Realizimi i dobët i investimeve kapitale gjatë këtij viti ka detyruar Qeverinë që në Buxhetin e ri për vitin 2026 të parashikojë një ulje të ndjeshme të tyre. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Ministria e Financave, deri në fund të tetorit janë realizuar vetëm 21.5 miliardë denarë (rreth 350 milionë euro) nga investimet kapitale, që përfaqëson më pak se 45 për qind të planit vjetor. Kjo është arsyeja pse për vitin e ardhshëm parashikohet një shumë më e ulët për investime kapitale – 40.2 miliardë denarë (rreth 653 milionë euro), që është 15.1 për qind më pak krahasuar me planet e këtij viti. Shkurtimi prej mbi 7 miliardë denarësh (rreth 120 milionë euro) ka ngjallur reagime të shumta, duke vënë në pikëpyetje aftësinë e institucioneve për të realizuar projekte zhvillimore.
DIMITRIESKA-KOÇOSKA: SHIFRA MË REALE, PROJEKTE TË PËRQENDRUARA
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, theksoi se buxheti i ri parasheh “investime reale dhe të zbatueshme”, duke përqendruar fondet në projektet më të avancuara dhe në ato që kanë ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik. “Pritet të përshpejtohet zbatimi i projekteve kapitale që janë në fazë të avancuar dhe financohen nga buxheti. Në të njëjtën kohë, do të fillojë zbatimi i projekteve të shpallura në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, si dhe në kujdesin shëndetësor dhe arsim,” – theksoi ajo.
Sipas ministres, projektet si “Bechtel & Enka” dhe programet komunale infrastrukturore do të jenë “shtylla e zhvillimit” për vitin e ardhshëm. Ajo paralajmëroi se këto investime do të jenë nxitës kryesorë të rritjes ekonomike, e cila parashikohet të arrijë 3.8 për qind në vitin 2026.
Qeveria i liston si projekte prioritare ndërtimet dhe përmirësimet në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, përfshirë: zgjerimin e autostradës Tetovë-Gostivar dhe ndërtimin e seksionit Gostivar-Bukojçan në Korridorin 8; ndërtimin e seksionit Prilep-Manastir (pjesë e Korridorit 10E); ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, që financohet nga BERZH dhe Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF); përmirësimin e rrugëve lokale përmes projektit të financuar nga Banka Botërore; përfundimin e seksioneve Kumanovë-Beljakovcë-Kriva Palankë deri në kufirin me Bullgarinë, pjesë e Korridorit 8 hekurudhor; si dhe gazifikimin përmes ndërtimit të seksioneve Shkup-Tetovë, Gostivar-Kërçovë dhe Shën Nikollë-Veles, si dhe ndërlidhjet me Greqinë, Kosovën dhe Serbinë.
Ndër investimet në energji përfshihen Parku i erës në Bogdancë, termocentralet fotovoltaike në Oslomej dhe Manastir, si dhe impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup dhe sistemet rajonale të menaxhimit të mbetjeve të ngurta.
EKSPERTËT: PLANIFIKIM JOREALIST, DOBËSI SISTEMIKE
Ekspertët ekonomikë theksojnë se problemi me realizimin e investimeve kapitale është kronik. Sipas Blagica Petrevska nga “Finance Think”, çdo vit qeveritë planifikojnë buxhete ambicioze pa analizuar realisht kapacitetet e institucioneve: “Në shumë ministri bëhet planifikim jorealist, pa harmonizim me kapacitetet aktuale administrative dhe teknike. Arsyet kryesore janë vonesat në prokurimin publik, përgatitja e pamjaftueshme e projekteve dhe mungesa e sistemit për monitorim të fazave të zbatimit,” – thekson ajo.
Ndërkohë, deputeti Fatmir Bytyqi vlerëson se ulja e investimeve kapitale do të ketë ndikim negativ në zhvillimin ekonomik. “Rritja dhe zhvillimi mbështeten në shpenzimet kapitale, dhe ato po ulen si në vlerë absolute, ashtu edhe përqindje e buxhetit. Me 640 milionë euro, gjysma e fondeve do të shkojnë në komuna dhe pjesa tjetër në projektet ‘Bechtel & Enka’. Çfarë do të mbetet për hekurudha, gazifikim, arsim e shëndetësi?”, deklaroi Bytyqi.
Në mendimin e tij për Strategjinë Fiskale 2026-2030, Këshilli Fiskal kërkon që çdo projekt kapital mbi një prag të caktuar të kalojë përmes analizës kosto-përfitim, për të garantuar kthimin maksimal ekonomik dhe social. Po ashtu, Këshilli thekson se fondet e parealizuara për investime nuk duhet të shndërrohen në shpenzime operative përmes rishikimeve buxhetore, por të transferohen për investime në vitet pasuese.
KOMITET I RI PËR MENAXHIMIN E INVESTIMEVE PUBLIKE
Në fund të shtatorit, Qeveria ka miratuar Vendimin për themelimin e Komitetit të Investimeve Publike, i cili do të koordinojë projektet madhore publike. Ky organ ndërdepartamental, i kryesuar nga ministri i Financave, do të vlerësojë fizibilitetin, prioritetet dhe progresin e çdo projekti publik. Ky hap pritet të sjellë menaxhim më efikas, transparencë dhe harmonizim strategjik të investimeve publike me prioritetet kombëtare, duke përmirësuar planifikimin dhe përdorimin e fondeve buxhetore. Në planin afatgjatë, kjo reformë synon të rrisë efikasitetin e shërbimeve publike, të forcojë rritjen ekonomike dhe të kontribuojë në integrimin evropian të vendit. /Koha/






