BORXH DERI NË “FYT” | Kriza ekonomike detyron qytetarët të marrin kredi

    Kriza ekonomike po vazhdon të rrisë borxhet e qytetarëve në banka. Të dhënat e fundit të Bankës Popullore tregojnë se llojet e ndryshme të kredive për mbijetesë dhe sigurimin e kulmit nën kokë nuk ndalen. Kreditë në total të qytetarëve deri në fund të nëntorit kanë arritur në afër 3.5 miliardë euro dhe janë rritur në mbi 1 miliardë euro në raport me nëntorin e vitit 2017 kur borxhet e amvisërive ndaj bankave kanë qenë në vlerën prej afër 2.3 miliardë euro. Në fund të muajit të kaluar, dominojnë kreditë konsumatore me afër 2 miliardë euro, ato banesore me mbi 1 miliard euro, afër 170 milionë euro të kartelave kreditore, 100 milionë euro për minuse në llogaritë rrjedhëse, dhe afër 6 milion euro kredi për blerjen e veturave të reja. Ekonomistët thonë se shtrenjtimi i jetesës që nuk ka të ndalur dhe pamundësia që me të ardhurat mujore të mbulohen harxhimet mujore bën që të rriten edhe kreditë e ndryshme.

    “Të ardhurat e pamjaftueshme, pamundësia edhe për blerjen e një telefoni luksoz përveçse me kredi, hyrja në borxhe edhe për renovimin e shtëpisë, për pagesën e borxheve të vjetra, blerjen e teknikës së bardhë apo edhe për ahengje familjare, bën që të rriten borxhe në banka dhe numri i qytetarëve që për çdo muaj kanë këste për të paguar”, thonë ekonomistët.

    Qytetarët thonë se marrin kredi për shkak se me paga nuk mund të kapërcejnë muajin. “Pa kredi nuk mund të blesh asgjë. Kam marrë borxh në bankë për blerjen e klimës inverter për ngrohje dimrit dhe ftohje gjatë muajve të verës, për blerjen e televizorit dhe rinovimin e banjos, dhe për pagesën e borxheve të vjetra. Tani disa vjet do të kthejë kreditin, por nuk ka zgjidhje tjetër”, thotë Altini, i punësuar në administratën e shtetit. Ai shton se shumica e kolegëve në punë gjenden në të njëjtën situatë dhe kanë marrë lloje të ndryshme të kredive në banka por edhe janë në minus në kartela. Një koleg tjetër i tij nga puna, Bardhyli shton se për katër vite duhet të shlyejë kredinë banesore, ndërsa për një vit duhet të kthejë kredinë tjetër për dasmën. Në ndërkohë, nga Banka Popullore thonë se projeksionet e fundit në tregun kreditor udhëzojnë për rritje të matur të aktivitetit kreditor deri në fund të vitit, që do të vazhdojë edhe në vitin 2023. Rritja e kredive në vitin 2022 pritet të arrijë 9.2 për qind në nivel vjetor, ndërsa në vitin 2023 të kemi rritje prej 7.1 për qind.

    Në periudhën e ardhshme pritet stabilizim i aktivitetit kreditor me shkallë mesatare të rritjes prej 7.5 për qind në periudhën 2024-2025, në kushte të rritjes së ekonomisë vendore, të stabilizimit të pritjeve dhe rritjes së kërkesës për kredi të amvisërive dhe biznesit. /koha.mk/

    Lajmi Paraprak

    Pas Mijallkoskit, i ulet dënimi edhe Vlladimir Taleskit

    Lajmi i rradhës

    RMV, opozita kërkon zgjedhje të parakohshme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë