. Sofja tani i ka më pak se gjashtë muaj për t’u përgatitur për tranzicionin teknik.
Ministrat e Financave të vendeve të BE-së kanë dhënë muajin e kaluar mbështetjen formale që Bullgaria t’i bashkohet Eurozonës, marrë parasysh vlerësimet pozitive të Komisionit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane.
Vendimi është mbështetur edhe nga liderët e BE-së në një samit të mbajtur në Bruksel më 26 qershor.
Bullgaria ka bërë përpjekje që të kalojë nga valuta lev në euro, prej kur i është bashkuar bllokut evropian më 2007.
Mirëpo pas një pritjeje të gjatë, shumë shtetas të Bullgarisë e kanë humbur entuziazmin fillestar, dhe tani shkalla e skepticizmit për euron shkon në 50 për qind, sipas një sondazhi të kryer nga Eurobarometri në maj.
Disa bullgarë shqetësohen se ndërrimi i valutës do t’i rrisë çmimet.
Anëtarësimi i Bullgarisë në Eurozonë shënon zgjerimin e këtij grupi për herë të parë pas tre vjetësh, pasi Kroacia ka qenë e fundit që i është bashkuar atij në fillim të vitit 2023.
Pranimi i Bullgarisë në Eurozonë nënkupton se vetëm gjashtë shtete të BE-së, nga 27 në total, do të mbesin jashtë zonës me valutë të përbashkët: Suedia, Polonia, Republika Çeke, Hungaria, Rumania dhe Danimarka.
Asnjëra prej këtyre vendeve nuk kanë plane të menjëhershme për t’iu bashkuar grupit për arsye politike, apo sepse nuk i kanë plotësuar kushtet ekonomike. /REL/