Bëhet apo nuk bëhet Shqipëria…?

    XHEVAT MUSTAFA 

    Prej dekadash është men duar, thënë e shkruar shprehja “Shqipëria bëhet!”. Për fatin e keq dhe për meritë apo faj të shumicës së shqiptarëve, nënkuptohet të atyre që për mbi 78 apo 65 vjet kanë votuar vetëm për “të majtën” dhe kanë mbështetur partinë e zemrës me 3 emra, deri më sot, Shqipëria jonë perlë nga ZOTI dhe natyra, nuk është bërë, ashtu siç e kemi dëshiruar dhe e duam!

    Domethënë, nuk është bërë prej nesh shqiptarëve as Itali, as Greqi, as Zvicër, as Gjermani e Francë, as Finlandë, Suedi e Norvegji, as Austri, as Kroaci…! Duke vështruar përtej Evropës, duke pasur edhe liqene e dete nën tokë me naftë e gaz, krom, bakër, ar…, nuk është bërë as Arabi Saudite, Katar, Dubaj, Singapor, Australi, Japoni, Kore e Jugut, as Amerikë e Kanada! Shkaktarët, fajtorët dhe përgjegjësit si dhe “koret që dirigjohen” prej tyre, arsyen, shkakun, të keqen, që Shqipëria nuk është bërë, pra që ka mbetur po në vendet e fundit në Evropë për zhvillim dhe mirëqenie, nuk e shikojnë te koka e partive të tyre dhe e vet, si krim kombëtar, si dështim e turp të tyre, por te bota.

    Është fakt historik, i përjetueshëm dhe i hidhur se të paktën qysh nga 28 nëntori 1912, nga ne shqiptarët është “harruar” dhe vazhdon të “harrohet” apo “fshihet” se sa e çfarë gjëmash i kemi bërë me kokat dhe duart tona Shqipërisë! Domethënë, është “harruar dhe harrohet” pse Shqipëria nuk është bërë deri më sot, siç kemi dëshiruar me fjalë, edhe pse është një nga vendet më të pasur në Evropë për “thesare” nga nën dhe mbi toka dhe për një kontingjent specialistësh elitarë dhe shkencëtarësh tepër të suksesshëm, të vlerësuar dhe nderuar nëpër vende më të zhvilluar, sidomos të Perëndimit. Për të keqen tonë si popull, përgjithësisht, këtyre nuk u është hapur vend i denjë pune në atdhe nga tufat e diplomablerësve dhe militantëve partikakë, me aftësi dhe merita të veçanta, sidomos për votavjedhje e votablerje…?!

    Për të gjitha këto arsye e shkaqe, më shumë të brendshme, nga vetvetja se të jashtme, edhe pas mbi 78 vitesh qeverisjesh komunisto-socialistedemokratike amatoreske, dështake, të korruptuara, çnjerëzore, jo sociale e jo fort SHQIPTARE mendojmë, themi dhe shkruajmë shprehjen, dëshirën, shpresën, ëndrrën, fatkeqësisht të mjegullta apo të largëta si kohë, “Shqipëria bëhet!? Sipas vizionit tim subjektiv, mund të them apo shprehem SHQIP: Shqipëria nuk bëhet SHQIPËRI me këtë klasë politike, qeverisëse të pandërgjegjshme, të paaftë për qeverisje moderne dhe të ndershme, me njerëzillëk dhe shqiptari të pakët e të vakët! Nuk bëhet me këtë shumicë politikanësh, deputetësh, pushtetarësh, zyrtarësh… që i shikojnë postet dhe karriget e punës jo si vende për t’i shërbyer sa më shumë e më mirë popullit dhe vendit, atyre që i kanë votuar, por vetvetes, familjeve, kushërinjve, krushqive, miqve, ortakëve, oligarkëve…

    Mjafton të kujtojmë shumë abuzime me postet dhe pushtetet, plot skandale korruptivë dhe pasurimin sheikor apo si të pashallarëve, të shumicës së klasës politike dhe qeverisëse në Shqipëri për t’u bindur për këtë të vërtetë lakuriqe, “zhveshur” para syve dhe nën hundën e shumicës së popullit. Ndryshe nga sa pritej dhe ndodh në shumicën e vendeve me POPUJ dhe DEMOKRACI, reagimi e protestimi qytetar apo popullor për skandalet e shkuar e të tanishëm është masivisht i pakët dhe për nga “temperatura”, i vakët…!?

    Po sipas vizionit dhe gjykimit tim subjektiv, Shqipëria nuk bëhet sidomos edhe me këtë shumicë populli “të dehur” e “të droguar” nga një patriotizëm fjalaresk e me superlativa pa sens mase euforie dhe besueshmërie, “të skllavëruar” nga gjase e majta, më saktësisht “vullnetarisht të vetëskllavëruar” e vetënëpërkëmbur prej saj! Por, edhe që si një fëmijë mashtrohet dhe lumturohet, kur edhe pas mbi 78 vitesh zhgënjimesh e pësimesh e ha sapunin për djathë. Për më tepër e më keq, deri aty sa edhe një “bum turistik” falë dy deteve, natyrës dhe motit, domethënë ZOTIT si dhe vizionit individual dhe perspektiv, iniciativës, sakrificave të disa pronarëve kompleksesh dhe hotelesh, me kulturë turizmi më bashkëkohore; apo edhe një kryesim në organizata botërore me rrotacion 6, 12, 24-mujor e vlerëson, beson, pandeh, ashtu siç ia servirin, si meritë, vlerësim, sukses e fitore të qeverisë dhe personalisht të kryeministrit…!?

    Shqipëria nuk mund të bëhet me partiakë të verbër dhe militantë, me patronazhistë, që për parti dhe kryetar i bëjnë kundërshtarëve dhe vendit të 99- tat, që jo pak prej tyre janë vënë në poste drejtuese me dëftesa shkollash të mesme dhe diploma universitetesh të blera, me vite nëpër burgje dhe trotuare të vendeve të afërt e të largët! Por, nuk bëhet as edhe nga ata që, edhe kur kanë diploma universitetesh të huaja, vijnë në Shqipëri dhe vihen nga miq deputetë, pushtetarë, partiakë dhe me zarfe, në detyra, ku jo vetëm u pikojnë, por u rrjedhin rrëke përfitime të mëdha financiare e në pasuri të patundshme, në formë apartamentesh, vilash, pallatesh, veturash luksoze, paketash turistike 7-10-ditëshe familjare… ose me sekretare dhe dashnore…

    Shqipëria nuk mund të bëhet lehtë dhe shpejt me ca shqiptarë që shkojnë krahëhapur si “skifterë, korba, sorra…”. nga frynë era e pushtetit, përfitimit dhe interesit; e lejeve të ndërtimit, tenderëve, koncesioneve, PPP-ve; e posteve të mirë për një njeri të familjes, për një kushëri të afërt e të largët; për një mik dhe mikeshë, për një ortak të hapur e të fshehtë…!?

    Edhe shprehja “O sa mirë me qenë shqiptar!” ka hapësirë të bollshme për debat, duke u thelluar më shumë për të gjetur ato të këqija, me të cilat më tepër na dëmton se na bën mirë. Ajo është shprehje e një doze të lartë fryrjeje apo krenarie kombëtare të tepruar, deri në racizëm të pajustifikueshëm, të papranueshëm, qesharak…! Po pse, është më mirë me qenë shqiptar se me qenë zviceran, gjerman, holandez, belg, danez, nordik, britanik, neozelandez, australian, japonez, amerikano-verior, kanadez…?!

    Çfarë kemi më shumë ne shqiptarët nga këta, përveç disa të mirave natyrore, “dhurata” nga ZOTI, fati, vendndodhja gjeografike…? Në të kundër, kemi plot të këqija që nuk i kanë këta popuj dhe vende me nivele të larta zhvillimi, mirëqenie, shteti ligjor e social funksional, demokracie… Për ekipet politike dhe qeverisëse, qoftë edhe në një ditë të largët, mund të kemi një fije apo tufë fijesh shpresë për ripërtëritje(jo “rilindje edramiste”), sidomos në përbërje, mendësi, SHQIPTARI, emancipim politik dhe demokratik…

    Ndërsa me popullin, ka shumë gjasa që do të na ngecë shumë gjatë e thellë sharra në gozhdë!? Sepse, sidomos “popullin e majtë” e tërheq sharra fort dhe zvarrë nga vetja, sepse mendon vetëm për xhepat dhe pasurimin e vet; për flakët, prushin, tymin e oxhakut të vet!? Domethënë, vetëm që të jetë mbi kalin e zi të pushtetit përjetësisht partia dhe kryetari i zemrës së vet…!? Meqenëse nuk mund ta ndërrojmë këtë popull na mbetet e vetmja alternativë apo rrugë e mundësi: t’i mbajmë më shumë sytë dhe shpresat te ZOTI në qiell!

    Me humor: na mbetet teorikisht edhe alternativa ta ndërrojmë shumicën e popullit! Po me cilët popuj? Francezët, zviceranët, gjermanët, austriakët, holandezët, belgët, danezët, nordikët, spanjollët, italianët, britanikët…mund të pranojnë të vijnë në Shqipëri vetëm si turistë, për 1-2 javë gjatë 3 muajve të verës e jo të zëvendësojnë shqiptarët për gjithmonë. Kështu që na mbetet ta bëjmë këtë ndërrim popujsh me srilankasit, bangladeshasit, afganët, iranianët, kazakistanasit, nigerianët, somalezët, kongolezët, gabonianët…

    Në përfundim, gjithnjë sipas gjykimit tim subjektiv dhe me dozë të fortë skepticizmi, Shqipëria nuk bëhet, sidomos për arsyen se këtë nuk e dëshirojnë, nuk e lejojnë, e pengojnë me të gjitha forcat, faturat, rrugët, edhe me mercenarë shqiptarë në përbërje të kryesive politike dhe qeverisëse në Tiranë, serbët, grekët, rusët, Xhorxh dhe Alex Soros me “ushtrinë” e tyre ligjore dhe ilegale… si dhe ca armiq të vjetër e të rinj, të dukshëm e të padukshëm, të njohur e të vështirë njofshëm…!

    Duke dhënë një afat, më shumë për të rritur dozën e pakët të optimizmit masiv e duke shprehur tolerancë, ndoshta Shqipëria bëhet më 29 nëntor 2044! Domethënë, kur të mbushen 100 vjet pas ardhjes nga fshatrat për të mbush zyrat e partisë e të shtetit të Enver Hoxhës, të dhjetëra mijëra partizanëve, si dhe të bijve e bijave, nipërve dhe mbesave të tyre, shumica analfabetë ose me arsim të pakët, me nivel dhe kulture jetese të ulët!

    Ndoshta, përjetimi i kësaj “mrekullie” mund të vërtetoje edhe një shprehje me dozë lokalizmi e racizmi që qarkullon prej një kohe të largët në qytetet e Shqipërisë së mesme, se “katunarëve u duhen, e pakta 100 vjet me u ba qytetar…”! Kuptohet, duke uruar dhe shpresuar se deri atë ditë trashëgimtarët e gjallë të ish partizanëve që zbritën në Tiranë dhe qytete të tjerë, bashkë me ata nga fshatrat dhe qytetet e Zonës së Parë Operative dhe të zonave të tjera si dhe “të majtët” qytetarë denbaden të blerë nga Enveri, Ramizi, Fatosi, Edi… me poste, vende pune dhe përfitime të tjera individuale dhe familjare, të jenë çliruar nga variantet dhe viruset e gjase të së “majtës shqiptare” dhe të mentalitetit fshataresk, për të cilat feja, ideali, besa, tesera, vota, pasaporta… janë ndër mallrat më të lira, me të cilat mund të bëhet biznes tejet fitimprurës…!

    Pra, të jenë bërë QYTETARË dhe DEMOKRATË me nivel emancipimi jetësor, mendësor, kulturor dhe edukimi politik e demokratik evropiano-perëndimor, që nuk shiten dhe blihen lirë… /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    A mund të konsumoni gjalpë nëse keni diabet?

    Lajmi i rradhës

    “Moska nuk është Rusia”: Një mësuese dokumenton për një vit jetën në Siberi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë