PE u bën thirrje shteteve anëtare të fillojnë negociatat e anëtarësimit të RMV-së dhe Shqipërisë

    Grupimi socialist dhe demokrat në Parlamentin Evropian u bën thirrje shteteve anëtare që të fillojnë menjëherë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, raporton ABC. Ky grupim e konsideron procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor si një motor për demokracinë, lirinë, shtetin e së drejtës dhe prosperitetin ekonomik.

    “Në dritën e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, riangazhimi i BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është më urgjent se kurrë dhe vendimi për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të merret në qershorit më së voni. Vonesa e mëtejshme jo vetëm që po dëmton besueshmërinë e BE-së, por gjithashtu po e bën rajonin e Ballkanit Perëndimor më të prekshëm ndaj ndërhyrjeve nga vendet e treta armiqësore”, thuhet në komunikatën e këtij grupimi.

    Isabel Santos, raportuesja për Shqipërinë në Parlamentit Evropian është shprehur, se Shqipëria mbetet një partner strategjik plotësisht i besueshëm dhe i përkushtuar.

    Sipas Santos vendi vazhdon të ecë përpara me reformat themelore të integrimit evropian dhe ka përmbush kushtet për fillimin zyrtar të negociatave të anëtarësimit.

    “Procesi i anëtarësimit për Shqipërinë nuk mund të mbahet peng i diskutimeve dhe interesave të palëve të treta. Është e drejtë që Këshilli më në fund të bie dakord për hapjen e negociatave të anëtarësimit të vonuara me Shqipërinë, aq më tepër përballë sfidave gjeostrategjike në rritje” është shprehur Santos.

    Eurodeputeti Tonino Picula, që është njëkohësisht zëdhënës i këtij grupimi ka nxjerrë në pah, se edhe pse Maqedonia e Veriut bëri gjithçka që kërkohej, nuk dihet ende data e konferencës së parë ndërqeveritare që shënon fillimin zyrtar të negociatave për anëtarësim.

    “Vendi iu nënshtrua reformave thelbësore, duke përfshirë forcimin e demokracisë dhe luftën kundër korrupsionit, madje edhe ndryshimin e emrit! Nuk duhet të ketë më justifikime për vonesa të mëtejshme, nëse duam të ruajmë besueshmërinë tonë. Është e nevojshme të mbahet gjallë aspirata  pro-evropiane në Maqedoninë e Veriut dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, është shprehur Picula.

    Lajmi Paraprak

    Takimi Sullivan-Kurti: ShBA mbështet dialogun për marrëveshjen gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi

    Lajmi i rradhës

    Bulevardi “Bllagoja Toska”, Kasami: Ne po e jetësojmë projektin | BDI: Kjo arritje që po reklamoheni është falë punës së Teuta Arifit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë