Rilind Dauti
Publicist
Shqiptari ateist, agnostik apo i krishterë, tregon se çfarë myslimani shqiptar dëshiron: “Nuk duam myslimanë kështu, duam myslimanë ashtu” (dhe u vendos disa tipare). “Ne nuk kemi asgjë kundër myslimanëve të këtillë, por kundër myslimanëve të atillë” (dhe u vendos disa shembuj, qoftë te shqiptarët, qoftë nga bota).
Atëherë, me të njëjtën logjikë, hajde të diskutojmë edhe se çfarë mosbesimtarësh dhe besimtarësh të religjioneve të tjera duam te shqiptarët.
Duam shqiptarë agnostikë parimorë si Rexhep Qosja, që nuk anonte kah njëri ose tjetri besim i shqiptarëve, e nuk duam agnostikë që u pengon praktika dhe vetë prania e një feje, ndërsa nuk u pengon, ose u pëlqen, praktika dhe prania e një feje tjetër. Duam shqiptarë agnostikë që u pengojnë zbukurimet për Krishtlindje, që qëndrojnë në institucione shtetërore dhe në sheshe më shumë se një muaj, po aq sa u pengon namazi i Bajramit në shesh dy herë në vit, nga gjysmë ore.
Duam të krishterë shekullarë, e nuk duam demokristianë dhe të tjerë përfaqësues të krishterimit politik. Shqiptarëve u nevojiten katolikë si Gjergj Fishta, që ishte nacionalist i regjur, e nuk duam katolikë si Prenk Bibë Doda, që bashkëpunonte me serbët dhe malazezët kundër Shqipërisë. Duam katolikë shqiptarë me ndjenjë dhembshurie si Papa Françesku, që dilte në mbështetje të viktimave palestineze, e nuk duam shqiptarë katolikë që, nga urrejtja për bashkatdhetarët shqiptarë myslimanë, kënaqen me shtypjen izraelite të palestinezëve myslimanë.
Dëshirojmë protestantë shqiptarë si Qiriazët dhe Dakot, që para së gjithash brengoseshin për Shqipërinë, e nuk duam protestantë shqiptarë që më shumë brengosen për hebrenjtë e Izraelit sesa për fatin e shqiptarëve. Duam protestantë shqiptarë me sens drejtësie, si ish-presidenti amerikan Jimmy Carter, që e ka denoncuar aparteidin izraelit, e nuk duam të krishterë zionistë që besojnë se Zoti kërkon mbështetje pa kushte për Izraelin.
Shqiptarëve u nevojiten ortodoksë si Fan Noli e Josif Bageri, që ishin nacionalistë shqiptarë, e nuk duam tradhtarë si ortodoksët e Jugut, të cilët u bënin thirrje të huajve që vendbanimet e tyre në Shqipëri të bëheshin pjesë e Greqisë, dhe nuk duam renegatë si ish-shqiptarët ortodoksë në Maqedoni, që janë shkombëtarizuar dhe janë bërë më antishqiptarë se sllavët e vërtetë.
Kërkojmë ateistë shqiptarë që janë me të vërtetë humanistë shekullarë për këdo që bëhet fjalë, që janë në anën e viktimës kur ajo ka të drejtë dhe e denoncojnë agresorin kur ai e ka gabim, si ateisti militant Christopher Hitchens, që e ka denoncuar tërë projektin zionist si një budallallëk në radhë të parë dhe e ka kritikuar kolonizimin e mëtejshëm të Bregut Perëndimor.
Duam sekte heterodokse si bektashizmi, që janë konzistente në mesazhin universal humanist dhe së paku aktrojnë se brengosen për fatin e vëllezërve në fe të rrymës kryesore, siç aleviu turk Kemal Kiliçdaroglu ka dalë me simbole palestineze në mbështetje të tyre, e nuk duam bektashinj si Baba Mondi, që i mbështet keqbërësit izraelitë.
Duam hebrenj në Shqipëri që lojalitetin ekskluziv e kanë ndaj Shqipërisë, e nuk duam hebrenj si kryerabini i Shqipërisë, që i shërben IDF-së kriminele.
Duam shqiptarë myslimanë laikë që nuk e shajnë fenë e shumicës, ndërsa kanë simpati për fenë e pakicës, por duam laikë si xhonturqit, që para së gjithash kujdeseshin për interesat e pjesëtarëve të fesë së shumicës. Duam laicistë shqiptarë që nuk janë kozmopolitë pa krenari kombëtare, por duam laicistë si Ataturku, që e ngriti kulturën e popullit të vet. Nuk duam laicistë shqiptarë që janë qyqarë për t’i dalë armikut përballë, por duam laicistë trima si Ataturku, që i dëboi të gjithë pushtuesit nga Turqia. Nuk duam laicistë shqiptarë që ndarjen e Shqipërisë e marrin si akt të kryer dhe rishikimin e kësaj padrejtësie e konsiderojnë anakronizëm, por duam laicistë si Ataturku, që e shfuqizoi ndarjen e Turqisë.
***
Nëse vendosim të jemi të përpiktë, te çdo grup mund të gjejmë ndonjë dele të zezë dhe pretekste për kritika, qoftë nga këndvështrimi njerëzor, qoftë nga ai kombëtar. Jo se shqiptarit të besimit islam i intereson se çfarë “Islami” apo çfarë myslimani dëshirojnë urrejtësit e tyre, por, për hir të unitetit kombëtar, të mos shprehet njëanshmëri dhe tendenciozitet që shkakton përçarje, nga e cila përfitojnë armiqtë tanë. /Nistori/
*Rilind Dauti është kolumnist i rregullt i Nistorit. Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.






