Borrell: Angazhimi i BE-së është të ruajë stabilitetin në Bosnje e Hercegovinë

    “Në këtë moment vendimtar, prania e EUFOR-it në terren është jashtëzakonisht e rëndësishme për garantimin e sigurisë. Është edhe më e rëndësishme se kurrë. Për këtë arsye ne kemi dyfishuar praninë tonë. Në këtë moment, i siguroj qytetarët e Bosnje e Hercegovinës se angazhimi ynë i vendosur është të ruajmë stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës”, ka deklaruar Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, të mërkurën, më16 mars, gjatë një turneu në bazën e Forcave Ushtarake Evropiane (EUFOR Altea) në afërsi të Sarajevës, e cila ka marrë përforcime ditët e fundit.

    Siç tha ai, rëndësia e paqes dhe sigurisë është e padiskutueshme.

    “Situata këtu, 30 vjet më parë, ishte shumë më keq. Ne kemi trashëguar nga të parët tanë të kaluarën me të mirat dhe të këqijat e saj. Roli ynë është të mbështesim viktimat dhe të ndëshkojmë autorët. Roli juaj në gjithë këtë është i pazëvendësueshëm. U bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë të sotëm që të punojnë së bashku, të mos bllokojnë institucionet, të bashkojnë forcat dhe të përdorin potencialet ekonomike, për të luftuar korrupsionin”, tha Borrell.

    Një shtesë prej 500 ushtarësh të EUFOR-it mbërritën më 4 mars në Bosnje e Hercegovinë, ndërkaq si shkak për këtë është theksuar “përkeqësimin e situatës së sigurisë në nivel ndërkombëtar që mund të shkaktojë paqëndrueshmëri në Bosnje e hercegovinë”.

    Trupa shtesë erdhën nga Austria, Bullgaria, Rumania dhe Sllovakia, ndërkohë që pushtimit rus i Ukrainës po vazhdon.

    Aktualisht, në Bosnje e Hercegovinë janë vendosur 1.100 ushtarë të EUFOR-it.

    Borrell po qëndron në Bosnje e Hercegovinë, në kuadër të një vizite shumë-ditore në Ballkanin Perëndimor.

    Është paralajmëruar se pasdite, në Sarajevë do të bisedojë me anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelko Komshiq, Millorad Dodik dhe Shefik Xhaferoviq.

    Takimi do të mbahet në ndërtesën e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës.

    Pra takimit me anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, do të mbahet një takim me liderët e partive politike që përbëjnë shumicën parlamentare në nivel të Bosnje e Hercegovinës – me Millorad Dodikun e Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), Dragan Çoviqin e Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) dhe Bakir Izetbegoviqn e Partisë së Veprimit Demokratik (SDA). Përveç kësaj, Borrell do të takohet edhe me krerët e opozitës.

    Siç njoftoi BE-ja, vizita disaditore e Borrellit në Ballkanin Perëndimor do të konfirmojë angazhimin dhe mbështetjen e BE-së për rajonin, veçanërisht duke pasur parasysh pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe ndikimin e asaj lufte në sigurinë e Evropës në tërësi.

    Bosnje e Hercegovina ka harmonizuar qëndrimin e saj me vendimin e Bashkimit Evropian për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës.

    Këto janë sanksione që përfshijnë, ndër të tjera, financat, energjinë, transportin, kontrollin e eksporteve dhe politikën e vizave.

    Ndërkaq, Bosnje e Hercegovina nuk ka një qëndrim të përbashkët për shumicën e çështjeve që lidhen me luftën në Ukrainë, si dhe për sanksionet.

    Anëtarët e presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelko Komshiq dhe Shefik Xhaferoviq dënuan pushtimin rus të Ukrainës dhe bënë thirrje për sovranitetin territorial të vendit, ndërsa anëtari i presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, ka argumentuar vazhdimisht se vendi duhet të mbetet neutrale në këtë situatë.

    Përpara vizitës së tij në Bosnje e Hercegovinë, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell tha të martën, më 15 mars, se Bosnje e Hercegovina ka një perspektivë të besueshme evropiane dhe se procesi i zgjerimit bazohet në kritere të qarta.

    Borrell e shkroi këtë në përgjigjen ndaj kërkesës nga Sarajeva për dhënien e përshpejtuar të statusit të kandidatit për Bosnje dhe Hercegovinën.

    Më 2 mars, Ministrja e Jashtme e Bosnje e Hercegovinës, Bisera Turkoviq, i dërgoi një kërkesë për dhënie të përshpejtuar të statusit të kandidatit Bosnje e Hercegovinës, kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Borrellit, komisionarit për zgjerim dhe ministrave të jashtëm të vendeve anëtare.

    Në përgjigje, Borrell përkujtoi se Këshilli Evropian, në dhjetor të vitit 2021, konfirmoi perspektivën e besueshme evropiane të Bosnje e Hercegovinës.

    “Procesi i zgjerimit të BE-së bazohet në kritere të qarta, të cilat për Bosnje e Hercegovinën janë theksuar në 14 përparësitë kryesore, nga Opinioni i Komisionit Evropian mbi aplikimet për anëtarësim dhe kanë të bëjnë me demokracinë dhe funksionalitetin, sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe reformën e administratës publike”, tha Borrell.

    Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë shtoi se ndërtimi i urave midis njerëzve, vendeve dhe kulturave është çelësi për një të ardhme të përbashkët, pasi “Bosnje e Hercegovina dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Evropian”.

    “BE-ja qëndron fort pas unitetit, sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnje e Hercegovinës dhe traditës së saj të gjatë historike si një shoqëri multietnike dhe multikonfesionale. Jini të bindur për angazhimin tonë të qartë në rrugën e Bosnje e Hercegovinës drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në letrën e Borrellit, të publikuar nga zyra e ministrit Turkoviq.

    Bosnje e Hercegovina aplikoi për anëtarësim në BE, në shkurt të vitit 2016 dhe ende nuk e ka statusin e kandidatit. Pas marrjes së pyetësorit të Komisionit Evropian, Bosnje e Hercegovinës iu deshën 14 muaj për t’iu përgjigjur 3.242 pyetjeve të para dhe tetë muaj të tjerë për t’iu përgjigjur 655 pyetjeve të tjera.

    Me gjithë mekanizmin e krijuar koordinues për çështjet e BE-së, autoritetet nuk mundën të pajtoheshin të jepnin përgjigje për 22 pyetje: një nga kriteret politike, katër nga politika rajonale dhe 17 nga politika arsimore.

    Opinionin e Komisionit Evropian (Avis) e mori në maj të vitit 2019 dhe përcaktoi 14 prioritete të ndara në katër fusha – Demokracia dhe funksionimi i institucioneve, Sundimi i ligjit, të Drejtat themelore dhe Reforma e administratës publike – të cilat Bosnje e Hercegovina duhet të përmbushë, në mënyrë që të nis negociatat për anëtarësim të plotë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Sela për uniformat e policisë: Uroj të mos e këtë fatin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve

    Lajmi i rradhës

    RMV, partitë politike nuk marrin përgjegjësi për ngecjen e punës në Kuvend

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë