Nëse cenohet Ligji për gjuhët, sigurisht që do të ketë krizë politike, thotë Blerim Bexheti nga BDI për REL. Ai beson se zgjedhjet lokale nuk mund të mbahen në një situatë të tillë. Sipas tij, shtetit i duhen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Bexheti pretendon se nuk ka asnjë komunikim me Artan Grubin, i cili sipas tij nëse ka gabuar para ligjit duhet të mbajë përgjegjësi, përcjell Nistori.
I pyetur nëse nuk do të ketë zgjedhje lokale për BDI-në dhe nëse paralelisht me to nuk zhvillohen zgjedhjet parlamentare, nëse shkelet ligji për gjuhët etj. A mund të interpretohet si bojkot, apo si paralajmërim për një krizë politike që do të pengojë fare mbajtjen e zgjedhjeve lokale?
“Përkundrazi, ne nuk kemi shpallur asnjë bojkot, gjithmonë kemi qenë dhe jemi të gatshëm për zgjedhje, dhe në zgjedhjet e fundit parlamentare legjitimiteti elektoral i shqiptarëve etnikë dhe i komuniteteve tjera etnike është te Fronti Europian. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kuvend u hapën si debat nga të gjithë, duke filluar nga kryeministri Mickovski. Por fakti është se shtetit i duhen zgjedhje të parakohshme parlamentare për të dalë nga situata në të cilën nuk respektohet legjitimiteti i bashkësisë së dytë etnike në shtet. Sepse vetëm kështu është stabiliteti, stabiliteti politik, por edhe mundësia që të kemi stabilitet në ekonomi dhe në të gjitha sferat e tjera në vendin tonë dhe të punojmë për përparimin dhe të mirën e përgjithshme të qytetarëve. Është e palejueshme të respektohet vetëm një legjitimitet në shtet nga dy bashkësitë më të mëdha etnike në shtet dhe për këtë kërkojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Dhe nga ana tjetër në pyetjen tuaj për shpalljet për Ligjin për gjuhët, po është e vërtetë, sepse kemi pasur takime me qytetarët. Në ato takime me qytetarët që kemi pasur me degët e BDI-së, qytetarët patën rastin t’i bëjnë pyetje kryetarit Ali Ahmeti dhe gjithë të tjerëve dhe nëse i përcjellim të gjitha pyetjet dhe komentet, shqetësimi për këtë çështje shumë të ndjeshme është në nivelin më të lartë. Normalisht ne jemi të zgjedhur nga shqiptarët dhe qytetarët dhe jemi të vetëdijshëm se çfarë do të jetë reagimi dhe prandaj është shprehur qëndrimi se zgjedhjet lokale vështirë se do të ketë, sepse po prishet stabiliteti etnik dhe si po prishet”, deklaroi Bexheti.
Ndryshe, Bujar Osmani në intervistë për TV21 deklaroi se nuk mund të ketë zgjedhje nëse vazhdon degradimi i shqiptarëve dhe se do të krijohej krizë e thellë politike. Me këtë, mbeti e hapur edhe mundësia që kjo parti të bojkotojë zgjedhjet lokale në rast se nuk ka edhe zgjedhje parlamentare. Mickoski poashtu tha se drejtuesit e partisë së Ahmetit janë në panik. /Nistori/