Kriza energjetike rikthen qymyrin

    Tronditja në bursat botërore e çmimit të naftës, si dhe vështirësitë e furnizimit me gaztë shkaktuar nga lufta në Ukrainë – kanë rikthyer vëmendjen e autoriteteve vendore ndaj një shfrytëzimi më të madh të rezervave vendore të qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike

    Kriza energjetike shtetit i ka kushtuar vetëm në periudhën e kaluar me qindra miliona euro për të zbutur goditjen e çmimeve të energjisë elektrike. Mirëpo tronditja në bursat botërore e çmimit të naftës, si dhe vështirësitë e furnizimit me gaz , të shkaktuar nga lufta në Ukrainë kanë rikthyer vëmendjen e autoriteteve vendore ndaj një shfrytëzimi më të madh të rezervave vendore të qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike nga impiantet vendore.

    ZHIVOJNO KTHEHET NË LOJË

    “Kriza ka ngritur nevojën edhe për shfrytëzimin më të gjatë të minierave, kështu që investojmë në mihje të reja vendore, përmes minierës Zhivojno në termocentralin e Manastirit dhe asaj Gushterica në termocentralin e Osllomesë .Por duhet marrë parasysh se në rezultatet në energjetikë vijnë për një periudhë më të gjatë, dhe efektet e asaj që sot punohet në energjetikë do të shikohen për tre deri pesë vite”, thotë drejtori i Elektro-Ekonomisë së Maqedonisë, Vasko Kovaçevski. Sipas tij, tani gjendemi para sfidave të reja me krizën energjetike dhe me sezonin e ardhshëm të ngrohjes. Nga ana tjetër, para çdo procesi zgjedhor , por edhe me shtrenjtimin e rrymës nga importi, në vend ringjallen debatet për mënyrën e prodhimit të rrymës në vend, nga qymyri apo burimet e rinovueshme të energjisë elektrike, si uji, era dhe dielli. Në periudhën parazgjedhore në shkurt të vitit 2020, nga VMRO-DPMNE janë angazhuar për hapjen e minierave në Zhivojno dhe Mariovë si një nga mënyrat që të rritet prodhimtaria e rrymës në termocentralin e Manastirit. Edhe para vitit të ri nga VMRO kanë theksuar se në vend të importit të shtrenjtë të qymyrit nga jashtë më mirë do të ishte që të realizohet projekti i hapjes së mihjes së Zhivojno , ndërsa në vend se të planifikohet mbyllja e termocentralit të Manastirit më mirë do të ishte vetëm të ndërrohen filtrat dhe të zgjidhet problemi me ndotjen. Këto miniera premtohej se do të hulumtohen që dhjetë vite më parë, mirëpo nuk janë hapur as sot e kësaj dite.

    PROJEKT I VJETËR

    Në vitin 2013 përflitej edhe për ndërtimin e një termocentrali të ri në Zhivojno apo Mariovë, ndërsa parashikohej edhe hapja e minierave me eksploatim në nëndheshëm. Analizat e atëhershme të Institutit ndërtimor të Maqedonisë për nevojat e Elektranave të Maqedonisë treguan se në pjesën e bazenit të Pelagonisë në Zhivojno ekzistojnë rezerva gjeologjike prej 101 milionë tonë qymyr. Vlerësohej se në minierën Zhivojno duhet të investohen 100 milionë euro, ndërsa në vit pritej të nxirren midis 2.5 dhe 3 milionë tonë qymyr, si dhe të ndërtohet një termocentral i ri me kapacitet prej 200 deri 300 megavat, që do të prodhonte 2000 gigavat orë në vit. Cilësia e qymyrit vlerësohej e njëjtë me atë të minierës Suvodoll që tani furnizon Termocentralin e Manastirit por që ngadalë po shteron me kapacitetet e saja. Njëherësh analizat kanë treguar se miniera e re do të ketë kapacitet për mihje prej së paku 20 vitesh.

    Në ndërkohë autoritete në vend vlerësojnë se kriza energjetikë në tërë Evropën jo vetëm që ka ritheksuar rëndësinë e madhe të pavarësisë energjetike, strategjive energjetike që i nënshtrohen edhe aspekteve gjeostrategjike por edhe ka vendosur në spikamë edhe investimet në energjetikë të qeverive gjatë përgatitjes së buxheteve. Numri një i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski, thotë se Evropa dhe tërë Ballkani janë treguar të prekshëm ndaj energjenseve, dhe rritjes së madhe të kostos së rrymës , gazit dhe naftës në bursat botërore. Duke shtuar më tej se asnjëherë më nuk do të kthehemi në nivelet e çmimeve të mëparshme të energjenseve, andaj nevojitet që më shumë vëmendje ti kushtohet si investime në energjetikë, ashtu edhe shfrytëzimit më racional të energjenseve. “Të gjithë dëshirojmë që në mënyrë më energjike ti qasemi dekarbonizimit, që sjell ambient më të pastër, mirëpo po ndeshemi me një situatë absurde, kur po kthehen në përdorim impiantet e qymyrit në tërë Evropën, për shkak se mungonte energjia si rrjedhojë e shkaqeve gjeopolitike. Pra, po kthehemi tek thënia se energjia që nuk e kemi apo që mungon, është energjia më e shtrenjtë”, thekson Bislimovski.

    GJERMANIA RIAKTIVIZON TERMOCENTRALET ME QYMYR

    Gjermania po shqyrton pezullimin e planifikuar të mbylljes së termocentraleve me qymyr, si pjesë e një pakete masash për të reduktuar varësinë nga energjia ruse dhe për të lehtësuar barrën e çmimeve të larta të energjisë. Ndonëse qeveria mbetet e angazhuar për një plan për heqjen e qymyrit deri në vitin 2030, në planet gjermane thuhet se shtyrja e mbylljes së termocentraleve me qymyr do të ishte në funksion të uljes së konsumit të gazit në prodhimin e energjisë elektrike.

    Gjithashtu përderisa Gjermania mbyll reaktorët e saj të fundit bërthamorë, ajo po riaktivizon gjithashtu termocentralet e vjetra të qymyrit për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike mes kërcënimeve ruse për të mbyllur rubinetin e gazit. Në ndërkohë, Britania e madhe ka paralajmëruar se mund të ndërtojë 6 deri 7 centrale bërthamore deri në vitin 2050, në kuadër të ekspanzionit të energjisë vendore pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

    Lajmi Paraprak

    Njerëzit në RMV nuk blejnë sikurse më përpara, shtrenjtimet kufizojnë qytetarët

    Lajmi i rradhës

    Bekteshi tregon pse po shtrenjtohet vaji | Paralajmëron supermarketet të mos e fshehin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë