BE “vëzhgon me kujdes” rolin e Kinës në Ballkan

    Bashkimi Evropian e ka identifikuar Kinën si “partnere për bashkëpunim” në njërën anë, por edhe si “konkurrente ekonomike”, në anën tjetër. Në aspektin politik, Pekini është vlerësuar si “kundërshtar sistematik”.

    Të gjitha këto epitete diplomatët evropianë i përmendën për Kinën pas samitit të 23-të BE-Kinë që u mbajt më 1 prill përmes video-lidhjes.

    Samiti i fundit midis BE-së dhe Kinës u dominua me temën e luftës së Rusisë në Ukrainë. Kjo pasi kjo luftë ka pasoja më të gjera dhe BE-ja po tenton që ta detyrojë Kinën që edhe nëse nuk i mbështetë sanksionet ndaj Rusisë, të mos e ndihmojë Moskën që t’iu shmanget sanksioneve dhe të mos i dërgojë ndihmë ushtarake.

    Përkundër interesave që Kinën, si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ta mbajë të angazhuar në kërkim të paqes dhe ruajtjen e rendit botëror, BE-ja e sheh megjithatë si konkurrente në shumë fusha. Një prej rajoneve ku BE-ja viteve të fundit ka parë ka parë rritje të ndikimit të Kinës është edhe Ballkani Perëndimor.

    Diplomatët në BE pohojnë se edhe pse në aspektin politik angazhimi i Kinës nuk është aq i dukshëm sa i Rusisë apo Turqisë, megjithatë ai është në rritje dhe kjo kërkon një kujdes edhe nga ana e bllokut evropian.

    Aktualisht, fokusi kryesor i BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është për të parandaluar që lufta në Ukrainë të ndikojë në destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Por, edhe roli i Kinës në rajon po vëzhgohet me kujdes nga Brukseli. Kjo është edhe një arsye shtesë pse disa shtete anëtare të BE-së kanë bërë thirrje që të përshpejtohet procesi i zgjerimit sepse me hezitimin e Bashkimit Evropian, sipas tyre, është krijuar hapësirë për ndikime të faktorëve tjerë të huaj në rajon.

    Ndikimi i Kinës në Ballkanin Perëndimor viteve të fundit ka ndodhur përmes projekteve të mëdha infrastrukturore, ku Pekini përmes kompanive të tij të afërta, është paraqitur ose si zbatues ose financues i projekteve. Por, diplomatët evropianë, thanë se “kanë vërejtur edhe angazhimin e Kinës në fushata në media që shpesh kanë përhapur kritika për angazhimin e Perëndimit dhe vlerave perëndimore”.

    Ndonëse ndikimi më i madh në këtë drejtim është vërejtur në Serbi, ai nuk është kufizuar vetëm në këtë shtet. Bashkimi Evropian nuk e ka të lehtë të angazhohet publikisht kundër ndikimit të Kinës në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo pasi edhe vet shtetet anëtare të BE-së kanë projekte të shumta të përbashkëta me Kinën.

    Një firmë nga Kina është duke e ndërtuar urën në gadishullin Peljeshac në Kroaci, projektin më të madh në këtë shtet të financiar nga Bashkimi Evropian. Pra, Kroacia i ka dhënë punën një kompanie kineze për një projekt që e paguan Bashkimi Evropian. Vite më parë Greqia ia kishte shitur Kinës portin në Pire. Edhe Mali i Zi dhe Hungaria kanë projekte me Kinën.

    Tregtia mes Kinës dhe BE-së kapë hiç më pakë se 2 miliardë euro në ditë. Në vitin e fundit, në BE janë importuar mallra nga Kina në vlerë prej 472 miliardë eurosh, ndërkaq blloku evropian ka eksportuar në Kinë mallra në vlerë prej 223 miliardë eurosh.

    “Ne jemi të hapur për bashkëpunim tregtar me Kinën. Nuk kemi asgjë as kundër angazhimit të Kinës në projekte në Ballkanin Perëndimor. Por, duam që në këtë fushë të jemi të barabartë, të vlejnë të njëjtat rregulla, pra, sikur që vlejnë rregullat në Evropë për kompanitë kineze të vlejnë edhe në Kinë për kompanitë evropiane”, thanë në BE.

    Sa i përket Ballkanit Perëndimor, në Bruksel thanë se “Kina preferon të bëjë kontrata dypalëshe me shtetet, e jo të marrë shumë pjesë në tenderime publike sipas standardeve evropiane”.

    Për Brukselin janë shqetësuese gjetjet e disa organizatave të shoqërisë civile që kanë thënë se në shumë projekte të realizuara nga Kina, nuk janë respektuar të drejtat e punëtorëve, apo nuk janë respektuar standardet e ruajtjes së mjedisit.

    Sa i përket fushës së mediave, shembulli i përballjes me pandeminë COVID-19 dhe vaksinimi kanë qenë një mësim i mirë edhe për vetë BE-në. Pavarësisht se BE-ja ka dhënë më së shumti ndihmë për shtetet e Ballkanit Perëndimor, përshtypja e krijuar në media, veçmas në Serbi, ka qenë se Kina ka ndihmuar më shumë.

    Në BE nuk kanë dyshim se Kina si partnere kryesore në aspektin politik në rajonin e Ballkanit Perëndimor e ka Serbinë, por shtrirjen në këtë rajon përmes tregtisë dhe projekteve të ndryshme nuk e ka të kufizuar vetëm në këtë shtet.

    Për shembull, edhe pse në Serbi është përshtypja se Kina ka raporte shumë më të mira me Beogradin, eksporti dhe importi i mallrave midis Kinës dhe Shqipërisë është i njëjtë me atë midis Kinës dhe Serbisë, nëse bëhet krahasimi me nivelin e përgjithshëm të importit. Të dyja këto shtete kanë 9 për qind import me Kinën dhe 2 për qind eksport.

    Nivel të ngjashëm të shkëmbimit tregtar Kina ka edhe me vendet e tjera të rajonit. Edhe pse Pekini nuk e njeh Kosovën si shtet, Instituti holandez Clingendael, vlerëson se Kosova importon nga Kina 10 për qind të importit të përgjithshëm, që është niveli më i lartë i importit krahasuar me vendet e rajonit.

    Bashkimi Evropian është investuesi më i madh në të gjitha shtetet e rajonit dhe ka shkëmbim më të madh tregtar me këto vende sesa Kina. Por, përderisa BE-ja donimon si partnere kryesore tregtare, Kina ka arritur të tejkalojë parterët e tjerë tradicionalë, si Rusinë dhe Turqinë.

    Sa i përket çështjeve të sigurisë, diplomatët në Bruksel thanë se ndikimi i Kinës, pak a shumë, është i kufizuar në shkëmbimin me Serbinë dhe entitetin e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë. Por, më gjerë në rajon nuk ka pasur shumë ndikim pasi Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë anëtarë të NATO-s, ndërsa Kosova nuk ka raporte formale me Kinën. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Në luftën e Putinit kundër Ukrainës, Perëndimi po i fiton betejat ekonomike

    Lajmi i rradhës

    DY PALË ZGJEDHJE NË VOJVODINË

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë