Është shënuar rritje e vajit për ushqim dhe ka mungesë të sasisë së tij.
Për këtë është pyetur ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Ai thotë se krahas masës për uljen e TVSh-së për produktet bazë ushqimore, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dikasteri ekonomik është duke punuar në krijimin e masave të tjera – të cilat siç tha Bekteshi, kanë për qëllim të zbusin presionin në pjesën e rritjes së çmimeve.
“Sigurisht se po bëjmë edhe masa të tjera në pjesën e verifikimit të sasive të caktuara, të cilat nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë do të mund të subvencionohen prodhuesit tanë. Sa i takon vajit, ne jemi në komunikim të rregullt me prodhuesit tanë, prodhues vendor të cilët janë tre. Duke e pasur parasysh se ka rritje të bursës së vajit dhe për këtë ka rritje të caktuara të çmimeve. Më e rëndësishmja në këto momente është ajo se në Maqedoninë e Veriut nuk ka problem në pjesën e furnizimit dhe prodhimit të vajit për ushqim. Sa i takon masave të tjera, i ndjekim rregullisht dhe nëse është e nevojshme ne do të miratojmë masa të reja me qëllim që të zbusim presionin në pjesën e rritjes së çmimeve”, tha Bekteshi.
Qytetarët kanë reaguar se disa supermarkete edhe pse kanë sasi të mjaftueshme të vajit, nuk e ekspozojnë të njëjtin për t’i shërbyer konsumatorët. Ngjashëm ndodh edhe me furnizuesit e vajit për supermarketet.
Duke komentuar këto dukuri, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi bëri të ditur se kjo është në kundërshtim me ligjin dhe se Inspektorati Shtetëror i Tregut nëse konstaton diçka të tillë, do të ndërmarrë masa.
“Në rast se vaji ruhet si rezervë, kjo është në kundërshtim me vendimin dhe në kundërshtim me ligjin për mbrojtje të konsumatorëve, dhe sigurisht se Inspektorati Shtetëror i Tregut ka të drejtë ligjore të bëjë kontroll dhe të sjellë masa përkatëse”, tha Bekteshi.
Ai siguroi se ka mjaftueshëm vaj dhe se nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë shikohen mundësi për subvencionim të kompanive prodhuese të tij.