Brezi i ri po e shtyn familjen për “nesër”!

    Martesa po shtyhet gjithnjë e më shumë, ndërsa divorcet po bëhen më të shpeshta. Ndryshimet ekonomike, emigrimi i vazhdueshëm dhe transformimi i mënyrës së jetesës po ndikojnë në strukturën familjare në vend, duke sjellë një realitet të ri ku gjithnjë e më pak çifte vendosin të kurorëzojnë lidhjen e tyre, ndërsa numri i atyre që i japin fund martesës po rritet. Të dhënat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS) tregojnë se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 10.507 martesa, ose 5.1 për qind më pak krahasuar me vitin 2024. Në të njëjtën kohë, janë evidentuar 2.185 divorce, që paraqet një rritje prej tetë për qind në raport me vitin paraprak. Numri më i madh i martesave është regjistruar në muajin gusht, me 1.362 kurorëzime, ndërsa më i ulëti në mars, me 473 martesa.

    Sipas statistikave, mosha mesatare në martesën e parë ka arritur në 27.5 vjeç për gratë dhe 30.2 vjeç për burrat, duke treguar se të rinjtë po e shtyjnë gjithnjë e më shumë krijimin e familjes. Ndërkohë, numri më i madh i divorceve është regjistruar te grupmosha 35 deri në 39 vjeç, ndërsa më së shumti martesat përfundojnë pas pesë deri në nëntë viteve bashkëjetesë.

    Psikologia Azra Milaimi-Rexhepi për gazetën KOHA vlerëson se këto zhvillime pasqyrojnë ndryshimet e thella që po ndodhin në shoqëri dhe në mënyrën se si konceptohet familja. “Koncepti i familjes po kalon nëpër ndryshime të dukshme. Familja tradicionale me disa breza që jetojnë së bashku po zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga familjet bërthamë, ndërsa rritet edhe numri i çifteve që shtyjnë martesën ose vendosin të kenë më pak fëmijë. Këto ndryshime lidhen me urbanizimin, arsimimin, pjesëmarrjen më të madhe të grave në tregun e punës dhe ndikimin e modeleve moderne të jetesës”, shpjegon psikologia.

    Ajo thekson se faktorët ekonomik kanë ndikim të konsiderueshëm në marrëdhëniet familjare, edhe pse rrallëherë janë arsyeja e vetme që çon në ndarje.

    “Vështirësitë financiare janë ndër faktorët që mund të ndikojnë në tensionet brenda familjes dhe në marrëdhëniet bashkëshortore. Kur familjet përballen me pasiguri ekonomike, borxhe ose pamundësi për të përmbushur nevojat bazë, rritet stresi dhe mund të përkeqësohet komunikimi mes partnerëve. Megjithatë, konfliktet financiare zakonisht nuk janë shkaku i vetëm i ndarjeve, por shpesh ndërthuren me faktorë të tjerë emocionalë dhe socialë”, tha ajo.

    Sipas saj, emigrimi, pasiguria ekonomike dhe rritja e vazhdueshme e kostos së jetesës po ndikojnë drejtpërdrejt në vendimet e të rinjve për martesë dhe krijim familjeje. “Emigrimi ka ndikuar në ndarjen fizike të shumë familjeve, duke krijuar sfida në ruajtjen e lidhjeve familjare dhe në kujdesin ndaj fëmijëve apo të moshuarve. Në të njëjtën kohë, pasiguria ekonomike dhe rritja e kostos së jetesës po ndikojnë në vendimet për martesë, lindshmëri dhe planifikim familjar. Këta faktorë po e bëjnë më të vështirë krijimin dhe stabilitetin afatgjatë të familjeve, veçanërisht tek të rinjtë”, vlerësoi psikologia për gazetën KOHA.

    Duke komentuar dallimet mes komuniteteve, ajo shton se faktorët kulturorë dhe traditat familjare vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm në qëndrueshmërinë e martesës.

    “Një nga shpjegimet e mundshme lidhet me faktin se në familjet shqiptare vazhdojnë të jenë më të pranishme strukturat tradicionale familjare, ndikimi i familjes së zgjeruar dhe faktorët kulturorë e fetarë, të cilët shpesh e bëjnë martesën një institucion me stabilitet më të madh”, deklaroi ajo. Ndryshe, rënia e numrit të martesave dhe rritja e divorceve po shfaqen si një tjetër tregues i transformimeve demografike dhe sociale në vend. Krahas rënies së lindjeve dhe emigrimit të vazhdueshëm, këto zhvillime tregojnë se familja po ndryshon formë dhe po përballet me sfida të reja, të lidhura ngushtë me pasigurinë ekonomike dhe ndryshimet në stilin e jetesës së brezave të rinj. Koha

    Lajmi Paraprak

    Miliona euro të papaguara për pensionet e minatorëve të Trepçës

    Lajmi i rradhës

    Çfarë jomyslimanësh dëshirojmë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë