Biden: Gjykata Supreme e ShBA-së ‘jashtë kontrollit’, pas vendimit për abortin

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden tha se vendimi i Gjykatës Supreme që anulon të drejtën për abort ishte një demonstrim i “fuqisë së papërpunuar politike” dhe nënshkroi një urdhër ekzekutiv të premten, më 8 korrik, që do të ndihmojë për mbrojtjen e qasjes për ndërprerjen e shtatzënisë.

    Biden, demokrat, ka qenë nën presion nga partia e tij për të ndërmarrë veprime pas vendimit të Gjykatës Supreme muajin e kaluar për të rrëzuar vendimin gjyqësor “Roe kundër Wade”, i cili përmbysi 50 vjet të mbrojtjes së të drejtave riprodhuese të grave.

    Kompetencat e presidentit janë të kufizuara, sepse shtetet amerikane mund të miratojnë ligje që kufizojnë abortin dhe qasjen në barëra, kështu që ky urdhër ekzekutiv pritet të ketë ndikim të kufizuar.

    “Ajo, për të cilën jemi dëshmitarë, nuk ishte një gjykim i bazuar në Kushtetutë, por një demonstrim i fuqisë së papërpunuar politike”, u tha Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë pasi citoi në masë të madhe mendime të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, të cilët morën vendimin e tyre.

    “Nuk mund të lejojmë Gjykata Supreme që është jashtë kontrollit, e cila punon në bashkëpunim me elementë ekstremistë të Partisë Republikane, të na heqë liritë dhe autonominë tonë personale”, tha ai.

    Shtëpia e Bardhë nuk e përfaqëson publikisht idenë e reformimit të vetë gjykatës ose zgjerimit të panelit prej nëntë anëtarësh, e cila është propozuar nga përfaqësuesja e grupit progresiv të Dhomës së Përfaqësuesve, Pramila Jayapal.

    Në vend të kësaj, Biden vuri në dukje se votuesit mund të siguronin të drejtat e abortit duke zgjedhur më shumë senatorë pro abortit dhe vuri në dukje se opinioni i shumicës së Gjykatës Supreme ka të bëj me “pushtetin politik të grave”.

    “Mendoj se gjykata ose në atë rast republikanët… nuk e kanë idenë për fuqinë e grve amerikane”, tha ai, duke shtuar se beson që gratë do të lajmërohen në numër rekord në zgjedhjet e nëntorit, në mënyrë që t’i rikthejnë të drejtat e tyre.

    Biden citoi raportet e fundit se një vajzë 10-vjeçare në Ohajo u detyrua të udhëtonte në Indiana për të kryer një abort pasi u përdhunua.

    “Paramendojeni që jeni vajzë. Vetëm paramendojeni se jeni vajzë 10 vjeçe. A beson dikush në këtë?”, tha ai.

    Në qershor, Biden dënoi vendimin e gjykatës dhe sugjeroi që senatorët amerikanë të heqin bllokimin legjislativ, në mënyrë që përkohësisht të hiqet ‘filibuster’ në Senat, për të rivendosur të drejtat për abortin.

    Megjithatë, ai sugjerim u refuzua nga ndihmësit e senatorëve kryesorë demokratë Kirsten Sinema dhe Joe Manchin.

    Në fillim të qershorit, burimet i thanë Reuters se Shtëpia e Bardhë nuk kishte gjasa të ndërmerrte hapa të guximshëm në kuptimin e qasjes ndaj abortit që kongresistët demokratë kanë kërkuar, siç është reforma gjyqësore ose ofrimi i shërbimeve riprodhuese në shtete.

    Të premten, Biden udhëzoi Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore që të ndërmarrë veprime për të mbrojtur dhe zgjeruar qasjen ndaj “abortit me ilaçe”, të miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave, tha Shtëpia e Bardhë.

    Ekspertët thonë se pilula që përdoret për të ndërprerë shtatzëninë e hershme nuk ka gjasa që së shpejti të jetë e qasshme pa recetë. Urdhri presidencial nuk do të ndikojë në shtetet që tashmë e kufizojnë përdorimin e këtyre barnave.

    Biden udhëzoi gjithashtu resorin dikasterial që t’u sigurojë grave qasje në kujdesin mjekësor urgjent, shërbimet e planifikimit familjar dhe kontracepsionin, duke përfshirë pajisjet intrauterine (IUD).

    Në urdhrin ekzekutiv, Biden udhëzoi gjithashtu prokurorin e tij shtetëror dhe avokatin e Shtëpisë së Bardhë që të mblidhnin avokatë pro bono dhe organizata të tjera për të ofruar këshilla ligjore për pacientët që kërkojnë abortin, si dhe për ata që ofrojnë abortin.

    “Kjo mund të përfshijë mbrojtjen e të drejtës për të udhëtuar jashtë shtetit për të kërkuar kujdes mjekësor”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

    Vendimi i Gjykatës Supreme ua ktheu shteteve federale mundësinë për të ndaluar abortin. Për këtë shkak, gratë me shtatzëni të padëshiruara përballen me zgjedhjen për të udhëtuar në një vend tjetër ku procedura është ende e ligjshme dhe krijon mundësitë për të blerë pilula aborti në internet ose për të kryer një abort të paligjshëm potencialisht të rrezikshëm.

    Kjo çështje mund të nxisë mbështetësit demokratë që të dalin pasivisht në zgjedhjet e nëntorit, në mes të mandatit, kur republikanët kanë një shans për të marrë kontrollin e Kongresit.

    Demokratët mbajnë një shumicë të dobët në Dhomën e Përfaqësuesve dhe kontrollojnë Senatin e ndarë në mënyrë të barabartë, falë votës së nënpresidentes Kamala Harris.

    Urdhri ekzekutiv i Bidenit synon gjithashtu të mbrojë privatësinë e pacientit dhe të sigurojë sigurinë e klinikave mobile të abortit në kufijtë shtetërorë, si dhe të urdhërojë krijimin e një task force për të koordinuar përgjigjen e administratës ndaj kujdesit shëndetësor riprodhues, tha Shtëpia e Bardhë.

    Vendimi i Gjykatës Supreme pritet të ketë një ndikim joproporcional mbi gratë afrikano-amerikane dhe gratë e pakicave të tjera, të cilat tradicionalisht përballen me kosto të mëdha dhe pengesa logjistike në marrjen e kujdesit shëndetësor riprodhues, thonë ekspertët. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Gostivari me më shumë leje ndërtimi krahasuar me qytetet tjera

    Lajmi i rradhës

    Dembele vazhdon kontratën me Barcelonën?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë