Çfarë thanë partitë politike në RMV në ditën e 14-të të fushatës!

    Partitë politike dje kanë zhvilluar takimet e tyre me qytetarët e vendeve të ndryshme ku kanë prezantuar programet e tyre bashkë me kandidatët përkatës për kryetar komune. Përndryshe dje ishte dita e 12-të e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale 2021 njofton Nistori.

    Murseli, kandidat i vetëm që ka program për rindërtimin e teleferikut

    Kandidati i ASH-AAA për Tetovën, Vullnet Murseli përmes profilit të tij në FB ka shpalosur një pjesë të programit të tij për rindërtimin e teleferikut Tetovë-Kodra e Diellit.

    “Kodra e Diellit është pasuri e jashtëzakonshme natyrore që mund të sjellë përfitime ekonomike jo vetëm për qytetin e Tetovës por edhe për rajonin më të gjerë. Mirëpo, gjendja në të cilën ndodhet aktualisht kjo pikë turistike është e mjerueshme: e lënë krejtësisht pas dore, pa infrastrukturë elementare, pa teleferikun i cili ishte simbol i Tetovës, me kaos total urbanistik, me ndërtime pa leje në çdo hap, me hedhurina dhe aromë kundërmuese e mbushur me mbetje inerte, me qen endacak etj. Prandaj, ne kemi vendosur Kodrën e Diellit ndër prioritetet kryesore tona për të cilën do të punohet me intensitet të plotë që nga fillimi i mandatit” shkroi Vullnet Murseli kandidat për komunën e Tetovës.

    Shilegov: Kopshti Zoologjik i Shkupit do të shndërrohet në atraksion rajonal turistik

    Kryetari aktual i Bashkisë së Shkupit i cili garon sërish në zgjedhjet e 17 tetorit për kryetar të Shkupit, Petre Shilegov sot tha se Kopshti Zoologjik i Shkupit do të shndërrohet në atraksion rajonal turistik.

    “Bashkia e Shkupit dhe Kopshti Zoologjik i Shkupit vendosën standarde të reja për cilësi dhe më shumë mirëqenie për kafshët”, tha Shilegov.

    Ai shtoi se në vazhdimësi po punohet edhe në edukimin e vizitorëve por edhe në sigurimin e hapësirave me përmbajtje të reja atraktive që tërheqin vizitorë.

    Sipas Shilegov, përveç turistëve të brendshëm, Kopshtin Zoologjik të Shkupit e vizitojnë edhe turistë të huaj.

    Sela: Në komunën e Zhelinës gara bëhet mes pushtetit dhe opozitës

    Nuk është e vërtetë që gara në Komunën e Zhelinës është duke u bërë në mes katër kandidatëve, por mes pushtetit dhe opozitës, kështu u shpreh lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela në tubimin në Zhelinë.

    “Jemi afër zgjedhjeve dhe kësmet Zotit sot një javë ju bashkë me Mahirin do e festoni fitoren në këtë orë këtu në Komunën e Zhelinës. Me këtë dua të them se po afrohen qastet dhe momentet dhe ne nuk duhet të rrimë duarkryq dhe të presim tek afrohet java dhe vjen dita që quhet 17 tetor e që duhet rrethuar numri 6 por të gjithë këtë javë duhet ta kemi të mbushur me aktivitete, me punë të palodhshme, ashtu siç dini ju dhe siç ju kemi ndjekur në aktivitetet që i keni bërë”, tha më tej ai.

    Kasami në Reçicë premton investim për prodhimin e çipsit

    Lideri i Lëvizjes BESA dhe njëherit kandidat për kryetar të Tetovës, Bilall Kasami në Reçicë ka paralajmëruar një investim për përpunimin e patates, gjegjësisht prodhimin e pomfritit dhe çipsit.

    Ka vlerësuar se ky investim do të sigurojë hapjen e vendeve të reja të punës. Projektin tha se do të ta publikojë ditëve në vijim.

    “Para disa ditësh në “Teteks 1″ thash se sa herë i vizitoj bastionet e Lëvizjes Besa, vijnë edhe lajme të mira. Bashkë me ministrin Arjanit Hoxha, sot me iniciativën e tyre na vizituan disa investitorë. Ata shprehën gatishmëri që menjëherë të fillojë një investim serioz në Tetovë. Bëhet fjalë për një fabrikë për përpunimin e produkteve bujqësore, më saktë përpunimin e patateve, respektivisht prodhimin e pomfritit dhe çipsit. Ky investitor do të sigurojë hapjen e 60 vendeve të punës. Bashkë ramë dakord se Reçica është vendi ideal për këtë investim, por e mirë e gjithë kësaj është se ata do të kontraktojnë bujqit për blerjen e patates para kohe, me kontrata të sigurta. Bujqit e Reçicës do të prodhojnë produkte që do të jenë të kontraktuara paraprakisht. Në ditët në vijim do të prezantoj projektin konkret para jush”, tha Kasami./Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Kasami: Reçica vend ideal për prodhimin e çipsit

    Lajmi i rradhës

    Dimitrov: Është e vështir të vazhdosh t’i quash miq bullgarët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë