Brenda shtëpisë ku të moshuarit luftojnë vetminë

    Në shtëpinë e Habibe Ismajlit ndodhen rreth 100 shtretër. Mbulesat shumëngjyrëshe mbi ta u japin ngrohësi natën të moshuarve, të cilët jetojnë së bashku, pasi që nuk kanë mundësi përkujdesjeje nga familjarët e tyre.

    Edhe pse Shtëpia e Personave të Moshuar dhe pa Përkujdesje Familjare në Prishtinë strehon 57 të moshuar, Habibja e cilëson atë si shtëpi të sajën.

    Habibja, 55-vjeçare, është banorja më e re në moshë në këtë shtëpi, por ajo ka qëndruar aty më gjatë se cilido banor tjetër.

    Hebibe Ismaili thotë se Shtëpia e Personave të Moshuar pa Përkujdesje Familjare në Prishtinë është shtëpia e saj.
    Hebibe Ismaili thotë se Shtëpia e Personave të Moshuar pa Përkujdesje Familjare në Prishtinë është shtëpia e saj.

    Kur ishte vetëm 16-vjeçare, në vitin 1984, ajo mbeti pa përkujdesje familjare dhe u strehua në këtë hapësirë, në mungesë të një qendre tjetër për të mitur.

    Si e vetmja banore e mitur, fillimin në këtë qendër e ka pasur të vështirë. Por, tani Habibja i kalon ditët duke vizatuar, qëndisur e lexuar.

    “Mua gjithçka këtu më disponon, nuk mendoj as për nënën as për babanë, pse nuk i kam. Kjo është shtëpia ime, familja ime. Sa herë që vij në mëngjes, [më thonë] ‘Bibë, zemër, a u çove, a ke fjetur?’. Dhurata më e mirë për mua është kur ma japin një fjalë të mirë”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

    Një prej dhomave në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, ku banoret e kalojnë një pjesë të kohës së lirë duke punuar punë dore. Nëntor 2023.
    Një prej dhomave në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, ku banoret e kalojnë një pjesë të kohës së lirë duke punuar punë dore. Nëntor 2023.

    Të ardhur nga qytete të ndryshme të Kosovës, banorët e kësaj shtëpie e kanë një të përbashkët: mungesën e fëmijëve biologjikë.

    Tani ata mund të ulen në dhomën e ndejës – ku muret janë të mbuluara me punime shumëngjyrëshe artistike – dhe të bisedojnë me njëri-tjetrin për përjetimet e tyre gjatë jetës.

    Mundësia për ta ndarë dhimbjen me të tjerët ka bërë që Bukurie Haxhiaj ta shijojë qëndrimin e saj në këtë shtëpi.

    “Mos të lëntë Zoti vetëm, askush nuk mund të rrijë vetëm. Edhe bukën nuk mund të bësh vetëm për një person. Të jetosh vetëm… çfarë domethënie ka jeta? [Është e] kotë. Së paku këtu kemi dikë. Nëse kam nevojë diçka, mjekun e kam, një shoqe mund të më gjendet”, thotë ajo.

    Që dy vjet këtu kanë ardhur edhe 73-vjeçari Islam Kuleta dhe bashkëshortja e tij. I pasionuar pas kultivimit të perimeve, ai kishte kërkuar që në oborrin e shtëpisë të ndërtohet një serrë. Tani ai e kalon shumicën e kohës aty, duke prodhuar sallatë të gjelbër dhe qepë.

    Islam Kuleta duke punuar në serën e Shtëpisë së të Moshuarve, ku edhe jeton.
    Islam Kuleta duke punuar në serën e Shtëpisë së të Moshuarve, ku edhe jeton.


    Pavarësisht se është i kënaqur me kushtet që i ofron kjo shtëpi, Islami ende nuk e ka kaluar një dhimbje: mungesën e njerëzve të afërt përreth vetes.

    “Pesë motra i kam pasur. Kur kam qenë në banesën time, i merrja, uleshim rend [në dhomën e ndejës]. Më dukej se krejt qyteti ishte i imi. Kjo puna e mysafirëve po më mungon shumë. Unë shkoj te të gjithë, por ata nuk munden të vijnë, të flenë këtu natën, si në banesën time”, thotë ai.

    Islam Kuleta gjatë bisedës në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë.
    Islam Kuleta gjatë bisedës në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë.

    Fillimi kishte qenë i vështirë edhe për Shenaze Salihun, 81-vjeçaren që 11 vjetët e fundit i ka kaluar në këtë shtëpi. Dhimbjen ia rëndoi vdekja e bashkëshortit.

    Por, vitet e kaluara në këtë shtëpi i kanë mundësuar asaj të krijojë shoqëri të reja, që ia kanë bërë qëndrimin aty të këndshëm.

    “Shyqyr Zotit qe ekziston kjo shtëpi, për mos t’iu bërë barrë askujt. Mirë e kemi këtu, në këtë hapësirë rrimë ditën, pimë kafe, qëndisim, bisedojmë me shoqe. Për veshmbathje kurrë nuk kemi pasur problem, na ofrohen shërbime mjekësore 24 orë [në ditë]. Çka duhet të kemi tjetër?!”, shprehet ajo.

    Shenaze Salihu, banore e Shtëpisë së të Moshuarve në Prishtinë. Ajo jeton këtu tash e 11 vjet.
    Shenaze Salihu, banore e Shtëpisë së të Moshuarve në Prishtinë. Ajo jeton këtu tash e 11 vjet.

    Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, rreth 6.7 për qind e popullsisë në Kosovë janë mbi moshën 65-vjeçare.

    Drejtoresha e kësaj qendre, Raza Aliqkaj, tregon se 36 gra dhe 21 burra aktualisht jetojnë aty. Por, shton se qendra ka kapacitet të strehojë deri në 100 persona të moshuar.

    “Shtëpia ofron 24 orë në ditë përkujdesje, ushqim, veshmbathje, siguri, mirëqenie, shërbim shëndetësor. Funksionon kuzhina me tre racione ushqimi. Ushqimi për çdo ditë përgatitet i freskët. Për të gjitha këto kujdesën 51 të punësuar”, tregon Aliqkaj.

    Kërkesat për t’u vendosur në këtë institucion bëhen përmes Qendrave për Punë Sociale, që gjenden në të gjitha komunat e Kosovës.

    Dy gra qëndrojnë në një dhomë e fjetjes në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë.
    Dy gra qëndrojnë në një dhomë e fjetjes në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë.

    Nga Ministria e Drejtësisë (MD) thonë për REL-in se “numri i kërkesave të të moshuarve ndryshon nga viti në vit”, por nga ky institucion nuk treguan se sa është numri i kërkesave.

    Aktualisht, MD-ja thotë se në Kosovë, përveç Shtëpisë për Persona të Moshuar në Prishtinë, janë edhe katër shtëpi me bazë në komunitet të cilat ofrojnë shërbime dhe përkujdesje 24 orë për personat e moshuar pa përkujdesje familjare, e që janë edhe raste sociale.

    Disa gra, banore në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, më 23 nëntor 2023.
    Disa gra, banore në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, më 23 nëntor 2023.

    Kriter për t’u vendosur në qendrën në Prishtinë, sipas një udhëzimi administrative, është që personi të jetë të paktën 65-vjeçar, të mos ketë pasardhës, të jetë në gjendje të mirë psikike dhe mos të ketë sëmundje infektive. Vendosja në qendër lejohet edhe nëse i moshuari ka vajzë, që është e martuar.

    E fundit që i është bashkuar shtëpisë së të moshuarve në Prishtinë është 73-vjeçarja nga Ferizaji, Nafije Shahini. Ajo kujton se ishte gëzuar shumë kur, në gusht, kishte marrë vesh se është pranuar për strehim në këtë shtëpi.

    Nafije Shahini është banorja më e re e Shtëpisë së të Moshuarve. Ajo shprehet shumë e gëzuar që është vendosur në këtë shtëpi.
    Nafije Shahini është banorja më e re e Shtëpisë së të Moshuarve. Ajo shprehet shumë e gëzuar që është vendosur në këtë shtëpi.

    “Vetë kam kërkuar dhe kam insistuar të vij këtu, nuk mërzitem fare. Këtu kaloj mirë, kam shoqe, bëjmë shaka, dal në oborr, është shumë mirë”, thotë ajo. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Çfarë duhet të bëni me bimët gjatë vjeshtës

    Lajmi i rradhës

    Valë gripi në Gjermani – pasoja tek mësimdhënia dhe kopshtet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë