Problemi me mbeturinat në Çair, assesi të zgjidhet! Në lagjen “Xhon Kenedi” afër shkollës fillore “Anton Semjenoviç-Makarenko”, trotuari është tërësisht i pakalueshëm.
“Në Çair vazhdon të jetë gjendja normale kështu si gjithmonë me mbeturina, mos harrojmë të cekim se po në këtë vend para 2 javësh patëm një lajmërim për të njëjtin problem me mbeturinat ku është i bllokuar trotuari”, raporton TV21.
Në këtë lagje, jashtë kontejnerëve janë hedhur edhe goma të veturave, dyshekë, maksikoza për fëmijë dhe shumë gjësende të tjera.
Kontejnerë të stërmbushur dhe thasë të hedhur edhe në Fushë Tophanë.
Gjendja e njëjtë është edhe te “Rruga e plastikeve”, ku shihen edhe atlete në trotuar. (2829- Disa metra më larg, te semaforët, kështu duken mbeturinat në rrugë.
I pyetur për këtë gjendje në Çair, kryetari i Komunës Visar Ganiu, tha se NP “Higjiena Komunale-Shkup” nuk po punon me kapacitetin maksimal, ndërsa qytetarët po paguajnë taksa.
“Edhe kjo është dukuri e cila po na shfaqet dhe ne si komunë kemi marrë hapa edhe pse jemi taksapagues dhe taksat shkojnë tek ndërmarrja e cila është përgjegjëse për grumbullimin e mbeturinave por një gjë të tillë nuk e bën me kapacitetin maksimal dhe ajo e rëndon këtë gjendje. Nga ish drejtorët që i kemi marrë informacionet, kosha për grumbullimin e mbeturinave të kaluarën kanë qenë 530 kontejnerë, sot në komunën e Çairit janë 320”, sqaroi Visar Ganiu, kryetar i komunës së Çairit.
Nga “Higjiena Komunale” thonë se ndërmarrja po mbledh dhe transporton mbeturinat komunale në komunën e Çairit në baza ditore, pa ndërprerje, në përputhje me dinamikën e përcaktuar në programin operativ.
“Ekziston një dukuri masive e hedhjes së paligjshme të mbeturinave të rënda dhe të ndërtimit në afërsi të menjëhershme të kontejnerëve, gjë që është në kundërshtim me Ligjin, shkel Ligjin për Pastërtinë Publike dhe Ligjin për Mjedisin, ndot mjedisin dhe rrezikon shëndetin publik”, shtuan nga NP Higjiena Komunale Shkup.
Nga Higjiena Komunale theksojnë se gjatë vitit të kaluar, shumica e deponive ilegale që i kanë hequr janë në komunën e Çairit dhe se kanë dërguar edhe kërkesë deri te Komuna për Mbikëqyrje Inspektuese, por siç shtojnë, nuk është marrë asnjë masë.