Bekteshi: Në zgjedhjet e ardhshme BDI do të jetë lider në bllokun politik shqiptar

    Në zgjedhjet e ardhshme BDI do të jetë lider në bllokun politik shqiptar dhe sipas analizave të fundit mund të jetë partia e dytë në nivel shtetëror, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, i cili është anëtar i kryesisë qendrore të BDI-së. I pyetur nëse mosmarrëveshja brenda partisë mund të ketë ndikim, ai thotë: “Kemi shembuj të tillë që nga themelimi në vitin 2002. Kjo ndodh në të gjitha partitë politike. Më e rëndësishmja është që misioni, programi, ideja, vizioni i BDI-së të përkthehet në programe dhe projekte qeveritare për të mirën e qytetarëve, prandaj edhe mbështetja për BDI-në po rritet dhe kështu do të jetë me siguri edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, thotë Bekteshi.

    Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, foli edhe për vendimet e qeverisë për tatimet. Thotë se instalimi i kazanave me pelet është investim efikas i energjisë. Këtë ai e thotë një ditë pas shpalljes së legjislacionit tatimor të qeverisë, i cili do t’i taksojë furrat për pelet dhe peletet me 18 për qind, në vend të 5-ve që ishte më parë. Bekteshi nuk ka dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë në pyetjen se cila është logjika e kësaj pjese të reformës tatimore pasi deri vitin e kaluar Ministria e Ekonomisë jepte subvencione për kazane me pelet. Një vit më parë, Maqedonia e Veriut dhe Greqia nënshkruan një marrëveshje për ndërtimin e një interkonjektor për gazin natyror – një projekt që duhet të fillojë ndërtimin. Bekteshi tha se kanë përfunduar të gjitha procedurat, përfshirë edhe procedurën për mbikëqyrjen e projektit dhe së shpejti do të shpallet procedura e tenderit për ndërtimin e tij. Kur do të jetë, nuk saktësoi minsitri. Bekteshi tha në intervistë se çmimet e bukës, vezëve, orizit, qumështit dhe të gjitha ato që janë nën kategorinë e produkteve ushqimore bazë nuk janë pjesë e reformës tatimore. Përkundrazi, ai thotë se deri në fund të vitit inflacioni për këto produkte do të jetë më pak se 5 për qind.

    Ndërkaq, Kreshnik Bekteshi në fjalimin e tij në Konferencën “Ballkani Perëndimor, theksoi se Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të rëndësishëm në procesin e dekarbonizimit, dhe se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është një transformim i gjelbër dhe rritje e investimeve në burimet e rinovueshme të energjisë. Pavarësisht krizës energjetike që preku jo vetëm Maqedoninë e Veriut, por edhe mbarë botën, zhvillimi dhe investimet në sektorin energjetik janë një nga prioritetet kryesore të Qeverisë, me synim kryesor sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji, si dhe lëvizjen drejt një ekonomie të gjelbër. Në vitet e fundit, Qeveria bëri disa reforma në sektorin e energjisë, me të cilat filloi procesi i dekarbonizimit, tha ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi në fjalimin e tij në Konferencën “Ballkani Perëndimor: Bashkëpunimi transatlantik dhe rajonal – ndërtimi i aleancave të forta” e cila u mbajt dje në Uashington.

    Ministri Bekteshi foli në panel diskutimin me temë: Diversifikimi i Energjisë: Drejt Pavarësisë Energjetike Evropiane, ku u diskutuan sfidat me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e dekarbonizimit dhe promovimit të burimeve të rinovueshme të energjisë. Në fjalën e tij, ministri theksoi se nevoja për transformim energjetik në Ballkanin Perëndimor, që nënkupton dekarbonizimin dhe rritjen e investimeve në burimet e rinovueshme të energjisë, është një nga prioritetet më të mëdha, veçanërisht në kontekstin e krizës energjetike.

    Lajmi Paraprak

    Rishikimi i buxhetit në shtator  

    Lajmi i rradhës

    Lloga sfidon institucionet në RMV me shembuj të Kroacisë për certifikatën e lindjes

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë