Berisha – Janevskës: më parë librat sillni, ministre, më pas fjalët e përçmimet!

    Ish-zëvendësministrja e bujqësisë, Vjollcë Berisha e ka cilësuar ksenofobi dhe mos respekt ndaj bashkështetasve shqiptarë, paralajmërimin e ministres së MASh, Vesna Janevska kundër shkollës fillore “7 marsi” në Çellopek, pas raportimeve se nxënësit janë veshur me uniforma dhe mbajnë armë në dorë gjatë një aktiviteti shkollor, përcjell Nistori.

    Berisha i kërkon ministres që më parë t’i sjellë librat që mungojnë nëpër shkolla, e t’i lëre fjalët dhe përçmimet!

    “Nuk ka nevojë ta sqaroj se në asnjë moment nuk jam për të stimuluar kurrnjëlloj dhune, por nuk mendoj se atë e ka bërë ndonjë shkollë që ka kremtuar me shfaqje festive 28 Nëntorin, aq më pak shkolla që u paskësh lëvduar së fundmi për kultivim të barazisë, miqësisë e demokracisë, siç pretendon shefja e Arsimit”.

    “Kostumografia dhe rekuizitat skenografike janë mjetet kryesore për një shfaqje teatrale siç ka qenë ajo e nxënësve që kanë qenë në rolin e luftëtarëve për ta mbajtur lart krenarinë dhe kujtesën kombëtare, pa fyer askend, pa sharë e urrejtur njeri. Thjesht, duke himnizuar, siç është bërë e bëhet kudo. Ata kanë shkërbyer (imituar) ushtarë, ushtarë si ata bustet e të cilëve me qindra vjet shenjojnë sheshet e botës pa nxitur kurrfarë dhune e keqedukimi”, shton më tej Berisha.

    Berisha thotë se ministrja e Arsimit kur ta ketë bërë punën e saj si duhet, kur ta ketë ngritur cilësinë e arsimit, kur ta ketë ndaluar emërimin e drejtorëve ekskluzivisht nga radhët e partisë së vet që (ia kujtoj) mban emrin e një organizate revolucionare, kur të mundësojë nxënësit të kenë libra, atëherë nëse do t’i ngelet kohë, mund të mbajë leksione qytetërimi e të bëjë gjykatësin, ekzekutuesin apo analistin sociopsikoligjik të nxënësve shqiptarë dhe prindërve të tyre.

    Ndryshe, ministrja Janevska kritikoi ashpër drejtuesit dhe mësuesit e shkollës në Çellopek, si dhe prindërit që kanë miratuar pjesëmarrjen e fëmijëve në një aktivitet të tillë, duke theksuar se një shkollë duhet të promovojë vlera të vërteta njerëzore, respekt ndaj vendit dhe bashkëjetesë harmonike mes qytetarëve, dhe jo të inkurajojë militantizëm apo urrejtje. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Ministrja e Arsimit paralajmëron procedurë ndaj shkollës “7 Marsi” në Çellopek për shkak të një aktiviteti shkollor

    Lajmi i rradhës

    Kosovë, gjenden amartime dhe eksploziv – Tetë të arrestuar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë