Tashmë pesë ditë nxënësit e fshatit Bërnjarcë dhe Idrizovë të komunës së Gazi Babës po bojkotojnë procesin edukativo arsimor. Nga këshilli i prindërve të fshatit Bërnjarcë thanë se nuk do të heqin dorë nga vendimi për bojkot deri në zgjidhjen e problemit. Gjithashtu, nga këshilli i prindërve thanë se nuk përjashtohet edhe mundësia e organizimit të protestave dhe bllokimit të rrugëve.
“Fëmijët shkojnë te njëri tjetri dhe sikur i bëjnë detyrat, ashtu siç munden edhe nëpërmjet internetit shikojnë në telefon. Derisa të gjendet një zgjidhje për këta fëmijë në jemi në bojkot edhe nëse është nevoja gjithë vitin nuk do ti lëmë të shkojnë. E vetmja mënyrë e jona për të vazhduar më tutje është që protestat ti kemi pak më radikale, ta bllokojmë shkollën dhe mos ti lëmë edhe fëmijët e tjerë ose para komunës të dalim për çdo ditë dhe t’ua bllokojmë punën”- deklaroi Ekrem Saliu, këshilli i prindërve, fsh. Bërnjarcë.
Në shkollën periferike “Kërste Misirkov” në fshatin Bërnjarcë mësojnë pak nxënës në paralelet në gjuhën maqedonase. Pas përfundimit të mësimit të këtyre nxënësve shkolla mbyllet ndërkohë që rreth 60 nxënës shqiptarë që jetojnë në këtë fshat detyrohen që mësimet t’i ndjekin në shkollat e Haraçinës. Ndërkohë, edhe nga këshilli i prindërve në Idrizovë kanë paralajmëruar bllokim të rrugëve nëse nuk realizohet takim i kërkuar me kreun e Gazi Babës, Boris Georgievski.
“Nëqoftëse nuk e mbajmë atë takim gjatë këtyre ditëve atëherë planifikojmë për ditën e premte që ta mbajmë një protestë duke e blloku njërën prej rrugëve kryesore e cila e lidh aeroportin dhe disa fshatra, është rrugë magjistrale. Do ta bllokojmë rrugën dhe do të vazhdojmë derisa ata të ulen dhe ti dëgjojnë kërkesat e tona por jo vetëm me i dëgju por duhet të realizohen apo të përfundojë kjo ashtu siç edhe janë kërkesat e tona”- tha Bajram Bejta, këshilli I pridnërve, fsh Idrizovë.
Prindërit dhe nxënësit e fshatit Idrizovë më shumë se një dekadë kërkojnë mësim në gjuhën shqipe nga klasa e gjashtë e deri në atë të nëntë, në shkollën fillore “Njegosh” në Jurumleri. Në vitin 2019, Komuna e Gazi Babës refuzoi kërkesën për hapjen e paraleleve shqipe në këtë shkollë. Më pas mori vendim për ndërtimin e një shkolle të re në Idrizovë ku do të mësonin të gjithë fëmijët e fshatit. Mirëpo vendimi për shkollë të re mbeti vetëm në letër.