Bora në male shkaktoi telashe për kopetë e dhenve

    Blegtorët dibranë dhe ata të zonave rurale zakonisht në fund të muajit tetor i kthejnë nga bjeshkët malore kopetë e dhenve të tyre. Por këtë vit, kushtet klimatike i befasuan shumicën prej tyre, pasi ende pjesa më e madhe e bagëtive të imta ndodhen në kullosat verore në malet e Stogovës, Bistrës dhe Korabit. Duke qenë në lartësi të mëdha mbidetare, sot ata u ballafaquan me mot të keq dhe reshje dëbore, gjë që e vështirëson zbritjen e dhenve nga malet.

    Kryetari i Shoqatës së Blegtorëve “Dashi”, Skënder Ame, për gazetën Koha u shpreh se reshjet e borës kanë shkaktuar vështirësi për kopetë e dhenëve.

    “Reshjet e borës që kanë rënë sot në mëngjes në malet Stogovë, Bistër dhe Korab, ku ndodhen bagëtitë e imta, kanë shkaktuar vështirësi për kopetë e dhenve. Një pjesë e blegtorëve kanë pasur telashe me zbritjen e tyre. Ne zakonisht zbritjen e bëjmë në fund të tetorit, por sot u detyruam menjëherë të shkojmë e t’i zbresim bagëtitë nga malet”, u shpreh Ame.

    Një pjesë e blegtorëve, që bagëtinë e imët e kalojnë dimrin në zonat më të ngrohta të Pellagonisë, afër Manastirit, i kishin zbritur kopetë e tyre një ditë më herët dhe kështu i shpëtuan reshjeve të borës.

    “Rreth 50 për qind e blegtorëve dibranë dhe të Zhupës i zbritën dhentë të martën, për t’i çuar në fushën e Pellagonisë. Por ata që i mbajnë në periferi të Dibrës dhe në disa fshatra përreth, duke menduar se koha do të ishte e mirë si vitet e kaluara, e kishin planifikuar zbritjen pas datës 20 tetor. Reshjet e papritura na detyruan sot të organizohemi dhe të zbresim bagëtinë në zonat periferike të Dibrës, ku kalojnë dimrin. Ende mbi 50 për qind e kopeve ndodhen në malet e larta”, theksoi Ame.

    Me përfundimin e stinës së verës dhe ardhjen e ditëve të ftohta të vjeshtës, fillon edhe një nga traditat më të hershme të jetës baritore shqiptare: kthimi i dhenve nga bjeshkët e larta në viset më të ngrohta. Gjatë verës, bjeshkët malore janë vendi ideal për bagëtitë, ndërsa në dimër ato zbresin drejt ultësirave.

    Ndryshe, pas shiut, i cili ende bie në zonat më të ulëta të rajonit më të gjerë të Dibrës, janë vërejtur reshjet e para të borës në vendbanimet më të larta, si Lazaropole, Broshticë, zona e Zhupës së Epërme, në fshatin Tatar Elevc mbi qytet, si dhe në Mavrovë. Komunikacioni në këtë pjesë të vendit po zhvillohet pa ndërprerje, por, rekomandohet kujdes gjatë drejtimit të automjeteve për shkak të rrugëve të lagështa dhe rrëshqitjeve të vogla, por të shpeshta, prandaj këshillohet të vozitet me kujdes.

    “Në akset rrugore nën përgjegjësinë tonë ka rrëshqitje të vogla, por të shpeshta të gurëve. Për shkak të rrugëve të lagështa, si dhe mundësisë për rrëshqitje më të mëdha, për të cilat është i njohur rajoni ynë, rekomandojmë vozitje shumë të kujdesshme dhe respekt të rreptë të sinjalistikës rrugor. Ekipet tona janë vazhdimisht në terren, me qëllim pastrimin në kohë dhe zhvillimin e sigurt të trafikut”, konfirmuan për AIM nga seksioni i Dibrës të Ndërmarrjes publike për mirëmbajtjen e rrugëve magjistrale dhe rajonale.

    Ata shtojnë se janë plotësisht të përgatitur për t’iu përgjigjur çdo nevoje, megjithëse orari dimëror i punës fillon më 5 nëntor. Nën përgjegjësinë e këtij seksioni janë akset Dibër-Zhirovnicë (aksi rrugorë Dibër-Mavrovë), Dibër-Globoçicë (aksi rrugorë Dibër-Strugë), rruga drejt pikës kufitare “Blato”, pastaj degëzimi Boshkov Most drejt fshatrave të Malla Rekës, si dhe rruga Melniçki Most-Qendër Zhupë, ose mbi 110 kilometra. Shiu sigurisht do të ndikojë pozitivisht në rritjen e rrjedhave të lumenjve dhe përrenjve në këtë rajon gjë që do të shkaktojë një rritje të rrjedhës së ujit në rezervuarin “Liqeni i Dibrës” të Hidrocentralit “Shpilje”. Që nga mbrëmë, borë po bie edhe në Mavrovë dhe në Kodrën e Diellit.

    Lajmi Paraprak

    Çmimet e ulëta të pijeve energjike rritin përdorimin te nxënësit

    Lajmi i rradhës

    Mickoski, kriminofob apo synon shqiptarë të dobët?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë