Sela për uniformat e policisë: Uroj të mos e këtë fatin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve

    Tre vjet pas hyrjes në fuqi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, Qeveria sjell dekret për përdorimin e gjuhës shqipe në uniformat e policisë dhe emblemat e uniformave. Policët do t’i kenë uniformat edhe në shqip vetëm në komunat ku gjuhën shqipe e flasin të paktën 20 për qind e qytetarëve. Në shqip do të përkthehet “Policia e Trafikut”, “Policia Kufitare” dhe emblema e përgjithshme e policisë. Opozita shqiptare përshëndet vendimin. Ziadin Sela uron që dekreti të mos e ketë fatin e ligjit.

    “Shpresoj që edhe ky dekret të mos ketë fatin e ligjit. Çdoherë sillet dekreti, animohet opinioni vetëm për një çështje të ligjit, ndërkohë që ngelet pa u zbatuar ligji në gjykatë, prokurori dhe elemente të tjera. Bëhet fjalë për marketing të ulët të një subjekti në Qeveri i cili këtë temë do të duhej ta kishte konsumuar nga viti 2002. Sot e kësaj dite mundohet të merret me këtë temë”, tha Ziadin Sela, Kryetar i ASH-së.
    Opozita maqedonase vlerëson se Qeveria për t’i shmang aferat e saj kriminale, merr vendime të cilat nuk shkojnë në dobi të qytetarëve.

    “BDI dhe LSDM marrin vendime si Qeveri të cilat nuk e përmirësojnë aspak jetën e qytetarëve. Shihet se duan t’i qorrojnë sytë qytetarëve që të mos bisedohet për atë që për momentin është me rëndësi, pra krimin e tyre që e bëjnë çdo ditë”, u shpreh Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

    Kreu i partisë E Majta, Dimitar Apasiev ka reaguar duke e cilësuar kundër kushtetues dekretin e Qeverisë. Apasiev me gjuhë kërcënuese thotë se për këtë veprim pas ndërrimit të pushtetit dikush do të vuaj dënim me burg.

    “Nuk pyesin as për Kushtetutë dhe as për ligj. Uniforma dygjuhësore të policisë me dekret të Qeverisë? LSDM-ja është e keqja më e madhe e cila e ka gjetur Maqedoninë. Okupator të ishit, do të kishim më shumë ndjenjë për popullin. Do të dergjeni burgjeve kur të ndryshon pushtetit”, tha Dimitar Apasiev, E Majta.

    Zëvendëskryeministri Artan Grubi thotë se zbatimi i gjuhës shqipe nuk do ta ketë fatin e ligjit dhe të dekretit i cili priti të paktën 2 vite për miratim. Në njësinë elitare si “Tigri”, “Njësiti për Pozicionim të Shpejtë” (EBR) dhe njësitë tjera qendrore dhe republikane në kuadër të MPB-së nuk do të përdoret gjuha shqipe.

    “Për fat të keq për rrethana të ndryshme u vonua edhe ndryshimi i dekretit për uniformat e policisë por dje u miratua. Jam i bindur se nuk do të ketë fatin e njëjtë të dekretit vetë zbatimi i tij tashmë. Në disa njësi si “Tigri” apo njësitë tjera që kanë kompetenca mbi gjithë shtetit siç është Armata apo bankënotat. Banka Popullore është në Shkup, por bankënotat përdoren në çdo qytet dhe ligji nuk mund të vlen në komunat ku shqiptarët nuk janë prezent. Rrjedhimisht edhe në këto njësi të cilat veprojnë si Armata në të gjithë territorin, nuk mund të gjen zbatim”, deklaroi Artan Grubi, Zëvendëskryeministër.

    Në vitin 2020, para shpërndarjes së Qeverisë teknike, Sekretariati për legjislacion në kuadër të Qeverisë i kishe dhënë dritën jeshile përdorimit të gjuhës shqipe në uniformat dhe emblemat e Qeverisë. Aso kohe, dekreti përfshinte përdorimin e shqipes pothuajse në të gjitha njësitë.

    Dekreti i vitit 2020
    POLICIA
    NJËSITI PËR DETYRA TË POSAÇME
    NJËSITI PËR POZICIONIM TË SHPEJTË
    NJËSITI SPECIAL I MBËSHTETJES
    NJËSITI POLICOR PËR INTERVENIM
    NJËSITI MOBIL PËR MASA KOMPENSUESE
    NJËSITI PËR QENTË POLICORË

    Zbatimi i dygjuhësisë në uniforma dhe emblema të policisë do të nisë të zbatohet pas një viti. Deri atëherë duhet proceduar mbi porosinë e uniformave të reja, përcaktimin e numrit të policëve që do ta mbajnë dhe procedurat tjera administrative. Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua në mars të vitit 2018, ndërsa në fuqi hyri një vit më vonë. Zbatimi i tij erdhi falë leximit të tretë për shkak të mos dekretimit nga ana e ish presidentit Gjorge Ivanov. Përveç në polici, zbatimi i ligjit çalon edhe në gjyqësorë, prokurori dhe procedurat tjera administrative. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “Lidhja ndërkombëtare”, Prokuroria kërkon dënime me burg për të akuzuarit

    Lajmi i rradhës

    Borrell: Angazhimi i BE-së është të ruajë stabilitetin në Bosnje e Hercegovinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë