Boçvarski: Ramiz Merko mund të disiplinohet vetëm nëpërmjet zgjedhjeve

    Ndërsa sektori civil prej kohësh kërkon që shteti t’i marr kompetencat mbi Strugën dhe ta zgjidhë çështjen e ndërtimeve pa leje përgjatë Liqenit të Ohrit në territorin e Strugës, Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski ngre supet dhe thotë se zgjidhja e kësaj çështje është në kompetencat e vetëqeverisjes lokale dhe ato mund të ndihmojnë nëse është e nevojshme.

     Thirrja ime dhe thirrja jonë nga Qeveria është vetëqeverisjet lokale sepse ata kanë kompetenca të plota në atë pjesë, të marrin përgjegjësitë dhe detyrimet e tyre në mënyrë që statusi ynë i UNESCO-s për të gjithë rajonin të mos rrezikohet, sepse Ohri, Struga dhe i tërë ai rajon nuk do të ishte i njëjtë nëse në disa raste nuk do të ishin pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s”, tha Bllagoj Boçvarski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

    Por, pa kërkuar përgjegjësi konkrete nga Ramiz Merko për qëndrimin e tij ndaj kësaj çështje serioze, Boçvarski thotë se zgjedhjet po afrohen, prandaj le të vendosin qytetarët.

    Në fund të ditës, të gjithë jemi zgjedhur nga qytetarët, le t’i ruajmë këto vlera. Në secilën nga zgjedhjet e ardhshme, qytetarët do të na dërgojnë mesazh nëse kemi bërë punën tonë me përgjegjësi, pasi ata na kanë dhënë detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre. Ju do t’i drejtoni të gjitha pyetjet e tjera në komunën e Strugës, në planet e tyre dhe si ata planifikojnë të merren me atë që është subjekt i procedurave të caktuara të ndërtesave të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në zonat e mbrojtura dhe jashtë tyre”, theksoi Bllagoj Boçvarski, ministër i Transportit.

    Por aktivistët civilë besojnë se Merko nuk duhet t’i injorojë paralajmërimet që vijnë nga të gjitha anët.

    Nëse ka ndërtesa të paligjshme në komunën e Strugës, posaçërisht në zonën e bregut, qofshin ato me ndërtim të fortë apo të përkohshëm, duhet të rrënohen. Është koha për të dëgjuar të gjitha thirrjet që vijnë nga BE-ja dhe UNESCO, që ndërtesat e paligjshme janë kërcënim për rajonin e Ohrit dhe se duhet vepruar menjëherë”, tha Gjoko Zoroski, ekolog.

    Ndërsa në Ohër, bregu i liqenit po pastrohet nga ndërtesa të forta, ndërtesa të paligjshme, bare dhe platforma, në Strugë nuk ka aktivitete në atë drejtim. Merko vazhdimisht ka pohuar se në Strugë nuk ka ndërtesa të paligjshme përgjatë Liqenit të Ohrit. Qeveria javën e kaluar për Alsat tha: “Komuna e Ohrit ka filluar procesin. Ne presim që Komuna e Strugës ta bëjë të njëjtën gjë së shpejti “. Alsat pyeti javën e kaluar në komunën e Strugës se si planifikojnë ta zgjidhin çështjen me ndërtesat ilegale në zonën e mbrojtur të liqenit, por edhe me statusin e plazheve, nëse dihet që të gjithë ish-koncesionarëve u ka skaduar kontrata për vite. Por ende nuk kemi marrë përgjigje. /Alsat M/

    Lajmi Paraprak

    Përse historiografia zyrtare shqiptare nuk e ka dashur këtë burrë?

    Lajmi i rradhës

    Besimi, shpresa dhe bamirësia nuk kanë vend në përballje me Rusinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë