“Çështja e Bullgarisë të mos përdoret për fushatë zgjedhore”

    Sofja zyrtare kërkon që tema e Bullgarisë dhe marrëdhëniet dypalëshe të mos jetë pjesë e debatit politik parazgjedhor në Maqedoni. Për këtë, dje është thirrur në bisedë ambasadorja Agnesa Rusi Popovska. Edhe pse MPJ-ja bullgare nuk thekson se deklaratat e kujt shkaktuan reagimin e tyre, kjo vjen pasi kreu i shtetit Stevo Pendarovski në intervistë televizive tha se pakica maqedonase në Bullgari ishte objekt i torturave. Sipas Bullgarisë, kjo temë përdoret për shkak të mungesës së progresit në Maqedoni.

    “Bullgaria vazhdimisht mban ton konstruktiv dhe përmbahet nga komentimi i provokimeve të vazhdueshme në hapësirën publike në Maqedoninë e Veriut. Ne e bëjmë këtë me mirëkuptimin se është e nevojshme të sigurohet mjedis konstruktiv për mbarëvajtjen normale të procesit zgjedhor dhe mjedis social paqësor në të cilin mund të zbatohen reformat e nevojshme”, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë.

    Përkundër thirrjeve, partitë akuzojnë njëra-tjetrën se kush është më afër politikanëve bullgarë. LSDM kërkoi përgjigje nga kandidatja për kryetare e VMRO-së, Gordana Siljanovska Davkova, pse është kundër kornizës së negociatave, dhe në të njëjtën kohë fotografohet me eurodeputetin bullgar Andrej Kovaçev, i cili njihet për qëndrimet e tij radikale ndaj Maqedonisë.

    “Ne shohim edhe foto të saja me mohuesin e gjuhës, identitetit dhe kulturës maqedonase, Andrej Kovaçev. Siljanovska qëndron me krenari me Kovaçevin, i cili na mohon si popull. Qytetarët presin përgjigje nga Siljanovska”, u shpreh Lidija Tasevska – deputete e LSDM-së.

    VMRO-DPMNE u përgjigj se ishte takim i rastësishëm mes Siljanovskës dhe Kovaçevit dhe se fotografia është e vjetër më së paku pesë vjet. “Është nga koha kur Bojko Borisov ishte vëllai i liderit të LSDM-së Zoran Zaev dhe Stevo Pendarovski e përshëndeti me dashuri”, theksuan opozitarët. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Ndryshon ligji, do të rriten pagat në arsimin e lartë

    Lajmi i rradhës

    Murati: Shkollat po mbeten të zbrazëta për shkak të zhvillimeve politike

    Lajme tjera

    Një Pikaso 10-vjeçar

    Pikturat e stilit surrealist të 10-vjeçarit Andres Valencia shiten për shuma mbi 150.000 dollarë. Është e rrallë që…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë