Takimi i liderëve politikë që do të zhvillohet të mërkurën po hyn në debat publik pa një agjendë të qartë zyrtare, por me pritshmëri të larta për temat që pritet të hapen. Ndërsa ftesa flet për diskutim të përgjithshëm mbi gjendjen politike dhe ekonomike, në skenën politike gjithnjë e më shumë po përmenden çështje konkrete si heqja e qeverisë teknike, ndryshimi i modelit zgjedhor dhe rregullimi i dialogut institucional mes pushtetit dhe opozitës. Pikërisht këto dilema kanë prodhuar qëndrime të ndryshme mes partive, nga pjesëmarrja pa rezerva deri te skepticizmi për vetë kuptimin e takimit.
BILALL KASAMI DHE BEKIM QOKU DO TE PERFAQOSOJNE VLENIN
Koalicioni VLEN ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takimin e liderëve të thirrur nga kryeministri Mickoski. Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, deklaroi se ftesa është pranuar dhe se në takim do të marrin pjesë Bilall Kasami, njëri nga liderët e VLEN-it, dhe ai vetë. “Kemi ftesë nga kryeministri Mickoski për takim liderësh dhe VLEN-i ka pranuar që të marrë pjesë. Përfaqësues të VLEN në këtë takim do të jenë Bilall Kasami, njëri nga liderët e VLEN-it dhe unë si koordinator i grupit parlamentar”. Sipas Qokut, ftesa nuk përmban tema konkrete dhe është e përgjithshme.
“Ftesa nuk ka tema konkrete, është e përgjithshme, do të flitet për gjendjen aktuale politike dhe ekonomike në shtet, ora janë tema të përgjithshme. Flitet për një dialog të hapur, për një konsensus”.
Ai shtoi se pas përfundimit të zgjedhjeve lokale dhe parlamentare ekziston hapësirë për fokus në punë dhe progres. “Është e drejta e kryeministrit tani kur kanë përfunduar zgjedhjet lokale dhe parlamentare, tani kemi një vit pa zgjedhje, që do të thotë se një vit të hapur për punë dhe për progres përparim, sidomos ekonomik”, theksoi Qoku. Sa i përket modelit zgjedhor, Qoku tha se VLEN ende nuk ka një qëndrim zyrtar. “Ne aktualisht nuk kemi qëndrim për këtë temë, diskutohet një njësi zgjedhore, diskutohen listat e hapura, diskutohen forma të ndryshme të formës se si të ndahen njësitë zgjedhore. Përmendet një njësi, përmenden tri njësi apo tetë njësi. VLEN-i ende nuk ka zyrtarisht një vendim se cika formë apo cili model do ishte i përshtatshëm”.
Në lidhje me qeverinë teknike, Qoku vlerësoi se ajo lidhej me një periudhë krize politike që tashmë ka kaluar dhe si rrjedhojë vendi nuk ka nevojë më për qeveri teknike. “VLEN mendon që koha kur vendi u detyrua që të kishte qeveri teknike sipas marrëveshjes së Përzhinës, ishte koha kur vendi ndodhej në një modus krize, kur një krizë qe u shkaktua nga qeveria e Sasho Mijallkovit dhe Nikolla Gruevskit, bashkë me BDI-në e Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit dhe Blerin Bexhetit”.
Sipas tij, kjo situatë nuk ekziston më dhe institucionet kanë kapacitet për zgjedhje të rregullta. “Këta figura dhe kjo krizë nuk është më dhe shteti, administrata publike është e aftë që të organizojë zgjedhje fer, demokratike dhe kredibile dhe këtë e dëshmoi, sidomos tani me zgjedhjet lokale ku ne arritëm të organizojmë zgjedhje shembullore në vend, pa patur të domosdoshme, të arsyeshme të kemi qeveri teknike sipas marrëveshjes së Përzhinës”.
BDI: PËR TEMAT E RËNDËSISHME NEVOJITET KONSENSUS
BDI-ja opozitare në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, do të marrë vendimin përfundimtar nëse përfaqësuesi i saj do të marrë pjesë në takimin e liderëve. Sekretari i përgjithshëm i partisë, Arbër Ademi, ka deklaruar se Këshilli do t’i analizojë në detaje të gjitha aspektet e pjesëmarrjes në takim. “ Si parti shtetformuese, ne gjithmonë jemi angazhuar për dialog thelbësor, me agjendë të qartë dhe të mirëpërcaktuar. Për takimin e sotëm është propozuar një rend dite i gjerë dhe pikërisht për këtë arsye në radhët tona ekzistojnë dilema rreth pjesëmarrjes, rreth asaj se çfarë dhe si më tej. Prandaj do të analizohet në mënyrë të detajuar nëse duhet të shkohet në takim”, tha Ademi.
Sa i përket problemit me sigurimin e shumicës së Badenterit për disa akte ligjore që janë të bllokuara në Kuvend për shkak të kundërshtimit të koalicionit AKI të udhëhequr nga BDI-ja, Ademi tha se problemi qëndron në procesin e përgatitjes së këtyre ligjeve. “Në këtë proces nevojitet një qasje gjithëpërfshirëse. Gjatë hartimit të këtyre rregulloreve është i domosdoshëm konsensusi. Nëse ekziston synimi për konsensus, atëherë nuk do të ketë probleme, por nëse dikush ka për qëllim të na vërë para një akti të kryer, atëherë kjo është e papranueshme”, na tha Ademi.
LSDM: QEVERIA TEKNIKE DUHET TË MBETET
Ndërkohë nga LSDM theksojnë se qeveria teknike duhet të mbetet. Ajo është e vetmja mundësi, i vetmi përpjekje për të siguruar disa kushte minimale për zgjedhje të ndershme.
Pushteti aktual i koalicionit të tenderëve VMRO–ZNAM po i keqpërdor institucionet dhe burimet shtetërore për qëllime partiake dhe kriminale. Është vendosur kontroll i plotë mbi prokurorinë, po ushtrohet presion mbi Këshillin Gjyqësor, po miratohen ndryshime në Kodin Penal për të shpëtuar funksionarët aktualë, po partizohet dhe po keqpërdoret policia. Po miratohen rezoluta me të cilat praktikisht po shfuqizohet liria e fjalës së opozitës, ndërsa me Ligjin për Policinë po shkohet drejt një partizimi të plotë të MPB-së, thuhet nga partia.
Nga LSDM, po ashtu, thonë se rasti me IPARD 3 dhe arrestimi i drejtorit të emëruar nga VMRO është edhe një arsye tjetër pse duhet të ketë qeveri teknike.
“Legalizimi i mbikëqyrjes masive me 65 mijë kamera mundëson mbikëqyrje digjitale të lëvizjeve të qytetarëve, ndërsa për këtë ende nuk ka mekanizma kontrolli as mbrojtje nga keqpërdorimet. Një ministër teknik i Punëve të Brendshme nga opozita është garanci që ky sistem nuk do të keqpërdoret për ndjekjen e qytetarëve apo të opozitës gjatë fushatës”, thonë nga LSDM. Mickoskit dhe VMRO-së u nxiton mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme dhe migrantët për para, shtojnë nga opozita, por fakt është se kushtet në shoqëri nuk janë pjekur për heqjen e qeverisë teknike për shkak të pushtetit kriminal.
“Në këto kushte, shfuqizimi i qeverisë teknike do të nënkuptonte një goditje të drejtpërdrejtë ndaj demokracisë dhe rrezikim të vullnetit të qytetarëve. Qeveria teknike duhet të mbetet dhe LSDM do t’i shfrytëzojë të gjithë mekanizmat demokratikë për të mbrojtur procesin zgjedhor dhe vullnetin e lirë të qytetarëve”, thonë nga partia.
VMRO: KRITIKAT TË ADRESOHEN DREJTPËRDREJT
Nga VMRO-DPMNE kanë reaguar ndaj qëndrimeve të LSDM-së, duke theksuar se kritikat duhet të adresohen drejtpërdrejt në takimin e liderëve. “Që nga orët e hershme të paradites kanë filluar të mbërrijnë kumtesa nga LSDM, në të cilat, si edhe ditët e kaluara, akuzohet pushteti për keqqeverisje. Tema kryesore sot për socialdemokratët është se kryeministri Mickoski, me veprimet e tij dhe lidhjet e afërta me Vuçiçin dhe SNS-në, po e çon Maqedoninë drejt izolimit”.
VMRO-DPMNE vlerëson se kjo temë përsëritet prej kohësh nga LSDM dhe shton se mbetet e paqartë pse ajo nuk hapet në takimin e liderëve.
“Por mbetet e paqartë pse edhe këtë temë nuk e hapin para syve të kryeministrit në takimin e liderëve të caktuar për sot”.
Nga partia theksojnë se komunikimi i drejtpërdrejtë është më i dobishëm për vendin.
“Fjala e gjallë ka peshë më të madhe. Vetëm LSDM duhet të vendosë të shkojë në takim dhe atje, ballë për ballë, t’ia thotë të gjitha Mickoskit. Komunikimi përmes kumtesave dhe kundërkumtesave është më së shpeshti kundërproduktiv – për Maqedoninë”. /Koha/






