“Buxheti i vitit të ardhshëm do të sigurojë stabilitet ekonomik dhe zhvillim”

    Propozim buxheti i vitit 2023 pritet të sigurojë stabilitet ekonomik dhe energjetik, si dhe mbështetje për qytetarët dhe kompanitë në kushtet e krizës ekonomike dhe energjetike botërore, thonë nga Qeveria. Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se nga mjetet e parapara janë siguruar para për rritje të pensioneve dhe pagave në sektorin e arsimit, rritja e të cilave duhet të bëhet në tremujorin e parë. Ai shtoi se planifikohet të vazhdojë harmonizimi i pagës minimale me mesataren dhe koston e jetesës.

    “Për pensionistët për vitin e ardhshëm janë ndarë 120 milionë euro më shumë se 2022 ose gjithsej 1,2 miliardë euro, të cilat janë rritur. Në këtë segment dua të përmend edhe transfertat që janë planifikuar në njësitë e vetëqeverisjes lokale. Për vitin 2023 janë planifikuar gjithsej 434 milionë euro TVSH dhe bllok-dotacione për komunat, në të cilat parashikohen mjete edhe për pagesën e pagave të rritura të 40 mijë punëtorëve të arsimit, të cilat këtë vit janë rritur për 15%. Qeveria ofron mbështetje serioze, si çdo vit, për komunat dhe këtë vit janë planifikuar 57,5 milionë euro më shumë se 2022”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

    Kryeministri informoi se për paga në administratën publike në vitin 2023 janë planifikuar 570 milionë euro, ndërsa për shëndetësinë janë planifikuar 685 milionë euro. Kovaçevski theksoi se për vitin 2023 janë parashikuar 52,3% më shumë shpenzime kapitale në krahasim me vitin 2022. Nga ana tjetër, Ministri i Financave Fatmir Besimi tha se deficiti buxhetit ardhshëm është më i ulët se viti aktual.

    “Edhe në këtë buxhet mund ta quajmë zhvillimor në bazë të faktit se parashikohen më shumë shpenzime kapitale sesa deficiti. 800 milion euro shpenzime kapitale, ndërsa 700 milion euro deficit. Deficiti është paraparë 4,6% nga BPV për dallim nga viti aktual që është e projektuar 5,3%, ky është sinjal që punohet në konsolidimin fiskal dhe në afat për 5 vitet e ardhshme ky deficit planifikohet të jetë nën 3%”, theksoi Fatmir Besimi, Ministër i Financave.

    Nga këtë propozim buxheti i përgjithshëm janë ndarë 250 milionë euro për masat kundër krizës. Kreu i qeverisë shpjegoi se fokusi i propozim-buxhetit është në disa shtylla, gjegjësisht ballafaqimi me pasojat e krizës dhe përkrahja e rritjes ekonomike, llogaridhënia si dhe mbështetja dhe intensifikimi i procesit të integrimit në BE. Drafti pritet të dorëzohet në Kuvend për miratim deri në fund të këtij viti. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Krim prestigjoz në ‘Prestige Resort’

    Lajmi i rradhës

    Vështirësi në hetimet për “bombat nëpër shkolla”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë