“Plani është, po, kemi filluar që nga dita e parë me realizimin e këtyre projekteve. Po shqyrtojmë buxhetet. Për minusin e kësaj ndërmarrje duhet të ketë përgjegjësi adekuate, ndërsa ne jemi të gatshëm të kërkojmë llogari pse është gjendja ashtu siç është. Unë besoj se për tre muaj do t’i kemi punët të kristalizuara”, kishte thënë Danela Arsovska – Kryetare e qytetit të Shkupit.
Kjo ishte deklarata e para tre viteve e kryetares së qytetit të Shkupit. Më pak se një vit kanë mbetur zgjedhjet lokale, dhe gjendja me autobusët privatë, është akoma më e koklavitur.
Ajo që më së paku meritojnë sot pensionistët, është pritja me orë të tëra në stacione, në dëshpërim për të hipur në autobus, edhe pse thellimi i krizës filloi dy vite më parë, gjetja e një autobusi është bërë mision i pamundur.
Në temperaturat 40 gradë, me ilaçe në duar të kthyer nga farmacitë, apo nga ndonjë pazar i vogël, ata duhet të orvaten nëpër stacione, në pritje të një autobusi që nuk vjen. Reagimet e qytetarëve sot ishin të shumta, por mbi të gjitha, mllefi i tyre orientohej drejt kryetares së Shkupit, Danella Arsovska.
“Kush nuk është i aftë le ta gjeje veten, dhe le të lejojë që dikush që është kuadro dhe ka njohuri të qarkullimit t’u lejojë qytetarëve të mund të kenë kushte normale, çfarë të them tjetër, le të gjeje veten, se kush është ai sepse s’dua të emëroj por dihet, dërgoni shofer me autobus me defekt dhe i ndodhë katastrofë. Ja me vjen autobusi me vjen mirë që dhashë kontribut që problemi të zgjidhet”, tha një qytetar.
“Asgjë s’ka bërë ajo, ja po presim këtu, ku është ajo sot që na e dha fjalën, populli pret, ku të ankohemi. Këto që janë në çfarë kushtesh janë? Asgjë hiç, nuk janë as të klimatizuar. Një grua me thanë se pardje ra në autobusin me nr.19, i ka rënë të fikët, dritaret e mbyllura e nxorën jashtë i dhanë ujë, s’ka asgjë kotë”, u shpreh një qytetar tjetër.
“Autobusët katastrofë”, theksoi një qytetar.
“Duhet të presim nga dy orë, nuk ka autobusë, çka të bëjmë. Rëndë është sepse shumë nxehet, autobusë nuk ka, duhet të presim, kjo është turp por çfarë të bëjmë”, tha një qytetar.
“Nuk është e rëndësishme se, a pa pagese, së paku të ketë, nuk ka. Nuk ka as që të paguhet? Po ja nuk ka. Ato që janë, si i kanë kushtet? Disa mirë e disa jo, a janë me kondicioner? Disa po e disa jo”, theksoi një qytetar.
Prej menaxhimit të kryeqytetit, kryetarja Danela Arsovska deri tani ka ndërruar katër drejtorë të NQP-së. Vetëm pak javë më parë erdhi drejtori i ri Dragi Kushovski i cili për mediat foli pas aksidentit të autobusit në rrugën afër qendrës Mavrovasja ku u lënduan edhe udhëtarë por edhe shoferi. Transportuesit privatë vazhdojnë të mbeten të reduktuar për shkak të borxhit që NQP-ja ka ndaj tyre.
Ndërkohë, sipas informatave tona, nga përpjekjet e fundit, ka zëra se pritet të paguhen vetëm disa nga pagat e prapambetura, edhe pse kjo nuk e zgjidh problemin e borxhit që shkon tek 2 milion euro, dhe as problemin dhe nervozët e qytetarëve që do të duhet të presin, në temperatura të larta apo të ulëta, deri sa kjo odise të marrë fund. / Alsat/