Bilalli-Zendeli: Do të jetë me emocion vota ime për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

    Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Arta Bilalli Zendeli, tha se vota për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë vota më me emocion për të dhe për gjithë shqiptarët që janë aty.

    Arta Bilalli Zendeli për RTK ka folur për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE), që do të mbahet të hënën më 24 prill.

    Ajo sqaroi se “në qoftë se kemi parasysh procedurën se vendimin e sjellë Komiteti i Ministrave dhe ajo pastaj duhet të kalojë në Asamblenë Parlamentare, ku votat për Kosovën, tashmë janë siguruar. Prandaj, kam dyshim fare të vogël se mund të jetë fjala për diçka tjetër. Kur bëhet fjalë për Republikën e Kosovës kjo është arritje e madhe”.

    Më tej, përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Arta Bilalli-Zendeli, lidhur me përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në KiE, theksoi se  procesi i anëtarësimit si i tillë është paksa i vonuar, nëse kemi parasysh kohën e anëtarësimit të shteteve të reja që janë anëtarësuar që pas shembjes së komunizmit.

    “Mendoj se Kosovës i është zhagitur ky proces dhe tani vendimi i Komitetit të Ministrave të na përcillet në Asamblenë Parlamentare dhe ne do të jemi atje”, tha ajo, derisa sqaroi se ky sesion zgjatë nga e hëna deri të premten.

    Ajo la të nënkuptohet që ky proces mund të lihet për në qershor, por që, siç u shpreh ajo, është optimiste, ngase është vendosur si pikë e rendit të ditës në ditën e hënë dhe mund të ndodhë edhe gjatë ditëve të javës në vijim.

    Lidhur me  mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e Kosovës në këtë këshill, Bilalli Zendeli, deklaroi se “e kemi bërë në të kaluarën dhe do ta bëjmë edhe në të ardhmen”.

    “Si përfaqësuese e Maqedonisë së Veriut, së bashku me kolegët e Kosovës e kemi bërë këtë, që prej se jam anëtare e Këshillit të Evropës, dhe do ta bëj edhe tani, ngase vota për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë vota më me emocion për mua dhe për gjithë shqiptarët që janë aty”, tha Bilalli-Zendeli.

    Lajmi Paraprak

    Cilat simptoma pas lindjes mund të jenë të rrezikshme?

    Lajmi i rradhës

    Pse shtetet po shtyhen në tërheqjen e punëtorëve migrantë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë