Blinken parashikon edhe ‘shumë muaj’ luftë Rusi-Ukrainë

    Shtetet e Bashkuara presin që lufta e Rusisë në Ukrainë të vazhdojë edhe për “shumë muaj”, pavarësisht presionit në fushën e betejës, deklaroi të mërkurën sekretari i shtetit amerikan, Antony Blinken.

    “Në rastin më të mirë që mund të vlerësojmë tani, ne presim ende shumë muaj konflikt,” tha Blinken në një konferencë të përbashkët shtypi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

    Nga ana tjetër, Stoltenberg e mirëpriti paketën e re të ndihmave ushtarake për Ukrainën që njoftoi Presidenti Biden të martën dhe falenderoi Shtetet e Bashkuara për rritjen e pranisë ushtarake në mbarë Evropën, me mbi 100 mijë forca të dislokuara, të mbështetura nga njësi ajrore dhe detare.

    Ai tha se e vetmja mënyrë për të shmangur përshkallëzimin është që Rusia të ndalë agresionin dhe luftën që filloi në Ukrainë, ndërsa dënoi retorikën kërcënuese nga Rusia për përdorimin e armëve bërthamore.

    Stoltenberg shprehu gjithashtu mbështetjen për anëtarësimin e ardhshëm të Finlandës dhe Suedisë në aleancë, si dhe për rritjen e pranisë së NATO-s në vendet e Evropës Lindore.

    Ai tha se mban kontakte të afërta me Presidentin turk Erdogan dhe udhëheqësit e Finlandës dhe Suedisë, dhe se do të organizojë një takim mes zyrtarëve të tre vendeve në Bruksel gjatë ditëve në vazhdim. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Erdogan i jep fund dialogut me Greqinë

    Lajmi i rradhës

    Ka ardhur koha përsëri për ndryshim në Shqipëri!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë