“Boll më me mësim online” – mësimdhënësit dhe qytetarët kundër mësimit online (Video)

    Gazetare | Blerona Jakupi Zylbehari

    Me shpalljen e krizës energjetike nga ana e qeverisë së RMV-së janë ngritur shqetësime dhe dilema se çfarë do të ndodhë me procesin mësimor. Herë pas here ka pasuar iniciativa në opinion, për mësim online, zgjatjen e pushimit dimëror dhe zëvendësimin e procesit mësimor gjatë periudhës së verës, por ende nuk ka një vendim konkret tani që jemi në prag të sezonës së ngrohjes.
    Nistori ka realizuar vox pop-e me qytetarët e Tetovës, të cilët i kemi pyetur se çfarë propozimi kanë në lidhje me procesin mësimor dhe iniciativat e propozuara për muajt e ftohtë. Qytetarët kanë mendime të ndara, megjithatë gati të gjithë janë kundër mësimit online.

    • Mendoj se mësimi online nuk duhet të mbahet, por duhet me prezencë. Sepse nuk kanë kushte fëmijët. Kushtet janë të dobëta, duhet të jenë fizikisht aty. Shteti ka pare, por ndoshta edhe vidhen. Pushimi dimëror nuk duhet të zgjatet. – (Qytetar)
    • Pushimi dimëror duhet të zgjatet, por orët të zëvendësohen gjatë verës. Mësimi online nuk ka pasur sukses. E kemi provuar vitin e kaluar, ka qenë katastrofë. (Nxënës)
    • Mësimi duhet të jetë me prani fizike. Unë jam punonjës në arsim. Dy vite shkuan kot, mos të shkojë edhe viti i tretë online. Shteti duhet të gjejë mjete që mësimi të zhvillohet në rregull. Boll ke sallamadi. U bë shumë për nxënësit. Mësimi online ka lënë pasoja. Nxënësit ndonjëherë shpërqëndrohen me prani fizike e ku mbet me mësimin online. Mësimi online është për studentë dhe jo nxënësit. (Arsimtar)
    • Për nxënësi më mirë është me prezencë fizike. Në klasë ka më shumë bashkëpunim dhe këmbimi i mendimeve në klasë është praktikë e mirë. Nuk mendoj se mësimi online ka qenë efektiv. Dikush nuk ka pasur aparatura, kushtet, interneti. (Arsimtare)

    Edhe mësimdhënësi Satki Ismaili për Nistori shprehet kategorik në lidhje më mësimin online. Pasojat e dy viteve të kaluara janë të dukshme në arsim, po qe se një iniciativë e tillë jetësohet pasojat do të jenë ende më të mëdhaja, deklaron ai

    Satki Ismaili – Mësimdhënës

    “Disa iniciativa janë të përshpejtuara, pa bërë mirë analiza, se cilat janë pasojat. Ne patëm pandeminë dhe mësimi në distancë ishte nevojë obligative në atë më mirë diçka se asgjë. Më mirë të zhvillohej mësim online sesa fëmijët të rrinë në shtëpi. Mirëpo, në situatë të tillë kur ka krizë por këto iniciativa për mendimin tim kurrsesi nuk janë iniciativa që duhet të realizohen dhe të përkrahen. Pasojat e dy viteve të kaluara vërehen në arsim, po qe se një iniciativë e tillë jetësohet pasojat do të jenë ende më të mëdhaja. Kemi pasur një vit shkollor i cili ka qenë i vështirë për adaptimin e nxënësve pas një pauze që e patëm me mësimin në distancë ku efektet dhe pasojat e dimë cilat janë. Edhe tani të ketë një iniciativë të tillë është jo serioze. Krizë e dimë se është, mund të ketë restrikcione të ndryshme, mund të ketë racionalizime qoftë edhe të disa aktiviteteve shkollore, p. Sh programet të jenë të modifikuara, të ketë ndryshime, po asesi procesi mësimor të zhvillohet në distancë. Ose të kemi një shkëputje të pushimit dimëror të gjatë sa janë propozimet. Duhet të dëgjohet edhe zëri i nxënësve, duhet të dëgjohet edhe zëri i prindërve, duhet të dëgjohet edhe zëri i mësimdhënësve. Por jo i atyre që dëshirojnë të kemi një pauzë, kushtimisht thënë një pushim i cili është i dëmshëm për fëmijët.”

    Ditë më parë, kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp në të cilën tregoi vendimet e Qeverisë për përballjen me krizën energjetike në prag të sezonit dimëror tha se shkollat fillore dhe të mesme në territorin e tërë shtetit do të transferohen në tregun e rregulluar, me çka do të paguajnë fatura më të lira për rrymë.

    Por, çfarë realisht do të ndodhë me procesin mësimor dhe çfarë hapash do të ndërmerren në vazhdim na ngelet të presim dhe të shohim. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Pendarovski nuk është i mendimit që të kthehet shërbimi i obligueshëm ushtarak

    Lajmi i rradhës

    Ndihmoi të arratisen dy persona, edhe gjashtë muaj burg për Aleksandar Vasilevski – Ninxhan

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë