BE: Kosova dhe Serbia t’i krijojnë kushtet për vazhdimin e dialogut

    Bashkimi Evropian (BE) i ka përsëritur kërkesat ndaj Kosovës dhe Serbisë për ndërmarrjen e hapave që u është kërkuar atyre për t’i krijuar kushtet për vazhdimin e dialogut, por nuk ka dashur të përmendë afate kohore se kur mund të ndodhë një takimi i nivelit të lartë në Bruksel.

    Këto qëndrime i ka shprehur për Radion Evropa e Lirë Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të jashtme dhe të sigurisë.

    “Puna në dialog po vazhdon. Ne e kemi përsëritur vazhdimisht javëve të fundit se ka një pritje të qartë nga ana e BE-së që palët t’i ndërmarrin hapat e definuar shumë qartë për deeskalim, dhe t’i krijojnë kushtet për vazhdimin e dialogut”, tha Stano.

    Më 10 korrik, Kosova dhe Bashkimi Evropian u pajtuan për disa hapa për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, përfshirë zvogëlimin e pranisë policore dhe organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

    Policia e Kosovës njoftoi më 4 gusht për zvogëlimin për 25 për qind të prezencës së oficerëve të vet në dhe rreth objekteve komunale në veri të Kosovës.

    Hapat drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës

    Marrëveshja ndërmjet BE-së dhe Kosovës për zbatimin e deklaratës së 3 qershorit 2023 të 27 vendeve të BE-së

    10 korrik 2023

    HapiVeprimiKoha
    1Qeveria e Kosovës deklaron publikisht gatishmërinë e saj për t’u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale.Java e parë
    2Policia e Kosovës kryen vlerësime të rregullta të sigurisë bashkë me EULEX-in, dhe me KFOR-in, sipas nevojës, për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të tërë pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale.Nga java e parë, në vazhdimësi
    3Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat nveriore, pas verës. Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.Nga java e parë, zbatimi sa më parë të jetë e mundur
    4BE-ja do t’i ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel, për finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt rrugës për normalizimin e marrëdhënieve, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes.Java e dytë
    Burimi: Qeveria e Kosovës

    Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog Miroslav Lajçak, po i vazhdon takimet me përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë për të përgatitur takimin e radhës në kuadër të dialogut. Ai e ka përmendur muajin shtatorë si afat kur mund të ndodhë takimi i radhës, por jo edhe ndonjë datë të saktë.

    Stano, po ashtu, ka refuzuar të përmendë data duke thënë se “do të shpallim datën për çfarëdo takimi të radhës të udhëhequr nga Përfaqësuesi i lartë kur të jetë e përshtatshme”.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian ka përsëritur edhe thirrjet për implementimin e shpejtë dhe pa vonesa të marrëveshjeve që kanë dalë nga dialogu.

    “Ne, po ashtu, kemi thënë shumë qartë se është e domosdoshme që dialogu i lehtësuar nga përfaqësuesi i lartë dhe implementimi i shpejtë i marrëveshjes për normalizimin e raporteve dhe aneksit për implementim, të bëhen pa ndonjë vonesë të re” theksoi ai.

    Për një periudhë të gjatë nuk ka pasur takime në nivelin e lartë në kuadër të dialogut.

    Herën e fundit kur Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ishin në Bruksel ishte 22 qershori, por as atëherë ata nuk patën takim mes vete.

    Në BE pohojnë se synojnë që tash situate të normalizohet në veri dhe që palët të evitojnë çdo veprim i cili mund të shkaktojë tensione të reja dhe në këtë mënyrë të ndikojë negativisht edhe në procesin e dialogut. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Pekevski: Ndryshimet kushtetuese nuk janë pengesa e vetme për anëtarësim në BE, por edhe korrupsioni

    Lajmi i rradhës

    Osmani: Kosovës të mos i bëhet trysni në dialog, derisa Vuçiqi fle mbi varreza masive

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë