Çfarë mendojnë qytetarët e Maqedonisë për nismën “Ballkani i Hapur”?!

    “Ballkani i Hapur” është mundësi dhe perspektivë për të ardhme të sigurt të të rinjve në rajon.

    Kështu vlerësojnë përfaqësuesit e institucioneve të Maqedonisë, Shqipërisë, Serbisë e Malit të Zi të cilët folën në Konferencën me temë “Të rinjtë  në Ballkanin ne Hapur – Mundësi dhe perspektivë për avancim të sigurt në rajon”.

    Këshilltari për rini dhe sport në RMV, Gjorgji Tasev thotë se ndërtimi i  besimit tek njëri tjetri është i domosdoshëm që Ballkani të jetë i dëshirueshëm për jetesë nga të rinjtë.

    “Mund të konstatojmë se bashkëpunimi në mes veti dhe lidhja mes të rinjve dhe shteteve është e rëndësisë së posaçme nëse dëshirojmë që të rinjtë ta jetojnë ëndrrën evropiane në Ballkan, këmbimi i përvojave, projekteve, aktivitete, njohuri, informata, të gjitha këto janë kyçe që të mundësojmë progres të të rinjve, rritjen e besimit njëri tek tjetri, ndërtimin e ardhmërisë së sigurt me çka edhe Ballkanin do ta bëjmë vend të dëshirueshëm për jetesë për të gjithë të rinjtë”, tha Gjorgji Tasev, këshilltar për të rinj dhe sport në RMV.

    Por qytetarët kanë mendime të ndryshme rreth “Ballkanit të Hapur”. Disa thonë se koncept është i qëlluar e disa të tjerë, i dështuar.

    “Nuk besoj se do të jetë si koncept… të rinjtë ikin prej këtu, vetëm kjo”, thotë një qytetar.

    “Ajo është veç politik, kur erdhëm në pushim këtu, e njëjta gjë ndodh nëpër kufij, duhet të pritet si zakonisht, edhe pse thuhet se kufijtë do të hapen… rinia ka ikur e tëra”, u shpreh një qytetar tjetër.

    “Po besoj se duhet të ndryshohen konceptet siç ndryshon koha dhe modernizohet bota, edhe ne duhet në mënyrë më të hapur të mendojmë… Nuk e di se çfarë është nënshkruar konkretisht, por unë jam maqedonase dhe jetoj në Kosovë dhe e di se është shumë me rëndësi të bashkëpunojmë”, tha një qytetare.

    “Nuk mund të ketë rinia perspektiv prej “Ballkanit të Hapur” kur është iniciativë e Vuçiqit”, tha një qytetar.

    “Jam pro “Open Ballkan” që të mos ketë kufij dhe të mundemi të lirë edhe të punojmë edhe të arsimohemi e gjithçka më tej”, u shpreh një qytetar.

    “Nuk besoj në atë nëse do të ketë perspektivë posaçërisht për të rinjtë, për shkak se ekonomikisht mund të kontribuojë diçka, por jo ndonjë gjë të madhe. Mund të ketë përmirësim por përsëri të rinjtë do të na ikin edhe më tepër jashtë”, theksoi një qytetar.

    Ideja për nismën e “Open Ballkan” filloi të realizohet në vitin 2019 dhe ka për qëllim krijimin e një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.

    Idesë iu bashkuan Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, e refuzoi Kosova dhe Mali i Zi. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Tetovë, debat publik për ndërrimin e emrave të rrugëve dhe shkollave

    Lajmi i rradhës

    Pacienti me simptoma të dyshimta për linë e majmunëve refuzon të testohet, KSI jep detajet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë