Çdo i treti qytetarë në Maqedoni është diskriminuar!

    Diskriminimi në baza etnike dhe politike dhe hezitimi i viktimave për të denoncuar është një indikator që e shndërron luftën kundër diskriminimit në një sfidë për të gjithë shoqërinë e jo vetëm për një institucion apo një grup të caktuar. Me këto fjalë ambasadori i OSBE-së në Shkup, Klemens Koja, dje i ka bërë thirrje të gjithë aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë që të angazhohen plotësisht dhe të marrin përgjegjësinë për arritjen e barazisë dhe përfundimin e diskriminimit.

    Në fjalën e tij gjatë hapjes së Konferencës së Gjashtë Rajonale të Organeve të Barazisë së Evropës Juglindore, e cila u mbajt edhe sot në Parlament, Koja duke u bazuar tek anketa e OSBE – Eurobarometri (2009-2018) ka thënë se çdo i treti i anketuar kanë raportuar se janë diskriminuar të paktën një herë, ndërsa 40 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se kanë qenë dëshmitarë të diskriminimit të dikujt tjetër.

    Rezultatet e anketës tregojnë gjithashtu se nga numri i përgjithshëm i viktimave, mesatarisht gjysma e tyre kanë përjetuar diskriminim në baza të shumta, dhe më i përhapuri është diskriminimi në bazë të përkatësisë politike dhe etnike.

    “Gjithashtu, një e treta e të anketuarve thanë se nuk do të kërkonin mbrojtje nga institucionet nëse do të përjetonin diskriminim. Kjo është një çështje shumë shqetësuese për ne”, ka deklaruar ambasadori.

    Duke u ndalur në punën e Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi (KSZD), Koja tha se është një institucion relativisht i ri e që për këtë arsye Misioni i OSBE po e mbështet për të avancuar dhe zhvilluar punën e mëtejshme në këtë fushë.

    “Misioni beson fuqishëm se një organ i pavarur efektiv i barazisë do të forcojë mbrojtjen kundër diskriminimit dhe do të promovojë barazinë gjithëpërfshirëse duke mundësuar krijimin e një shoqërie të drejtë. Mbeten shumë sfida, si mungesa e koordinimit ndërmjet palëve të interesit dhe strukturës kombëtare për barazi, kapacitetet dhe burimet e kufizuara, niveli i ulët i ndërgjegjësimit të publikut, veçanërisht tek grupet vulnerabël, gjë që sjell edhe nën-raportimin e rasteve të diskriminimit”, ka thënë ambasadori Koja.

    Rritja e vetëdijes dhe nxitja e njerëzve për të denoncuar çdo formë diskriminimi është theksuar nga kreu i Parlamentit Talat Xhaferi. Duke iu referuar raportit vjetor të Komisionit për vitin 2021, Xhaferi tha se të dhënat janë vetëm një pjesë e tablosë së vërtetë dhe të ashpër në terren.

    “Sepse jam i bindur se jo çdo individ që ka qenë viktimë e diskriminimit ka ndërmarrë diçka konkrete siç është parashtrimi i ankesës dhe raportimi i këtyre dukurive. Është e rëndësishme të ndërgjegjësohet publiku për ekzistimin e kësaj të keqeje, ta përkufizojmë, ta njohim, ta raportojmë dhe ta ndëshkojmë. Të gjithë do të dëshironim të ishim pjesë e një shoqërie humane dhe të drejtë në të cilën askush nuk do të ndihej më pak i vlefshëm apo më pak i rëndësishëm dhe pjesë e parëndësishme e shoqërisë, por për fat të keq, kjo mohohet nga realiteti që shohim dhe atë që e lexojmë dhe e dëgjojmë çdo ditë”, tha Xhaferi.

    Konferenca dy ditore ka si qëllim të thellojë bashkëpunimin mes komisioneve të rajonit, shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi. Si tema të rëndësishme që do të diskutohen janë roli i komisioneve në proceset gjyqësore, në përfaqësimin strategjik dhe zhvendosjen e barrës së provës në procedurat gjyqësore për mbrojtjen nga diskriminimi. KSZD është një prej trupave të themeluar rishtazi në rajon dhe se ende është duke i hedhur hapat e parë në përfshirjen në procedurat gjyqësore për mbrojtjen nga diskriminimi dhe përfaqësimin strategjik. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Sa të sigurta janë ushqimet e paketuara të dyqaneve

    Lajmi i rradhës

    Ushqimet më të mira për trurin në çdo moshë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë