Çmimet rriten, bizneset e vogla drejtë falimentimit

    Prognoza e Bankës Popullore për inflacionin i cili pritet të arrijë në tre për qind deri në fund të këtij viti do të thellojë më shumë hendekun e varfërisë, sidomos për atë 22 për qind të popullsisë që jeton nën kufirin e varfërisë dhe 35 për qind të tjerët që jetojnë në varfëri. Edhe në Eurozonë inflacioni arriti muajin e kaluar nivelin më të lartë rekord në 13 vjet, ndërkohë që blloku po lufton edhe me rritjen e kostove të energjisë. Sipas të dhënave zyrtare shtrenjtimit më të mëdha të çmimeve në vend kanë ndodhur tek produktet ushqimore.

    “Indeksi i shpenzimeve në muajin tetor u rrit me mbi 4 për qind, krahasuar me një vit më parë, ndërsa indeksi i çmimeve me pakicë u rrit me 6.1 për qind”, konstatojnë në ESHS. Për shembull vaji me 25 për qind, perimet me 12 për qind, ndërsa karburantet me më shumë se 30 për qind. Çmimi i energjisë elektrike po ashtu pritet të rritet vitin e ardhshëm. Një situatë e tillë ka goditur më së shumti kategoritë më të rrezikuara, familjet me pak dhe shumë pak të ardhura mujore, por edhe bizneset e vogla, për të cilët shteti duhet që edhe këtë vit të hartojë politika më rigoroze për të mbrojtur varfërimin e mëtejshëm të familjeve dhe falimentimin e bizneseve. Kështu pohojnë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, ku sipas Arben Halilit asistenca nga ana e shtetit do të ofronte një lloj stabiliteti në situatën e krijuar që është vështirë të parashikohet se çfarë mund të sjellë vitin e ardhshëm.

    Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhovska ka thënë se çmimet e produkteve ushqimore dhe karburanteve pritet të stabilizohen gjatë vitit të ardhshëm dhe sipas parashikimeve të Bankës Popullore inflacioni mund të shënojë ulje në 2 për qind. Por çfarë do të ndodhë deri atëherë? “Inflacioni në rritje është një moment me të cilin po ballafaqohen edhe vende të tjera dhe e keqja është se filloi me rritjen e çmimeve të produkteve jetike. Nga kjo e pësuan më shumë familjet me të ardhura minimale, pa kursyer edhe bizneset e vogla. Nuk mund të japim dot një prognozë se çfarë do të ndodhë më tej, por shteti në këto momente duhet të ndjekë politika më rigoroze, të japë mbështetje për kategoritë që preken më shumë, të ndikojë në stabilizimin e çmimeve”, thotë Halili.

    Sipas të dhënave nga zyra e statistikave evropiane, Eurostat inflacioni total arriti në 4.1 për qind, nivel më i larti që nga korriku i vitit 2008. Ekspertët kanë parashikuar se inflacioni total dhe ai bazë në Eurozonë, ka të ngjarë të rriten më tej gjatë dy muajve të fundit të këtij viti. Një situatë e tillë është e pritshme pas ndryshimeve që pësuan çmimet e gazit e që tregojnë se do të ketë një përshpejtim të mëtejshëm të inflacionit të energjisë dhe se norma bazë e inflacionit do të vazhdojë gjithashtu të rritet. Sipas Bankës Qendrore Evropiane viti i ardhshëm do të ketë një periudhë afatmesme ku inflacioni të mbetet nën objektivin prej 2 për qind. BQE parashikon një inflacion prej 2.2 për qind në vitin 2021, 1.7 për qind në vitin 2022 dhe 1.5 për qind në 2023./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Përveçse u vjedhin malin banorët e Graçanit kërcënohen nga hajnat

    Lajmi i rradhës

    Kurti: Nëse do të kishte një referendum paqësor dhe demokratik do të votoja për bashkim me Shqipërinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë