Çmimet e ushqimeve në nivel global janë rritur mbi 30 për qind

    Bota duhet të përgatitet seriozisht për uri. Të dhëna alarmante janë publikuar nga Kombet e Bashkuara, të cilat thonë se 345 milionë njerëz në botë përballen me mungesë ushqimi. Në kulmin e pandemisë, shifrat ishin 135 milionë. Sfidat më të mëdha aktualisht lidhen me prodhimin e drithërave. Nga OKB thonë se ka një rritje të madhe të çmimeve të ushqimeve pavarësisht ekzistencës së furnizimeve të mëdha botërore me drithë. Në nivel global, çmimet e ushqimeve janë rritur për mbi 30 për qind.

    “Monopolet që mbajnë zinxhirin ushqimor duhet të thyhen. Disa kompani kontrollojnë tregjet globale për farat dhe plehrat, gjenetikën e kafshëve, tregtinë globale të drithërave dhe shitjen me pakicë të ushqimit. Ata bëjnë fitime të mëdha në kurriz të fermerëve, konsumatorëve dhe mjedisit”, thonë nga OKB.

    Në vendin tonë, nga ana tjetër, Qeveria përmes masave po përpiqet të ulë inflacionin, që sipas tyre është i importuar. Qeveria u ofroi fermerëve tokë shtetërore.

    “Ne kemi përcaktuar fonde për subvencionimin e plehrave artificiale, çmimi i plehrave artificiale është rritur jashtëzakonisht shumë edhe në tregjet evropiane, sepse lënda e parë bazë për prodhimin e plehrave artificiale është amoniumi, kurse amoniumi merret me ndihmën e gazit, dhe kjo rritje e çmimit të gazit bën një rritje praktike në zinxhirin e prodhimit në fund të ditës, për produktet ushqimore”, thonë nga Qeveria.

    Shporta minimale e konsumit i ka kaluar 40 mijë denarë për një familje me katër anëtarë. Vetëm produktet ushqimore bazë kërkojnë një pagë minimale ose 18 mijë denarë.

    Qytetarët prej kohësh kur bëjnë pazare ballafaqohen me çmime më të larta në tregje, dhe me shporta të përgjysmuara. Se jeta po shtrenjtohet, tregojnë edhe të dhënat zyrtare të statistikave shtetërore, ku shihet se në një muaj buka dhe drithërat, djathi, gjiza janë shtrenjtuar me pesë për qind, qumështi gati katër për qind. Çmime më të larta mujore ka te mishi, sheqeri, djathi, çokollatat, pastaj për kafen, çajin, por edhe për frutat dhe perimet.

    Që nga fillimi i krizës një numër i madh i prodhimeve u shtrenjtua madje për 100 për qind. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Ndërtimi i marinës në Ohër aktualizohet vetëm para zgjedhjeve

    Lajmi i rradhës

    Rusia bllokon traktatin e OKB-së për shkak të Zaporizhjas

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë