BUJQIT NË RMV ME VITE ANKOHEN PËR SHITBLERJEN E PRODHIMEVE BUJQËSORE

    Foto Ilustruese

    Qendrat e reja grumbulluese për prodhimet bujqësore në Shkup, Resnjë dhe Strumicë janë të vonuara në realizimin e tyre. Të paralajmëruara që në muajin qershor të vitit të kaluar në kuadër të modernizimit të bujqësisë me një projekt të vlefshëm afër 50 milionë euro, këto projekte akoma kanë mbetur në letër.

    PROJEKT I BANKËS BOTËRORE

    Për financimin e Projektit për modernizimin e bujqësisë janë siguruar 46 milionë euro nga Banka Botërore dhe 4 milionë euro grant nga Bashkimi Evropian. Mjetet nga Banka Botërore janë siguruar me kushte shumë të favorshme, me afat pagese prej 12 viteve, me afat të pritjes së fillimit të pagesës apo me grejs periudhe të përfshirë prej 4 viteve . Ato dedikohen ndër të tjerash edhe për përmirësimin e kapacitetit institucional për shfrytëzimin e fondeve evropiane bujqësore. Kompetentët thonë se nevojiten zgjidhje sistemore që do të sigurojnë prodhim më masovik, më cilësor dhe më konkurrues, rrjetëzim si dhe krijim të një sistemi të mirë për plasimin e sigurt të prodhimeve bujqësore.

    Projekti duhet të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së prodhimeve bujqësore dhe vendosjen e standardeve në prodhimin bujqësor, me ç’rast do të rritet vlera dhe konkurrenca e prodhimeve bujqësore në tregjet ndërkombëtare. Synohet edhe avancimi i menaxhimit të dhe praktikave të dobëta pas vjeljes, si klasifikimin dhe vlerësimin e dobët, si dhe paketimet e papërshtatshme gjatë transportit, që e dëmtojnë freskinë dhe cilësinë e prodhimeve.

    Njëherësh, Maqedonia e Veriut posedon edhe kapacitete të kufizuara dhe teknikisht të vjetruara për deponim që duhet të modernizohen, si përmes qendrave lidhur me grumbullimin dhe deponimin e prodhimeve rezistente ndaj klimës, të cilat do të vendosen në mënyrë strategjike dhe të përparuara teknologjikisht dhe që do të sigurojnë një përfshirje të plotë të shërbimeve për vlerësim, klasifikim dhe paketim sipas standardeve të cilësisë dhe procesit të dorëzimit deri te blerësit.

    HAPET TENDERI

    Ministri i bujqësisë, Ljupço Nikollovski bëri të ditur se javën e kaluar është shpallur thirrje publike për këtë projekt të rëndësishëm që po punohet me Bankën Botërore për ndërtimin e qendrave blerëse në Strumicë dhe Resnjë, si është shpallur thirrja për projektin për ndërtimin e platformës së shpërndarjes logjistike që do të vendoset në Shkup, apo në komunën e Gazi Babës, që do të kushtojë afër 20 milionë euro.

    “Deri më 17 nëntor do të zgjidhet një kompani konsulente ndërkombëtare për hartimin, mbikëqyrjen, përcaktimin e planit të biznesit, projektit bazë. Ftojmë kompanitë që të marrin pjesë në tender. Ky do të jetë objekti më i madh kapital në bujqësi, për shkak se gjendet në afërsi të qarkores së Shkupit që do të ketë qendër bashkëkohore distributive që do të mbulojë të gjithë këtë rajon“, shtoi Nikollovski.

    Ai shtoi se procedura e tenderit për qendrat në Strumicë dhe Resnjë tashmë është duke u zhvilluar. Janë tre qendra kryesore që duhet të lidhin të gjitha rajonet kryesore bujqësore. Do të ndryshojnë zakonet e fermerëve, do të ndryshojnë gjithçka në bujqësi, sepse do të jenë një vend ku do të gjendet furnizimi i produkteve bujqësore, ambalazhimi i tyre, kalibrimi, do të ketë frigoriferë”, shton Nikollovski.

    BUJQIT ME VITE ANKOHEN PËR PLASMANIN

    Nga Federata e Fermerëve të Maqedonisë thonë se në vitet e kaluara, pandemia vetëm ka nxjerrë në sipërfaqe dobësitë dhe problemet që shtresohen me vite të prodhimtarisë bujqësore në vend. Nga atje shtojnë se po bëhemi shtet i varur nga importi i ushqimit, përderisa akoma nuk është vendosur një sistem stabil i prodhimtarisë së kontraktuar dhe nuk janë zgjidhur problemet me grumbullimin dhe plasmanin apo shitblerjen e prodhimeve bujqësore. “Ajo që më shumti e prek fermerin e Maqedonisë, janë çmimet e ulëta të blerjes dhe ky trend është i dukshëm në dhjetë vitet e fundit. Kjo i vendos prodhuesit primar bujqësorë në një pozitë të cenueshme për sa i përket aktiviteteve ekonomike dhe biznesore, si dhe standardit të tyre të jetesës”, thonë nga Federata e Fermerëve të Maqedonisë.

    Për më tepër shtojnë se ato që mund të përkufizohen si probleme dhe sfida të rëndësishme në plasman janë çmimet e ulëta të blerjes, mos organizimi i fermerëve, konkurrenca e pandershme që ka monopolin në tregun e blerjes, mungesa e prodhimit me kontratë, niveli i ulët i arsimimit dhe investimeve në teknologjitë e reja, edukimi i pamjaftueshëm për sipërmarrjen, mos ekzistenca e teknologjive pas vjeljes dhe zgjatja e afatit të përdorimit, sasitë e pamjaftueshme të një produkti të caktuar, pjesëmarrja e vogël e objekteve përpunuese në blerje, mos realizimi i analizave të tregut, rendimenti i ulët për njësi sipërfaqe.

    POPULLATA E VARFËR RURALE

    Këto probleme kanë zvogëluar numrin e fermerëve, kanë rritur migrimin nga fshati në qytet si dhe kanë varfëruar popullatën rurale. Shoqatat bujqësore po regjistrojnë me qindra dhe mijëra hektarë tokë bujqësore që nuk punohet, prodhim stihik dhe pa plan, blerje që nuk garantohet si dhe ndryshimet klimatike që në vitet e fundit kontribuojnë në uljen e prodhimit bujqësor. Andaj edhe kërkohen organizim më i mirë nga ana e shtetit dhe krijim i ambientit për investime serioze në sektorin e bujqësisë. Bujqit shpresojnë se qendrat e reja grumbulluese do të jenë më serioze në punën e tyre, të avancojnë shitblerjen e prodhimeve bujqësore dhe to kenë fatin e qendër grumbulluese Agrokor në Strumicë të hapur 11 vite më parë që duhej të grumbullojë dhe distribuojë mbi 60 mijë tonë pemë perime për eksportet jashtë vendit, që me kalimin e kohës, jo nuk e rriti punë por e uli dhe e zvetënoi atë. Në vitin 2015, pronari i AgroKor Ivica Todoriq, e shiti biznesin kompanisë Agro Fruktus.

    Në vitin 2017 shumica e të punësuarve në këtë kompani janë lëshuar nga puna, si rrjedhojë e uljes së vëllimit të punës. Paraprakisht në vitin 2016, ky investitor i huaj i bleu tre kompani vendore të grumbullimit të pemë perimeve si Euro Agria, Vant dhe Vba Futura nga Strumica. Të dhënat e fundit të institucioneve kroate tregojnë se kjo kompani në vitet e fundit po punon me humbje. Kështu në vitin 2021 ka realizuar rezultat neto prej minus 257 mijë kuna apo shënon rezultat negativ financiare prej afër 36 mijë euro. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Uzurpatorët e pronës publike në Komunën e Tetovës

    Lajmi i rradhës

    Në mesin e migrantëve në RMV edhe fëmijë pa prindër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë