Borxh të ri prej 900 milionë euro!

    Ekspertët ekonomik e theksojnë se borxhet duhet të investohen në projekte të reja që do të sjellin zhvillim ekonomik dhe jo për qëllime jo produktive.

    Lufta në Ukrainë, dhe kohëzgjatja e saj do të ndikojë edhe në zhvillimet ekonomike në botë dhe rajon. Pas problemeve të mëdha që shkaktoi pandemia ndaj ekonomisë në tërë botën, konflikti në Ukrainë, ajo po ndikon ndaj ecurive negative në ekonominë globale. Rritja e çmimeve të naftës dhe gazit, çmimet në rritje të ushqimeve, pritet të çrregullojnë vitin e dytë të rikuperimit të fuqishëm të ekonomisë në Evropë, pas periudhës së vështirë të shkaktuar nga pandemia në Evropë. Edhe shefja e Bankës Qendrore Evropiane, Kristin Lagard pret që kriza në Ukrainë të rrisë inflacionin përmes shtrenjtimit të energjenseve dhe mallrave, tronditjes së tregtisë ndërkombëtare dhe “besimit më të dobët”, por duke shtuar se Eurozona ka gjase për rritje ekonomike sivjet duke marrë parasysh uljen e ndikimit të pandemisë dhe gjasave për kërkesën solide vendore dhe tregjet e fuqishme të punës. Komisioni Evropian nga ana tjetër alarmon se ndikimet e tronditjeve të jashtme ndaj ekonomisë në Evropë do të luhaten në varësi prej ekspozimit të shteteve të caktuara ndaj energjisë ruse, strukturës së tyre ekonomike, lokacionit gjeografik dhe fleksibilitetit të financave të tyre publike.

    Ulja e rritjes ekonomike, rritja e borxhit publik, rritja e pagave në sektorin publik dhe arsim, deficit më i lartë në buxhet që me siguri se do të rritet në më shumë se 545 milionë euro të parashikuara në buxhetin e këtij viti, pritet të jenë vetëm disa nga pasojat e paqartësisë ekonomike, dhe politike në Evropë ndaj Maqedonisë së Veriut.

    Për më tepër sivjet vendi pritet të marrë mbi 900 milionë euro borxh për të përmbushur nevojat në rritje të qytetarëve dhe biznesit dhe për tu përballur me krizën energjetike, si dhe për të paguar edhe borxhet e vjetra në vlerë prej më shumë se 350 milionë euro. Borxhi publik sivjet tejkaloi shifrën prej 7 miliardë euro apo kapërcen 60 për qind të pjesëmarrjes së tij në Prodhimin e Brendshëm Bruto, ndërsa ai pritet të rritet në mbi 63 për qind si pjesë e PBB-së. Pritet që sivjet të merret hua me kamata të volitshme prej një për qind nga Fondi Monetar Ndërkombëtar prej së paku 600 milionë euro dhe deri në 900 milionë euro. Gjithashtu nga buxheti i projektuar prej 4.4 miliardë euro të shkurtohen me rishikimin e buxhetit mbi 400 milionë euro. Për shkak të kamatave të larta prej 4 deri 5 për qind, hyrja në borxh përmes Euro Bondit është anuluar për momentin dhe është lënë në pritje e sipër.

    Ministri i Financave Fatmir Besimi pas përmbylljes së takimeve pranverore theksoi se po vendoset rekomandim për qasje në Linjën për përkujdesje dhe likuiditet të Fondit Monetar Ndërkombëtar. ”Bëhet fjalë për instrument financiar që FMN-ja e ofron vetëm për vendet me ekonomi të shëndosha, të cilat kanë vlerësime pozitive për politikat ekonomike dhe pritshmëritë se ato do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke përfshirë stabilitetin makroekonomik dhe financiar”, shtoi Besimi.

    Sipas tij, në kushtet e sfidave globale, si rezultat i luftës në Ukrainë, rriten presionet e çmimeve dhe ulen pritshmëritë për rritjen e ekonomisë botërore, me ç’rast këto mjete do të jenë përkrahje e konsiderueshme e likuiditetit për ekonominë tonë me performancë të shëndoshë. Me anë të tyre do të ofrohet përkrahje për ekonominë dhe qytetarët, apo do të orientohen në zgjidhjen e krizës energjetike dhe të çmimeve, përkrahjen e standardit të qytetarëve dhe ekonomisë. Sigurimi i kësaj linje është gjithashtu në drejtim të përpjekjeve të Qeverisë për financim me kosto sa më të ulëta, përfundoi ministri Besimi. Nga ana tjetër, hyrja në borxhe të reja sërish ka ngjallur edhe debatin në opinion për lartësinë e borxhit publik. Ekspertët ekonomike me vite theksojnë se borxhet duhet të investohen në projekte të reja që do të sjellin zhvillim ekonomik dhe më shumë të holla në të ardhmen në arkën e shtetit, apo me fjalë të tjera vlerësojnë se duhet bërë kujdes që ato të mos harxhohen për qëllime jo produktive.

    Ish guvernatori i Bankës Popullore Petar Goshev thotë se në periudhën e kaluar në vazhdimësi nga qeveritë e ndryshme është krijuar një vartësi që nuk po ndërpritet nga marrja e borxheve të reja.

    “Edhe shtetet e zhvilluara hyjnë në borxhe, mirëpo ato këtë e bëjnë në kuadër të qëndrueshmërisë që duhet të vlejë edhe për ne. Andaj edhe ato duhet të dedikohen jo për joshjen e votuesve por për qëllime produKtive apo për qëllime populiste siç jemi mësuar në periudhën e kaluar”, thekson Goshev.

    Sipas tij, borxhet e reja janë të imponuara edhe nga rrethanat e reja të shkaktuara nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, që po sjell edhe rritje të mëdha të çmimeve të energjenseve dhe ushqimeve, ndaj ekonomisë së Maqedonisë të varur nga importi i tyre.

    Një vartësi e tillë mund të tejkalohet dhe zbutet në energjetikë për një kohë më të gjatë, ndërsa në bujqësi mund të arrihen rezultate më të shpejta me masa përkatëse. Në Ndërkohë, Fondi Monetar Ndërkombëtar përcakton edhe tavanin e borxhit për shtetet e rajonit që nuk rrezikon rritjen e tyre ekonomike. Nga Ministria e Financave thonë se politikat qeveritare shkojnë në drejtim të uljes së gropës apo deficitit në buxhet dhe stabilizimit të borxhit në suaza afatmesme, ndërsa në suaza afatshkurtëra politikat fiskale po përqendrohen në shëndoshjen e ekonomisë dhe përkrahjen e standardit të qytetarëve. “Sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe ekspertëve të shteteve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, pragu prej 70 për qind nuk do të ndikojë negativisht ndaj rritjes ekonomike të këtyre ekonomive. Borxhi ynë publik është larg këtij kufiri ku në fund të janarit ishte 57 për qind“, theksoi kohë më parë , ministri i Financave, Fatmir Besimi. Kohë më parë ai theksoi se në buxhetin e vitit 2022 të miratuar nga Parlamenti, është parashikuar borxh i ri prej 600 milionë euro, ku 545 milionë euro janë për mbulimin e deficitit dhe pjesa e tjetër është për rezerva.

    Të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave tregojnë se borxhi publik i vendit ka arritur në 60.8 për qind si pjesë e Prodhimit të Brendshëm Bruto, apo ka arritur në 7 miliardë e 135 milionë euro. Nga VMRO-DMPNE opozitare thonë se inflacioni në tërësi e gërryen standardin e qytetarëve, ndërsa pushteti po bën pak për të mbrojtur fuqinë blerëse të qytetarëve, ndërsa po zhvillohen edhe më shumë harxhime për qëllime jo produktive. Shtojnë se nuk po shikohet asnjë projekt kapital i realizuar nga ekzekutivi i tanishëm, ndërsa për shkak të mungesë së investimeve kapitale sipas tyre Prodhimi i Brendshëm i shtetit në fillim të vitit është më i ulëti në rajon, përderisa pushteti po shkon ndaj borxheve të reja. Duke kërkuar sërish zgjedhje të parakohshme, nga kjo parti thonë se qeveria ka vendosur në borxh në dy vitet e fundit, Maqedoninë për mbi 1.6 miliardë euro, ndërsa me borxhet reja, borxhi publik i shtetit pritet të tejkalojë 7.9 miliardë euro. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Digjet objekti në Tetovë ku qëndronin të pastrehët, nuk ka të lënduar

    Lajmi i rradhës

    Zaev me kritika ndaj BE-së: Ideja europiane nuk guxon të shantazhohet nga nacionalizmi bullgar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë