Bulevardi “Bllagoja Toska”, Kasami: Ne po e jetësojmë projektin | BDI: Kjo arritje që po reklamoheni është falë punës së Teuta Arifit

    Ditë më parë filluan punimet në ndërtimin e bulevardit në “Bllagoja Toska”. Sipas kryetarit të komunës së Tetovës, Bilall Kasami, shpronësimi, gjegjësisht të gjitha mosmarrëveshjet me pronarët e shtëpive kanë përfunduar me sukses dhe asfaltimi i rrugës nga shkolla e mesme tekstile duhet të vazhdojë deri te ura afër Spitalit Klinik të Tetovës, shkruan Nistori.

    Sipas Kasamit rruga do të jetë gati në një afat të shkurtër kohor. I pyetur nga Nistori nëse vërtetë është kryer shpronësimi dhe se kur do të përfundojnë saktësisht punimet, ai deklaroi se, sipas dinamikës së punëve në terren, bulevardi do të jetë gati në vjeshtë të vitit 2022.

    “Ne kemi marrëveshje me të gjithë pronarët. Një ndër ato, opinioni është i njoftuar me vendim të gjykatës. Sigurisht ne kemi treguar gatishmëri që edhe me ata të kemi marrëveshje, mirëpo nuk ka pasur interesim dhe kemi vendim të plotfuqishëm të gjykatës. Si do të reagojnë qytetarët në fjalë apo të tjerë, janë organet tjera që duhet të merren me atë punë. Sa i përket shpronësimit janë të përmbyllura të gjitha marrëveshjet. Ndërkohë, informohem se edhe në një pjesë tjetër ka pasur një lëshim, nuk ka marrëveshje. Por jemi në komunikim me qytetarin, ka gatishmëri dhe ajo çështje është e mbyllur, nuk paraqet problem. Në aspektin e shpronësimit të gjitha procedurat janë të përmbyllura. Afati, e përmenda, dikund në vjeshtë besojmë, dinamika me të cilën jemi marrë vesht me kompaninë, në vjeshtë, shtator-tetor, kjo rrugë duhet të jetë në shërbim të qytetarëve.” – deklaron Kasami.

    Ai shtoi se një ndër marrëveshjet për një pronë të caktuar kontestuese, është realizuar në bazë të procedurave gjyqësore dhe gjyqi në mënyrë të plotfuqishme ka vendosur që toka të regjistrohet në kadastër si pronë e komunës.

    “Ka pasur procedura gjyqësore dhe gjyqi në mënyrë të plotfuqishme ka vendosur dhe toka është e regjistruar në Kadastër si pronë e komunës. Procedurat e kompensimit shkojnë me vendim të gjykatës, është procedurë shtesë të cilat ne i ecim. Duhet gjykata të sjell vendim për shpronësimin, pastaj të hapet llogari depozitare ku ne do të lëshojmë mjetet, pra është procedurë formale dhe nuk e ndalon realizimin e punëve në terren”, thekson ndër të tjera Kasami.

    Rregullimi i bulevardit “Bllagoja Toska”, është kritikuar nga këshilltari i këshillit komunal të Tetovës, Blerim Osmani dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

    Ministri Bekteshi në Facebook shkruan se, bulevardi “Bllagoja Toska” është investim kryekëput i Qeverisë dhe realizimi ka filluar në 27 gusht 2021! Për fat të keq, projekti ka qenë i bllokuar deri në këto momente nga Komuna e Tetovës dhe në dëm të qytetarëve.

    Edhe Blerim Osmani ditë më parë shkroi se, kjo që sot po reklamohet si një “arritje” e madhe është thjesht vazhdim i punëve të kryera dhe të finalizuara nga udhëheqësia e kaluar, e kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim!

    Ndryshe, bulevardi u premtua në dy mandatet e ish-kryetares Teuta Arifi, por nuk u has deri në realizimin e tërësishëm të këtij projekti, projekt i cili do t’ua lehtësojë lëvizjen në trafik qytetarëve. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    PE u bën thirrje shteteve anëtare të fillojnë negociatat e anëtarësimit të RMV-së dhe Shqipërisë

    Lajmi i rradhës

    Rrogat e mësimdhënësve me përvojë do të jenë mbi 500 euro

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë