BFI: Propozim ligji për barazi gjinore hap mundësinë e rrezikimit të të drejtave prindërore

    Krerët e KOM – PO (Kishës Ortodokse Maqedonase – Peshkopatës së Ohrit), BFI-së (Bashkësisë Fetare Islame), KK (Kishës Katolike), KMU (Kishës Metodiste Ungjillore) dhe KH (Komunitetit Hebraik), të nxitur nga paralajmërimet për miratimin e propozim ligjeve për Gjendjen Civile dhe Barazinë Gjinore, kanë reaguar përmes një letre ku vlerësojnë se është e papranueshme njohja ligjore e “identitetit gjinor” në këto ligje, si dhe dallimi konfuz midis: seksit, gjinisë dhe identitetit gjinor.

    Në letrën e nënshkruar nga krerët e bashkësive fetare të lartpërmendura thuhet se përmes miratimit të këtyre ligjeve, të njëjtat në vend që t’i mbrojnë, hapin mundësinë e diskriminimit ndaj më të pambrojturve – grave dhe fëmijëve.

    “Në fakt, shqetësimi ynë më i madh është synimi i këtij ligji që t’i përfshijë edhe të miturit, përkatësisht fëmijët. Promovimi i identiteteve të ndryshme gjinore dhe rrjedhshmëria midis tyre, mund të shkaktojë dëme të pariparueshme, veçanërisht te adoleshentët, të cilët, të udhëzuar dhe arsimuar në këtë mënyrë, duhet të kalojnë nëpër një proces të vetëshqyrtimit dhe provimit që është i papërshtatshëm për moshën e tyre. Aq më tepër, që propozim ligji për barazi gjinore hap mundësinë e rrezikimit të të drejtave prindërore, sepse nga pikëpamja e identitetit gjinor, parasheh fëmijët të trajtohen të barabartë si të rriturit”, thuhet në komunikatë.

    Ata thonë se ideologjia gjinore është një realitet me pasoja tragjike, e cila gjithnjë e më shumë shkakton rezistencë aktive të prindërve, psikiatërve, psikologëve dhe mësuesve, andaj bëjnë thirrje për tërheqjen e propozim ligjeve dhe të lihet hapësirë kohore për studimin më serioz të tyre, për njohjen me të gjitha pasojat ndaj shëndetit psikologjik të të rinjve, dhe për përfshirjen aktive e të gjithë faktorëve në shoqëri në hartimin e ligjeve të tilla, mbi të gjitha, të prindërve dhe ekspertëve.

    “Burimin e këtij trendi shqetësues ne e shohim në ratifikimin e Konventës së Stambollit, e cila, qëllimin fisnik të mbrojtjes së grave dhe fëmijëve, e përdori si mbulojë për imponimin e fshehtë të ideologjisë gjinore. Në fakt, projektligjet në thelb bien ndesh me doktrinat e të gjitha bashkësive fetare! Prandaj, u bëjmë thirrje të gjitha subjekteve relevante që seriozisht të shqyrtojnë mundësinë e tërheqjes së këtij dokumenti, duke ndjekur shembullin e shumë shteteve anëtare të BE-së, që janë distancuar prej saj, siç janë Turqia, Çekia, Hungaria, Bullgaria, Sllovakia, Lituania dhe Letonia, që ende nuk e kanë ratifikuar atë, përkatësisht disa e kanë refuzuar atë pikërisht për shkak të komponentit të saj gjinor”, thuhet në komunikatë.

    Lajmi Paraprak

    Presioni i gjakut ndikon trurin dhe kujtesën

    Lajmi i rradhës

    Shenjat e çrregullimeve hormonale që nuk duhen injoruar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë