Çfarë thonë analistët për fushatën ‘moderne’ të kandidatëve për president?

    Një numër i madh i kandidatëve presidencialë këto ditë ftojnë njëri-tjetrin në debate, ballafaqime, madje edhe në darka për iftar apo për Pashkët, por sipas analistëve, retorika e nxehtë parazgjedhore nuk do të çojë në prezantimin e duhur të ideve të tyre dhe fushatë moderne evropiane.

    Analisti Bojan Kordallov thotë se nëse “dita shihet prej në mëngjes”, në periudhën e ardhshme mund të pritet retorikë edhe më e fortë dhe fushatë e zezë radikale.

    “Nëse ngjyrosemi me fushatë të zezë, nuk mund të lihet hapësirë ​​për fushatë komunikimi korrekte, normale dhe standarde. Në zgjedhjet e fundit presidenciale, pamë komunikim korrekt mes kandidatëve. Shpresoj se kjo do të ndodhë tani, por kam frikë se zhvillimi dhe rrjedha e narrativit që po dëgjojmë tani nuk do të lejojë askënd të mbetet imun ndaj përdorimit të mjeteve të palejueshme të komunikimit”, tha Bojan Kordallov – analist.

    I pyetur për dërgimin e mesazhit për votuesit për zgjedhjet parlamentare, Kordallov thotë se partitë duhet t’i përfshijnë qytetarët në shkrimin, por edhe në realizimin e programeve zgjedhore.

    Sipas tij, partitë tani vetëm po japin përshtypjen se janë të interesuara për të qëndruar apo për të fituar pushtetin dhe jo ndryshimet dhe përfitimet thelbësore për qytetarët.

    “Pres që me këtë ritëm të ketë kthim prapa në komunikimin politik dhe kulturën në fushën e zgjedhjeve. Çdo zgjedhje që do të prezantohet si “jetë a vdekje” nuk do të sjellë as fushatë të mirë, as retorikë të mirë e as dobi për qytetarët. E dyta është se, qytetarët tregojnë shumë më tepër pjekuri sesa partitë politike dhe kjo duhet t’i bëjë partitë të mendojnë kah po shkojnë, a u përshtaten nevojave dhe nëse realisht lënë përshtypjen se prioriteti i tyre kryesor janë qytetarët”, u shpreh Bojan Kordallov – analist.

    Fushata e fundit, për zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, sipas Raportit të Misionit të OSBE/ODIHR, u karakterizua nga retorika negative në kurriz të debatit më përmbajtësor.

    Misioni vuri në dukje se reklamat e partive më të mëdha kanë përmbajtur sulme personale kundër kundërshtarëve politikë. / Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Vrasja e mjekut në Zhelezarë, të hënën mjekët privatë nuk do të punojnë nga ora 12:00 deri në 16:00

    Lajmi i rradhës

    IFTAR, me lugë në brez dhe aparat në qafë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë