Bosnja në krizë të plotë | A do të parandalohet këtë herë lufta në Ballkan?

     Luke McGee
    “CNN”

    Shteti ballkanik i Bosnje Hercegovinës është në prag të asaj që analistët paralajmërojnë se është kriza e tij më serioze që prej përfundimit të luftës në Bosnje në vitin 1995, kur u vranë mijëra njerëz dhe u kryen akte të tmerrshme të spastrimit etnik.

    Përfaqësuesi i Lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, paralajmëroi në fillim të javës së shkuar se marrëveshja e paqes e ndërmjetësuar nga SHBA rrezikon të bjerë, në rast se nuk ndërmerren veprime për t’i ndaluar separatistët serbë që të ecin drejt shkëputjes nga federata.

    Milorad Dodik, udhëheqësi serb në presidencën trepalëshe të Bosnjës, ka kërcënuar vazhdimisht se do të shkëputet nga pjesa tjetër e vendit, i cili që pas luftës përbëhet nga dy rajone autonome të lidhura nga një qeveri qendrore. Por këtë herë ai po miraton ligje që e shkëpusin de fakto Republika Srpska (Republikën Serbe) nga institucionet e përbashkëta të shtetit, siç janë forcat e armatosura dhe organet e gjyqësorit.

    “Kjo është e barabartë me shkëputjen por pa e shpallur zyrtarisht”-deklaroi Schmidt paraKëshillit të Sigurimit të OKB-së, që u mblodh javën e kaluar për të zgjatur mandatin e misionit të forcës paqeruajtëse të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, EUFOR.

    Në një vend ku ndarjet etnike midis serbëve, boshnjakëve dhe kroatëve, çuan dikur në kryerjen e krimeve të luftës në historinë e fundit, ky nivel tensioni po i bën vëzhguesit shumë nervozë.“S’ka dyshim se kjo është deri më tani kriza më e rrezikshme që prej vitit 1995, dhe ajo mund të çojë drejt një lufte tjetër”- thotë Ismail Cidic, president i Qendrës së Avokimit Boshnjak, një OJQ e pavarur që mbron një Bosnje të lirë, sovrane, demokratike dhe laike.

    Tensionet sektare midis komuniteteve, kanë vazhduar që prej përfundimit të luftës dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit të ndërmjetësuar nga SHBA. Traktati i dha fund 3 viteve e gjysmë të luftës,duke e ndarë shtetin sipas vijave etnike, në Republikën Serbe dhe Federatën, e cila përbëhet nga boshnjakët dhe kroatët.

    Të dyja rajonet janë të lidhura së bashku nga një presidencë me 3 persona, me të deleguar ndërkombëtarë dhe një qeveri qendrore. Asnjë traktat paqeje nuk mund të fshijë vrasjet, përdhunimet sistematike dhe tmerret e tjera që kanë përjetuar njerëzit përgjatë luftës. Por një incident do të kujtohet më shumë se sa të tjerët: masakra e Srebrenicës që ndodhi midis 11 dhe 22 korrikut 1995.

    Mijëra burra dhe djem myslimanë u vranë nga forcat serbe të Bosnjës. Më vonë udhëheqësit e tyre u dënuan për krime lufte dhe masakra, që tashmë njihen si gjenocid nga komuniteti ndërkombëtar. Por jo të gjithë serbët janë të gatshëm ta pranojnë këtë.

    Njëri prej tyre është edhe Dodik, që është zemëruar shumë nga miratimi i një ligji nga zyra e Komisionerit të Lartë, që mund të dënojë me burgim cilindo që e mohon gjenocidin e ndodhur. Në fillim të këtij viti ai e komentoi kështu këtë ligj:“Kjo është gozhda në arkivolin e Bosnjës… Republika Srpska nuk ka zgjidhje tjetër veçse të fillojë… shkëputjen”.

    Po sa keq mund të shkojnë gjërat?Analistët druhen se edhe nëse Dodik nuk shkon drejt shkëputjes, veprimet e tij mund të jenë shumë destabilizuese dhe të shkaktojnë akte dhune, emigrim të detyruar dhe mjerim për qytetarët e zakonshëm.

    Heather Staff, këshilltare në “RAMP Project”, një organizatë e specializuar në politikat e migracionit, paralajmëron se “konflikti i dhunshëm do të çonte në një krizë refugjatësh dhe njerëzish të zhvendosur”. Dhe ndikimi do të ndihet sigurisht përtej kufijve të BosnjeHercegovinës.

    Jasmin Mujanović, autoree librit “Uri dhe zemërim:Kriza e demokracisë në Ballkan”, tha se do të ishte një “katastrofë për Bashkimin Evropian dhe komunitetin Atlantik në përgjithësi, pasi do të ishte një krizë tjetër e sigurisë në një rajon shumë të paqëndrueshëm në juglindje të Evropës”.

    Ajo vuri në dukje se me krizat aktuale të sigurisë në Ukrainë, Bjellorusi, Siri dhe Afganistan “një përkeqësim i rëndësishëm në sigurinë dhe stabilitetin e Bosnjës, është diçka që do ta vendoste në vështirësi serioze BE dhe SHBA”. Dhe siç ndodh shpesh në gjeopolitikë, një goditje e fortë ndaj Perëndimit, ofron një mundësi për rivalët e tij si Rusia dhe Kina.

    Një zyrtar i lartë i BE,u shpreh për CNN i shqetësuar se si mund të shfrytëzohet kjo situatë.

    “Komuniteti ndërkombëtar nuk mund t’i viktimizojë serbët, pasi kështu i shtyn ata më tej në krahët e Rusisë. Por Ballkani gjendet në pragun e BE-së. Rritja e ndikimit rus në rajon,i jep Moskës një tjetër bazë për ndikim”.

    Por kush e ka fajin për këtë gjendje?Shumë vëzhgues në Perëndim e pranojnë privatisht se deri më tani kanë dështuar të marrin masa, dhe se tani mund të jetë tepër vonë. Burime të shumta në BE, NATO dhe komunitetin e gjerë diplomatik evropian shprehën keqardhje për dështimin historik të Perëndimit për të vendosur sanksione apo për të vepruar me ashpërsi kundër atyre që ndezin tensionet në Bosnje Hercegovinë.

    Mujanoviç thotë se ndërsa Serbia dhe Rusia fqinje janë “arkitektet kryesorë të kësaj krize,refuzimi i komunitetit ndërkombëtar, dhe në veçanti i shteteve anëtare të NATO-s për të vepruar me vendosmëri dhe për ta kapërcyer këtë krizë, që vite më parë e ka trimëruar Dodik dhe mbështetësit e tij”. Por çfarë mund të bëhet në këto momente?

    “Komuniteti ndërkombëtar ka një mandat të qartë për të mbrojtur paqen në Bosnje. Çdo përshkallëzim i dhunës në Bosnje mund ta dëmtojë atë,pasi nuk ka luksin të përballet me një konflikt të mbështetur nga Rusia, të ndërthurur me interesa kineze dhe të të tjerëve në kufijtë e NATO-s”- mendon Cidic.

    Por a do të arrijë të bëjë diçka Perëndimi? Një zyrtar i NATO-s tha për CNN:“Ne i bëjmë thirrje Rusisë të luajë një rol konstruktiv në Ballkanin Perëndimor. Por po vërejmë se ajo rregullisht po bën të kundërtën. NATO punon për të promovuar stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin në rajon. Çdo ndërhyrje e jashtme në proceset e brendshme demokratike është e papranueshme”.

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk mund të veprojë pa Rusinë, e cila në fillim të javës së shkuar votoi pro qëndrimit të paqeruajtësve në Bosnje, vetëm pasi emri i Përfaqësuesit të Lartë u hoq nga teksti i rezolutës, duke minuar kështu besueshmërinë e këtij misioni. Gjithsesi ka disa arsye për të pasur shpresë. Mujanovic thotë se vendet anëtare të BE-së mund të “vendosin sanksione të njëanshme kundër Dodik dhe miqve të tij”, të cilat ajo beson se do të kishin njëfarë ndikimi.

    Është e vështirë që situata në Bosnje të përmirësohet në të ardhmen e afërt. Por me vullnet të mjaftueshëm politik, aktorë të fuqishëm mund ta pengojnë atë të rrëshqasë sërish në dhunë.Pyetja është nëse vendet e fuqishme perëndimore janë shumë të shpërqendruara për t’i kushtuar vëmendje të mjaftueshme një shteti që nuk është në krye të listës së tyre prioritare tani, dhe nëse janë të gatshëm të veprojnë, apo nëse mund ta kuptojnë se janë vonë./Botaal/

    Lajmi Paraprak

    Dilema e disidentit

    Lajmi i rradhës

    “Shqipëria në vendin e 105-të për korrupsionin” | Basha: Ja pse duhet vettingu në politikë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë