Bujqësia në RMV në minus prej 345 milionë euro!

    Maqedonia e Veriut në vitin e kaluar shënon eksport të ushqimeve prej 493 milionë euro dhe import të tyre në vlerë prej 975 milionë euro, si dhe eksport të prodhimeve bujqësore me vlerë prej 300 milionë euro dhe import të tyre në vlerë prej 163 milionë euro. Me fjalë të tjera kemi eksport të ushqimeve dhe bujqësisë në vlerë prej 793 milionë euro dhe import të tyre prej një miliardë e 138 milionë euro. Thënë ndryshe kemi minus apo deficit prej 345 milionë euro në këmbimin tregtar të sektorit agro-industrial, që vjen kryesisht nga prodhimet e gatshme ushqimore të importit, përderisa bilancin e përmirëson eksporti i perimeve, pijeve, duhanit dhe verës.

    Të dhënat statistikore tregojnë se në vitin e kaluar kemi eksportuar vlerën e 95 milionë euro të zarzavate apo perime që parqet një rritje të madhe në raport me vitin 2014 kur janë ekspertuar 69 milionë euro perime. Në vitin 2023 dominojnë në këtë segment lakrat me afër 30 milionë euro dhe specat me afër 21 milionë euro. Përderisa tregjet kryesore eksportuese të perimeve nga Maqedonia janë Serbia, Polonia dhe Kroacia.

    Rëndësi shumë të madhe në eksport ka duhani me bile 120 milionë euro eksport në vit. Njëherësh në vitin 2023 është regjistruar eksport i vlefshëm gati 58 milionë euro nga 255 bodrume të verës, prej të cilave bile 173 janë prodhues familjar. Ky eksport është rritur në raport me 50 milionë euro në vitin 2021.

    Ekspertët bujqësor thonë se kemi një moshë të vjetër të bujqve që i afrohet asaj 60 vjeçare, mungesë konkurrence të sektorit bujqësor si dhe boshatisjen e fshatrave së bashku me numrin jo të madh të fermerëve të rinj, duke shtuar se nuk kemi as një klimë më të favorshme në raport me disa vende fqinje.

    “Maqedonia ka shumë diell, është e thatë në aspektin natyror, me shumë dimra të ftohtë dhe nuk është e ngrohtë sikur Greqia dhe Shqipëria. Në vendin tonë toka më pjellore është toka aluviale, e cila është rëra, krijojmë ujë me mbi njëqind rezervuarë të ndërtuar, të mbjellat pësojnë goditje të temperaturës dhe e gjithë kjo e vendos bujqësinë vendore në të ashtuquajturat prodhimtari bujqësore të kufizuar nga mungesa e ujit. Thjesht, ne kemi potencial shumë të ulët dhe kjo do të thotë se nuk kemi investitorë dhe kapital të huaj në sektorin e bujqësisë”, vlerëson profesori Ordan Çukaliev.

    Problem më vete është edhe ajo se fermerët kanë një nivel të ulët arsimor si dhe copëzimi i tokës dhe fermat e vogla që kanë rendimente të ulëta. Fermerët ankohen me vite se plasmani jo i organizuar i produkteve bujqësore dhe çmimet e ulëta të blerjes sidomos në 10 vitet e fundit, i vendos në pozitë të cenueshme prodhuesit primar bujqësorë sa i përket aktiviteteve ekonomike dhe afariste, si dhe standardin e tyre jetësor.

    Nga Federata e Fermerëve thonë se përskaj nivelit të dobët të organizmit të punës së përbashkët, i mundon edhe mungesa e një zgjidhjeje ligjore për prodhimin me kontratë për të gjitha kulturat bujqësore të rëndësishme si shembulli i duhanit, së bashku me emigracionin dhe shpërnguljen nga fshati në qytet dhe shtetet evropiane sidomos të të rinjve dhe grave që arriti 50 për qind, shkakton telashe të mëdha.

    Fermerët kërkojnë futjen ligjore të llogaritjes së çmimit të prodhimit si garanci që të mos ketë tregtar që përfitojnë nga kurrizi i atyre që prodhojnë ushqim.

    Kërkohet që t’i kushtohet një rëndësi e veçantë ndryshimeve klimatike, që janë realisht një problem i madh për fermerët që duhet të përshtatin prodhimin me kushtet e reja klimatike.

    Ekspertët vlerësojnë se asnjë shtet në botë në tërësi nuk kënaq nevojat e tij për ushqim, mirëpo në pjesën më të madhe orientohet ndaj prodhimtarisë bujqësore ku ka më shumë përparësi konkurruese dhe ku në treg mund të ofrojë sasi dhe cilësi të mjaftueshme që do të orientohen në eksport dhe do të kënaqin edhe nevojat vendore për prodhime bujqësore dhe të ushqimit.

    “Nuk mundemi në tërësi të sigurojmë të gjitha nevojat për ushqime, megjithatë ekziston mundësia të rrisim prodhimtarinë e artikujve themelor ushqimor duke përdorur edhe mënyrën më të mirë për të bërë diçka apo optimizmin maksimal të kapaciteteve duke i përdorur për prodhimtarinë e ushqimit”, vlerësojnë ekspertët.

    Për më tepër shtojnë se një nga shkaqet kryesore pse ushqehemi me ushqim të prodhuar jashtë është prodhimi stihik, si dhe fakti se bujqit pak prodhojnë prodhime blegtorale, si pemë apo perime për industrinë përpunuese, ndërsa më shumë janë të orientuar të prodhojnë për shitje në treg, në vend për kapacitetet prodhuese. Me fjalë të tjera mungon përpunimi më i madh i industrial i përpunimeve të qumështit, mishit, si dhe pemë-perimeve. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Një ofiqar në Shkup ka falsifikuar certifikatë të lindjes: ka regjistruar një fëmijë me numër amë inekzistent

    Lajmi i rradhës

    Gurët në veshka, dhimbjet dhe simptomat e mundshme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë