Çfarë dihet për sanksionet amerikane kundër Vulinit?

    Aleksandar Vulin, drejtor i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), është zyrtari më i lartë në Serbi që është vendosur në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) që kur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, erdhi në pushtet.

    Partia Progresive Serbe (SNS), të cilën Vuçiqi e drejtoi deri vonë, është në pushtet që nga viti 2012.

    Në reagimin e tij të parë më 12 korrik, Vuçiq vlerësoi se sanksionet ndaj Vulinit, i cili është partner koalicioni me SNS-në, nuk u vendosën për shkak të “ndonjë krimi, korrupsioni, çfarëdo qoftë”, por për shkak të qëndrimit të tij ndaj Rusisë.

    Ai paralajmëroi gjithashtu një hetim.

    Një ditë më parë, Departamenti i Thesarit i SHBA-së sanksionoi Vulinin për korrupsion dhe përfshirje në trafikun e drogës, si dhe për shkak të lidhjeve me Rusinë.

    Njeriu i parë i agjencisë së inteligjencës dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Vuçiqit nuk dha ndonjë deklaratë deri në publikimin e këtij teksti.
    Partia e tij, Lëvizja e Socialistëve, dënoi sanksionet dhe bëri një varg akuzash kundër SHBA-së.

    Radio Evropa e Lirë (REL) i ka analizuar pretendimet në shpjegimin e dhënë për vendosjen e sanksioneve ndaj Vulinit.

    Mysafir i Moskës edhe pas agresionit ndaj Ukrainës

    Në vendimin e Departamentit amerikan të Thesarit është thënë se Vulini përdori pozitat e tij publike për të mbështetur Rusinë.

    Përpara se të emërohej në krye të BIA-s, në dhjetor të vitit 2022, Vulin mbante postin e ministrit të Punëve të Brendshme, ndërkaq, më parë, ministër i Mbrojtjes.

    Nënsekretari amerikan i Thesarit, Brian E. Nelson, më 11 korrik, tha se Vulin konsiderohet përgjegjës për “akte korruptive dhe destabilizuese që kanë mundësuar gjithashtu aktivitete keqdashëse të Rusisë në rajon”.

    “Duke lehtësuar aktivitetet keqdashëse të Rusisë, të cilat degradojnë sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, në këtë mënyrë i ka siguruar Rusisë një platformë për ndikim të mëtejshëm në rajon”, thuhet në deklaratë.

    Vulin, i njohur për marrëdhëniet e tij të ngushta me Moskën, nuk i ndërpreu kontaktet edhe pasi Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainën fqinje, në shkurt të vitit 2022.

    Herën e fundit, siç raportojnë mediat shtetërore ruse, ai ishte në Moskë, më 24 maj, si përfaqësues i Serbisë në një konferencë ndërkombëtare të sigurisë.
    Vulin, gjithashtu, qëndroi në Moskë, në gusht të vitit 2022, si ministër i Punëve të Brendshme.

    Asokohe, ai i tha ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov se Serbia është i vetmi vend që nuk është bërë pjesë e “histerisë anti-ruse”.

    Në atë kohë, Bashkimi Evropian vendosi disa pako sanksionesh kundër Rusisë për shkak të agresionit kundër Ukrainës. Deri më sot, Serbia nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, pavarësisht thirrjeve të shumta.

    Vulin është kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë dhe disa herë ka përsëritur se Serbia nuk do t’i vendosë ato.

    Vulin shkoi në Moskë dy muaj përpara se Rusia të fillonte pushtimin e saj në Ukrainë dhe derisa trupat e saj ishin në kufi me atë vend.

    Në atë kohë, njeriu i parë i policisë serbe i premtoi shefit të sigurimit rus, Nikolai Patrushev, se Serbia “nuk do të jetë kurrë pjesë e hapësirës për të nisur një fushatë” kundër Rusisë dhe Vladimir Putinit.

    Aleksandar Vulin dhe Sergey Lavrov në Moskë në gusht të vitit 2022.
    Aleksandar Vulin dhe Sergey Lavrov në Moskë në gusht të vitit 2022.

    Në atë takim u tha se vendet e lira duhet t’u rezistojnë “revolucioneve me ngjyra”.
    Revolucion me ngjyra është emri që përdoret për përmbysjen e regjimeve autoritare, siç ishte rasti në Ukrainë më 2004/2005. Kjo ngjarje njihet si Revolucioni i Portokalltë.

    Bashkë me premtimin për Patrushevin, Vulin me ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, u mor vesh për blerjen e sistemeve të reja ruse të mbrojtjes ajrore Pancir.

    Për shkak të kontakteve të tij me shefin rus të sigurisë, Patrushev, opozitari rus Vladimir Kara-Murza akuzoi Vulinin, në fund të vitit 2021, se kishte çuar në Moskë regjistrimet e një takimi të anëtarëve të opozitës ruse në Beograd, pas së cilës njëri prej tyre u arrestua në Rusi.

    Aleksandar Vulin dhe Nikolai Patrushev gjatë një vizite në Moskë në dhjetor të vitit 2021.
    Aleksandar Vulin dhe Nikolai Patrushev gjatë një vizite në Moskë në dhjetor të vitit 2021.

    Vulin mohoi pretendimet dhe paralajmëroi padi kundër Kara-Murza, por nuk dihet nëse ka nisur procedura ligjore.

    Në prill, Kara-Murza u dënua me 25 vjet burgim në Rusi për “tradhti të lartë”, përhapje të “informacioneve të rreme” për ushtrinë ruse dhe punë ilegale për një organizatë “të padëshirueshme”.

    Lajmi Paraprak

    Rreziqet dhe problemet që vijnë nga akulloret e vjetëruara

    Lajmi i rradhës

    Përgjimet që nxitën dhunë në Kuvend

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë