Bota e gjallë në lumenjtë ku ka hidrocentrale të vegjël është më e rëndësishme se biznes intereset e koncesionerëve

    Fotografia: Ilustruese

    Të anulohet ndërtimi i tre mini hidrocentraleve të planifikuara në Parkun Nacional “Mavrovë” – Zhirovnica 5 dhe 6 dhe Ribniçka 7, por edhe të merren masa për ruajtjen e lumenjve ku tashmë janë ndërtuar objekte të tilla energjetike, apelojnë nga Qendra për Hulumtime dhe Informim për Mjedisin Jetësor “Eko Svest”, shkruan Meta.mk.

    Pak kohë më parë kjo Organizatë i dërgoi një letër presidentit Stevo Pendarovski dhe kryeministrit Dimitar Kovaçevski me të cilën kërkonin anulimin e ndërtimit të hidrocentraleve në Parkun Nacional “Mavrovë” dhe me të cilën i përkujtuan se në dhjetor të vitit të kaluar vendim për këtë çështje ka marrë edhe Komiteti i Konventës së Bernës.

    Vendi, si nënshkrues i konventës, ka obligim të respektojë rekomandimet dhe vendimet që Komiteti Ekzistues i ka marrë që nga viti 2015, dy vjet pasi me iniciativën e organizatave të shoqërisë civile u hap rasti për PN “Mavrovë”.

    Nga “Eko Svest” informojnë se krahas kërkesave për ndalimin e objekteve të planifikuara energjetike, po fillojnë edhe një projekt për monitorimin e gjendjes së lumenjve në parqet “Mavrovë” dhe “Mali Sharr”, ku tashmë ekzistojnë hidrocentrale të vegjël. Në periudhën në vijim do të zhvillohet një Metodologji për rrjedhën ekologjike, e cila pritet të bëhet pjesë e Ligjit të ri për Ujërat. Rrjedha ekologjike duhet të sigurojë një minimum të sasisë së ujit në lumenj, i cili për momentin nuk është caktuar dhe të sigurojë kushte që bota e gjallë në lumenj të ketë prioritet ndaj biznes interesave të koncesionarëve.

    Gjorgji Mitrevski nga “Eko Svest” thotë se lufta për lumenjtë ka kohë që po zhvillohet dhe po ec para me hapa të vegjël, sidomos kur nga ana tjetër në vend të interesave publike janë ato të biznesit. Ai thotë se në Ligjin e vjetër për Ujërat, organizatat e shoqërisë civile ia dolën mbanë që të fusin më shumë mekanizma për mbrojtjen e ujit. Sa i përket mini hidrocentraleve, ai ligj përcakton një minimum biologjik të rrjedhës së ujit, pra hidrocentrali është i detyruar të zërë 10 përqind të rrjedhës mesatare vjetore të lumit. Por kjo praktikë u tregua jo funksionale gjatë verës kur rrjedhat ujore janë pothuajse bosh.

    Të dhënat për sasinë e ujit të lumenjve nga Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike (DÇHM), në bazë të të cilave llogaritet rrjedha mesatare vjetore datojnë nga vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar dhe që nga ajo kohë gjendja e ujërave ka ndryshuar shumë dhe rendimenti i tyre ka rënë shumë. Prandaj, thekson Mitrevski, ata insistojnë në transpozimin e Direktivës së BE-së për ujërat dhe definimin e rrjedhës mjedisore. Kjo do të nënkuptonte përcaktimin e sasisë minimale të ujit që duhet të jetë në shtratin e lumit në çdo kohë të vitit për të funksionuar ekosistemi i lumit dhe ekosistemet e varura nga uji.

    “Qëllimi ynë është që të mos lejojmë që i gjithë uji i lumenjve të përdoret për t’i ushqyer hidrocentralet. Projekti ka për qëllim mbështetjen e parqeve nacionale, kështu që punonjësit e tyre do të trajnohen për të punuar sipas kësaj metodologjie. Atyre do t’u jepen edhe pajisje dhe me vendosjen e metodës referente të matjes në bazë të së cilës do të mund të certifikohet një institucion për këto matje”, thotë Mitrevski.

    Në periudhën e ardhshme ekologët do të kryejnë edhe monitorim të rregullt të gjendjes së lumenjve në të cilët tashmë ka hidrocentrale. Si shembull është marrë Mala Reka në PN “Mavrovë”, ku do të punohet me një partner lokal përmes shembullit të shkencës qytetare, gjegjësisht vendasit do të trajnohen se si të monitorojnë gjendjen e rrjedhës ujore.

    Kjo përvojë do të zbatohet pastaj edhe në “Malin Sharr” në lumin Bistrica, mbi të cilin janë ndërtuar tre hidrocentrale. Në bazë të të dhënave që do të fitohen, thotë Mitrevski, do të bëhet plan për restaurimin e lumenjve, aktivitet i cili nuk është realizuar më parë në vendin tonë.

    Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor thonë se vendi do i respektojë rekomandimet e Konventës së Bernës për hidrocentralet e vogla në Parkun Nacional “Mavrovë”. Nga atje thanë se vendimet janë në ndjekje e sipër, por nuk na njoftuan nëse Ministria tashmë ka filluar ndonjë procedurë për ndërprerjen e koncesioneve.

    Mbetet e panjohur për sa dhe për cilët hidrocentrale të vegjël vlen qëndrimi i tyre se do të respektojnë vendimet e Konventës, duke qenë se ankesa e organizatave të shoqërisë civile i referohet tre hidrocentraleve, të cilat janë të planifikuara, por që nuk janë ndërtuar ende.

    Në vitin 2015 Komiteti ekzistues i Konventës së Bernës miratoi një Rekomandim për “Mavrovën”, i cili kërkoi nga Maqedonia të pezullojë të gjitha projektet hidroenergjetike dhe infrastrukturën deri në përgatitjen e Vlerësimit Strategjik të Ndikimit ndaj Mjedisit Jetësor dhe në vitin 2021 rekomandoi ndalimin e të gjitha hidrocentraleve – të mëdha, të mesme dhe atyre të vogla në parqet nacionale.

    Lajmi Paraprak

    Partitë politike për propozimin e Alternativës: Nuk kemi nevojë për asociacion

    Lajmi i rradhës

    Deputetja Eliza Hoxha sulmohet nga qentë endacakë, lëndohet duke ikur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë