Bosnja hap kamp modern për emigrantët

    Një qendër e re për emigrantë, me kapacitet për 1.500 persona, u hap të premten në Bosnjë e Hercegovinë, pas kritikave të ashpra për mënyrën se si shteti ballkanik i trajtoi azilkërkuesit që mundohen të arrijnë në vendet e Bashkimit Europian.

    Kampi i ri “Lipa”, i cili ndodhet në rajonin veriperëndimor, Krajina, zëvendëson një kamp të improvizuar që u shkatërrua nga zjarri në dhjetor të vitit të kaluar, duke lënë qindra emigrantë në të ftohtë, pa strehim, pa ngrohje dhe pa ushqim, shkruan Free Europe.

    Kampi i ri ndodhet në një zonë të skajshme, ku autoritetet vjeshtën e kaluar kishin dërguar qindra njerëz nga kampet e stërngarkuara që financoheshin nga BE-ja e menaxhoheshin nga OKB-ja në qytezat përreth për shkak të rezistencës së popullsisë vendëse.

    Qendra e re ofron strehim, ushqim, ujë, shërbime sanitare dhe kujdes mjekësor në linjë me standardet ndërkombëtare.

    Projekti është financuar nga Bashkimi Evropian me ndihmën e qeverive të disa vendeve evropiane veç e veç. Kampi do të menaxhohet nga Shërbimi për Çështje të të Huajve i Bosnjës me ndihmën e Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, agjencive të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave joqeveritare.

    Që nga kriza evropiane me emigrantë e vitit 2015, Bosnja është bërë rrugë kyçe për emigrantët që synojnë të shkojnë në vendet e Bashkimit Evropian. Fillimisht, autoritetet boshnjake i lejonin emigrantët që të hyjnë në Kroaci, por kjo e fundit e mbylli kufirin për ta dhe vazhdimisht i dëbonte emigrantët, duke i lënë të ngujuar në Bosnjë.

    Lajmi Paraprak

    Florian Marku, gati të mbrojë titullin në “Uembli”

    Lajmi i rradhës

    Zgjerimi i shumicës parlamentare, ndryshimi i kabinetit qeveritar përfshirë edhe kryeministrin nuk përfundon para të muajit dhjetor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë